Ndërlidhjet

DELEGACIONI I KOSOVËS NISET PËR NË VJENË


Zijadin Gashi, Prishtinë

Pala kosovare është e përgatitur mirë për takimin e nesërm me Beogradin, që do të mbahet në Vjenë, sipas agjendës së përcaktuar nga kryenegociatori për statusin e Kosovës Marti Ahtisari. Kështu është deklaruar sot grupi negociues për statusin, i cili ka zhvilluar takimin e fundit para nisjes së delegacionit kosovar për në Vjenë.
Presidenti Fatmir Sejdiu tha se delegacini kosovar me në krye Hashim Thaçin, është i përgatitur dhe unik në pozicionin e Prishtinës, që do të paraqitet lidhur me tre çështjet për të cilat do të bisedohet lidhur me organizimin e pushtetit lokal në Kosovë.
Lidhur me shqetësimet se një prej pikave të diskutimit është paraparë krijimi i lidhjeve horizontale midis komunave, që aludonte në krijimin e korridoreve etnike, Sejdiu tha se këtu nuk ka vend për frikë, pasi Kosova nuk do të ofrojë ndonjë organizim të veçantë të pushtetit lokal, përveçse do t'i marrë si modele parimet evropiane në pushtetin lokal.
"Unë mund të them vetëm në çështjet që ju keni dëgjuar se mund të ketë krijime strukturash dhe diçka tjetër që rrezikon në një farë mënyre organizimin në bazë të ligjit dhe të kushtetutës të tërësisë territoriale të Kosovës. Ato nuk janë qëndrimet tona, ne e kemi qëndrimin shumë të qartë që edhe komunat në nivelin e tyre mund të bashkëpunojnë, që është krejt normale. Por të organizuara dhe të mbështetura në legjislacionin tonë", tha presidenti Sejdiu.
Ndërkohë kryesuesi i delegacionit për bisedimet në Vjenë, Hashim Thaçi tha se ekipi kosovar ka qëndrime unike dhe do të ketë sukses që t'i prezantojë argumentat e veta për integrimin e të gjithë qytetarëve dhe jo për ndarjet etnike brenda territorit të Kosovës.
"Jemi shumë mirë të organizuar dhe me qëndrime shumë të qëndrueshme dhe unike se nuk do të ketë strukturim të veçantë në kuadër të organizimit të komunave në Kosovë. Gjithashtu do të punohet që të kemi thjesht një qasje më integruese dhe të respektohet vazhdimisht parimi qytetar dhe jo etnik", tha Hashim Thaçi. Kurse anëtari tjetër i grupit negociues, Veton Surroi, i cili ditët e fundit e shprehu drojën se bisedimet po shtrihen edhe në rrafshin e çështjeve të papranueshme për Kosovën, siç janë korridoret etnike, sot megjithatë tha se delegacioni i Kosovës ka qëndrime të prera se nuk do të tolerojë krijimin e strukturave komunale njëetnike.
"Kosova nuk mund të tolerojë krijimin e rrafshit të tretë të pushtetit mes pushtetit qëndror dhe atij lokal. Në Kosovë do të ekzistojë pushteti qëndror, pushteti komunal dhe këto do të jenë të ndërlidhura, po jo të krijohet një sferë e tretë e pushtetit, qoftë me emrin asociacion apo çkado qoftë."
Në agjendën e bisedimeve të nesërme në Vjenë, midis delegacioneve të Prishtinës dhe Beogradit, do të jenë financat e pushtetit lokal, raportet aop ndërlidhjet e komunave me popullatë serbe në Kosovë me Serbinë, si dhe krijimi i lidhjeve mes komunave në Kosovë.

XS
SM
MD
LG