Ndërlidhjet

VËSHTIRËSITË ME ENERGJI ELEKTRIKE ZBRAPSIN INVESTITORËT


Nadie Ahmeti, Prishtinë

Është momenti i fundit që Kosova të çlirohet nga imazhi që ka si vend me furnizim të mangët në energji elektrike, thonë ekspertët për çështje ekonomike.
Njëri prej tyre Muhamet Sadiku, tha se imazhi që është krijuar ka vështirësuar në masë të madhe interesimin e investitorëve të huaj dhe zhvillimin e bizneseve, veçanërisht të atyre që kanë karakter prodhimi.
"Kjo krizë energjetike tani në është tejet sfiduese meqënëse është duke e vështirësuar procesin e zhvillimi edhe të bizneseve private, sidomos është duke vështirësuar zhvillimin e bizneseve prodhuese dhe në këtë klimë, edhe të bizneseve që kanë potencial për eksport".
Zoti Sadiku thotë se është thjesht dekurajuese të investohet në një vend ku kriza energjetike është e pranishme për një kohë të gjatë.
"Nuk është aspak inkurajuese të investohet në një sektor, i cili tregon shenja të vazhdueshme të një mungese stabiliteti. Në këtë rast kemi të bëjmë me sektorin e energjisë, dhe në fund të fundit është vështirë të investohet në një vend, i cili ballafaqohet me kriza të llojeve të ndryshme".
Sipas një studimi të Bankës Botërore, deri në 70 përqind e të interesuarve të huaj nuk kanë investuar në Kosovë, pikërisht për shkak të mungesës së energjisë elektrike, thotë Gazmend Begolli, këshilltar në ministrinë e energjetikës. Ai është i mendimit se imazhi i krijuar mund të ndryshohet në vitin e ardhshëm, nëse ligji zbatohet në mënyrë efikase dhe natyrisht nëse rryma e shpenzuar paguhet dhe kursehet.
"Mendojmë se duhet të veprohet tani mbi këtë qeverinë e re. Atëhere besojmë se kjo kohë duhet të jetë relativisht e shkurtër 2006-2007, mos flas me emrin normal të arritjeve normale".
Shpresë tjetër në këtë drejtim, sipas zotit Begolli, është edhe formimi i ministrisë së rendit dhe asaj të drejtësisë.
"Tani forca e veprimit e përkohshme, kjo forcë në mes të UNMIK-ut dhe pjesëtarëve të qeverisë, e ndihmuar me veprimin e dy ministrive të reja, të drejtësisë dhe rendit, e fut ligjin në përdorim në një anë dhe në anën tjetër institucioni i përgjegjësisë ngrihet në nivelin që duhet.Por nuk ka arsye të mendohet se këto nuk do të veprojnë në një shtet normal, në një vend normal siç jemi ne".
Por eksperti i energjisë Muhamet Sadiku thotë se imazhi i Kosovës në këtë sektor do të përmirësohet vetëm pas zgjidhjes së statusit përfundimtar të Kosovës, atëhere kur Korporata Energjetike do të mbetet vetëm në duart e vendorëve.
"Kjo tregon se për përmirësimin e përformancës ekonomike në Kosovë, duhet të bëhen ndryshime në menaxhment. Mendoj se është koha e fundit që shtylla e katërt të tretet tërësisht. Kam frikë se kjo mund të ndodhë vetëm kur të zgjidhet statusi politik i Kosovës. Mendoj se përmasa e krizës është e tillë, saqë duhet që në kohë dhe në periudhë sa më të shkurtër të bëhen këto ndryshime të nevojshme".

XS
SM
MD
LG