Ndërlidhjet

BASHOTA: HUMBËSI I LUFTËS DUHET TË PAGUAJË EDHE DËMET


Nuri Bashota, anëtar i grupit punues për çështjet ekonomike

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Bashota, tashmë kanë filluar edhe zyrtarisht bisedimet për zgjidhjen e statusit përfundimtar të Kosovës. Ndërkaq, delegacioni kosovar ka krijuar një ekip special të merret me çështjet ekonomike, anëtar i të cilit jeni edhe ju. Çfarë synon ky grup?

NURI BASHOTA
Grupi punues i cili është angazhuar për llogaritjen e dëmeve të luftës që i ka shkaktuar Serbia gjatë okupimit të Kosovës, është duke punuar dhe është nisur nga një platformë e njohur në Evropë. Tani është duke detajizuar shpenzimet në bazë të informatave zyrtare që jemi duke i marrë nga komunat, qeveria, ministritë etj. Kam shpresë dhe jam i bindur se grupi jonë punues do t'i paraqesë këto të dhëna faktike lidhur me dëmet që i ka shkaktuar pushtuesi serb në Kosovë gjatë dhjetë viteve, në mes viteve 1989-1999, me fjalë të tjera gjatë një dekade.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Bashota, nëngrupi i këtij ekipi tani është duke identifikuar dëmet e luftës për të cilat Serbia është fajtore. Cilat janë kërkesat që do t'i parashtroni gjatë negociatave me Serbinë?

NURI BASHOTA
Si çdo kund në botë humbësi i luftës nuk guxon t’ia diktojë fitimtarit kushtet e paqes, por humbësi i luftës duhet t'i paguajë edhe dëmet e luftës. Me këtë përmbledhim këto pika. Së pari dëmet në resurse materiale; ne ekonomistët para tre vitesh kemi bërë një elaborat dhe ua kemi dërguar të gjitha ambasadave të Kombeve të Bashkuara, por vetëm për resurset materiale. Këtu duhet të përfshihen dëmet në resurset njerëzore, pasi janë vrarë, rrëmbyer dhe zhdukur afro 20 mijë njerëz, janë dhunuar 2100 femra. Këta njerëz që janë vrarë, nuk kanë mbirë në bahçe si kungujt, por këta janë krijuar me mjete nga familjet e tyre, me shumë sakrifica. Prandaj çdo vrasje e një njeriu e ka çmimin e vet. Dhe këtu do të nxjerrim edhe shpenzimet që kanë qenë për ngritjen e këtyre njerëzve të vrarë, të rrëmbyer etj. Sipas normave ndërkombëtare ekziston tabela sa kushton rritja dhe shkollimi i një personi i cili është vrarë. Kemi humbje në të ardhura personale të mbi 150 mijë punëtorëve të dëbuar nga puna gjatë viteve 89-99. Të ardhurat e tyre ne kërkojmë t'u kthehen dhe t'u kompensohen njerëzve që i kanë nxjerrë nga puna. Këtu hynë edhe shpenzimet e arsimit, për arsye se Serbia në vitin 1999 i mbylli shkollat fillore, të mesme dhe universitetin. Rëndësi të veçantë ka kërkesa për kompensimin e humbjeve të tregjeve. Kosova i ka humbur të gjitha tregjet, tani duhet të fillojmë prej së pari. Humbjet e të ardhurave kombëtare, Kosova tashmë është në krizë ekonomike. Po kështu ne mendojmë se në këtë duhet të hyjë kompensimi i shkatërrimit të ambientit jetësor, së pari shndërrimi i Kosovës në tokë të djegur, minimi i territorit të Kosovës dhe ende nuk janë duke u shkoqur ato mina. Po kështu në këtë duhet të kërkohet edhe kompensimi i pensioneve për 120 mijë pensionistë që i ka grabitur Serbia. Ne këto i kemi llogaritur dhe kushtojnë afro 2 miliard e 400 milion dollarë. Kur t'i mbledhim të gjitha këto do të dalim se sa janë faktikisht. Dhe do të kërkojmë një ngritje të arbitrazhit ndërkombëtar, i cili do të verifikojë këto të dhëna dhe do t'i parashtrojmë para gjyqit ndërkombëtar për kompensim, njësoj si ka bërë Bosnia Hercegovina edhe Kroacia.

RADIO EVROPA E LIRË
Për veç këtyre, në cilat fusha të tjera mendoni se Serbia i ka borxh Kosovës?

NURI BASHOTA
Serbia i ka borxh Kosovës për ato që thashë, e sidomos te çështja e resurseve njerëzore. Kosova sot është në një krizë ekonomike, pikërisht për shkak të këtyre dëmeve të mëdha dhe kurrsesi nuk po mundet të fillojë fazën e prosperitetit.
Me gjithë ndihmat e jashtme të donatorëve për rindërtimin e Kosovës, çështja e zhvillimit ka mbetur shumë ulët. Kosova sot është shndërruar nga një vend që ishte ekonomikisht i zhvilluar industrial-agrar, në një vend para industrial; do të thotë industria është shkatërruar krejtësisht, bujqësia po ashtu, po sidomos çështja e njerëzve. Vrasja, rrëmbimi i 20 mijë njerëzve ka lënë pasoja shumë të rënda, të cilat nuk mund t'i kompensohen Kosovës as materialisht, sepse shumica prej tyre kanë qenë meshkuj, njerëz të shkolluar të cilët kanë qenë fuqi punëtore e aftë për të mbajtur ekonominë, e tashmë ata nuk ekzistojnë. Këto janë borxhet dhe grupet e tjera që do t'i paraqesim. Mirëpo ne jemi përqendruar vetëm në shpenzimet materiale, për t'i llogaritur për t'i parashtruar si kërkesë, natyrisht edhe nëpërmjet arbitrazhit ndërkombëtar, i cili do të verifikojë realitetin, të vërtetën për krejt dëmet e luftës.

RADIO EVROPA E LIRË
Sa konsideroni se është borxhi i jashtëm i Kosovës i para vitit 1989, kur Serbia hoqi autonominë e Kosovës.

NURI BASHOTA
Pjesa më e madhe e kredive që është dhënë për ekonominë e Kosovës nuk kanë qenë të Serbisë, por kanë qenë nga Fondi Federativ i Republikave jo mjaft të zhvilluara edhe të Kosovës. Këto mjete janë krijuar në nivel të Federatës dhe këto kanë qenë në një mënyrë një kompensim i atyre të ardhurave që Kosova i humbte nëpërmjet tregut unik jugoslav. Dhe Serbia nëse ka kërkesa faktike që ka investuar në ndonjë ndërmarrje, apo në ndonjë objekt, ka të drejtë të ngrejë padinë ajo ndërmarrje që ka investuar në ndërmarrjen tjetër, është gjyqi dhe nuk ka nevojë që të hyjë në këtë problem komisioni i Kosovës në negociata. Prandaj çdo gjë që është krijuar në kushtet e okupimit ne nuk i pranojmë. Sepse në atë kohë ka ardhur deri tek administrimi i dhunshëm i krejt ekonomisë së Kosovës, institucioneve shoqërore, arsimore etj. Nëpërmes drejtorëve të dhunshëm dhe ata e kanë shkatërruar ekonominë. Aty është një përgjegjësi e madhe që ne kërkojmë kompensim e jo t’u përgjigjemi atyre në kërkesat e asaj periudhe.

RADIO EVROPA E LIRË
Dhe për fund zoti Bashota, ekipi në të cilin ju jeni anëtar, do të përpilojë një raport për qëndrueshmërinë e përgjithshme ekonomike të Kosovës. Deri ku është arrit në këtë drejtim?

NURI BASHOTA
Çështja e raportit për zhvillimin ekonomik të Kosovës më tepër i takon ministrive dhe qeverisë. Çështja e zhvillimit të Kosovës ka hasur në tre probleme, kriza ekonomike, kriza sociale dhe kriza morale . Për ne ekonomistët e mirëfilltë, rëndësi të veçantë ka kriza e moralit. Normat morale të mëparshme i shkatërruan, të rejat nuk i krijuan. Është krijuar një hapësirë në të cilën janë gjuajtur kriminaliteti, shundi dhe keqpërdorimet. Ne sot e vëmë në spikamë këtë çështje para qeverisë, që një here e përgjithmonë të ngrejë problemin e ndërprerjes së këtyre maniverzimeve, krimit të organizuar e sidomos të shantazheve në ekonomi.

INTERVISTOI NADIE AHMETI
XS
SM
MD
LG