Ndërlidhjet

PETERSEN KËRKON NGA QEVERIA HAPJEN E TENDERIT TË RI PËR TELEFONINË MOBILE


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Përfaqësues të Grupit të Kontaktit dhe të UNMIK-ut presin që takimi i sotëm në Vjenë të prodhojë rezultate që do të jenë në të mirë të të gjithë qytetarëve të Kosovës dhe që do ta ndihmojnë procesin e përcaktimit të statusit përfundimtar të Kosovës. Kështu tha shefi i UNMIK-ut Jessen Petersen dhe shefi i zyrës ruse në Prishtinë Sergej Bazdnikin, i cili ka kryesuar sot takimin e shefave të zyrave të Grupit të Kontaktit në Prishtinë me kryeministrin e Kosovës Agim Çeku. Ky i fundit tha se kishte marrë mbështetje për detyrën e re dhe i kishte njoftuar për planet afatshkurtra dhe afatgjata gjatë procesit nëpër të cilin po kalon Kosova.
Zoti Bazdnikin tha në emër të Grupit të Kontaktit se ishte optimist lidhur me takimin e sotëm në Vjenë ndërmjet delegacionit të Kosovës dhe atij të Serbisë për decentralizimin:
"Ne me të vërtetë presim se jo vetëm takimi i sotëm në Vjenë por edhe takimet e tjera do të prodhojnë rezultate që do të arrihen përmes procesit të negociatave," tha Bazdnikin, sipas të cilit ato rezultate duhet përfaqësojnë zgjidhje konsesuale lidhur me çështjet që delegacionet i diskutojnë. Bazdnikin në emër të Grupit të Kontaktit tha se është optimist se takimi i sotëm në Vjenë do të prodhojë rezultatet që Grupi i Kontaktit pret t’i shohë. Ai tha se qëndrimi i grupit të Kontaktit është i njëjtë me letrën që i dërguari amerikan në bisedat për statusin i ka dërguar ekipit negociator të Kosovë lidhur me decentralizimin, ku ai ka kërkuar nga pala kosovare fleksibilitet me rastin e diskutimeve për decentralizimin.
Në anën tjetër, shefi i UNMIK-ut Soren Jessen Petersen tha sot më herët se decentralizimi nuk është kompromis, por domosdoshmëri e reformimit të pushtetit. Ai i bëri këto komente pas një takimi me kryeministrin e Kosovës Agim Çeku, në ditën e fillimit të raundit të dytë të bisedave ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Vjenë, lidhur me decentralizimin.
"Për mua decentralizimi nuk është kompromis, por ai nënkupton dy gjëra, para së gjithash sjelljen e pushtetit më afër qytetarëve dhe kjo është në interesin e të gjithë qytetarëve," tha Petersen, sipas të cilit kuptimi i dytë i decentralizimit është se decentralizimi është shumë i rëndësishëm për pakicat, në mënyrë që ta dinë se në Kosovën e ardhshme do të ketë vetëqeverisje kuptimplotë dhe ata do të kenë autorizime në disa fusha, si shëndetësia, arsimi, policia e të tjera. Petersen tha se nuk është thënë që implementimi i decentralizimit duhet ta presë patjetër zgjidhjen e statusit, pasi aktualisht ky proces edhe po vazhdon, qoftë me pilot komunat e themeluara tashmë, qoftë me rregulloren për stacionet e policisë dhe emërimin e personave që do të udhëheqin nënstacionet në komunat e reja.
Kryeministri i Kosovës Agim Çeku tha se me zotin Petersen ishin marrë vesh që qeveria ta përcjellë shumë shpejt në Kuvend vendimin për regjistrimin e popullsisë, që pritet të bëhet në vjeshtë të këtij viti, ndërkohë që më 22 të këtij muaji do të bëhet zgjedhja e të gjithë personelit të Agjencionit për Antikorrupsion. Zoti Petersen i ka sjellë sot kryeministrit Çeku edhe një vendim sipas të cilit qeveria duhet të shpallë tender të ri për operatorin e dytë të telefonisë mobile në Kosovë:
"Zoti Petersen ma solli një letër më të cilën e anulon vendimin e qeverisë dhe duhet të shpallet tender i ri. Unë i respektoj ligjet, prandaj edhe autoritetin final të zotit Petersen".
Kryeministri i Kosovës Agim Çeku tha se sot kishte marrë një ftesë nga shefi i UNMIK-ut Petersen për të marrë pjesë në një konferencë të kryeministrave të vendeve të Evropës Juglindore që do të mbahet së shpejti i Bukuresht.
Kryeministri Çeku sot takoi edhe shefat e zyrave diplomatike të vendeve anëtare të Grupit të Kontaktit.

XS
SM
MD
LG