Ndërlidhjet

logo-print

IVANKO: SITUATA NË KOSOVË ËSHTË PËRMIRËSUAR NË MËNYRË DRASTIKE


Albana Isufi, Prishtinë

Situata e sigurisë në Kosovë, dy vjet pas trazirave të 17 marsit, shihet si shumë e mirë dhe pa indikacione se mund të ketë përshkallëzim të saj. Ky është konstatim i UNMIK-ut dhe i KFOR-it, në përvjetorin e dytë të trazirave, që patën lënë 19 të vrarë dhe qindra të plagosur.
“Situata është përmirësuar në mënyrë drastike. UNMIK-u dhe KFOR-i e përshkruajnë gjendjen e sigurisë si shumë të mirë. Tash kemi një president të ri dhe një qeveri të re që janë shumë energjikë dhe të gatshëm për të punuar për të gjithë popullin e Kosovës”, thotë shefi për informim në administratën ndërkombëtare në Kosovë, Aleksandër Ivanko.
Edhe pse rreth 900 shtëpi të shkatërruara gjatë trazirave të marsit tashmë janë rindërtuar, serbët e zhvendosur nuk kanë ndërmend të kthehen atje nga qenë larguar në mars të 2004-ës. Pavle Miriq, që nga 18 marsi ka braktisur shtëpinë e tij në Obiliq. Tani jeton në një barakë në Graçanicë.
“Të kthehemi nuk ka shans. Asnjë serb nuk dëshiron të kthehet. Jemi këtu sot për nesër”, thotë Miriq.
Zëdhënësi i ministrisë së kulturës, Veli Bytyqi, thotë se shtëpitë e rindërtuara, e të lëna bosh nga qytetarët serbë, kanë filluar sërish të dëmtohen.
“Ato shtëpi edhe nga njerëz të pandërgjegjshëm edhe nga vetë dhëmbi i kohës kanë filluar të rrënohen apo kanë filluar të kthehen në problem, në kuptimin e vetë ruajtjes fizike të objekteve dhe ne u kemi bërë thirrje serbëve që të kthehen në këto objekte, që tashmë janë kryer, sepse ka rrezik që këto objekte të dëmtohen dhe të keqpërdoren nga individë të papërgjegjshëm”.
Ndryshe institucioneve të Kosovës u mbetet që të finalizojnë edhe rindërtimin e 32 objekteve kulturore dhe fetare, që po ashtu qenë dëmtuar gjatë trazirave të marsit.
Zëdhënësi Veli Bytyqi tregon për planet e ministrisë së kulturës në rindërtimin e këtyre objekteve.
“Në prill, në muajin e ardhshëm, pritet që të gjitha këto objekte, kisha ortodokse, të fillojnë së ndërtuari dhe natyrisht për këtë do të shpallen tenderët për fazën e dytë, sepse faza e parë ka mbaruar në vjeshtë dhe natyrisht tenderët kanë karakter ndërkombëtar”.
Megjithatë, buxheti i konsoliduar i Kosovës është i varfër dhe nuk mund të përballojë vetë rindërtimin dhe restaurimin e objekteve fetare. Sërish Veli Bytyqi.
“Aktualisht edhe nga buxheti i Kosovës, edhe nga konferenca e donatorëve që u mbajt vjet në Paris, llogaritet të jenë grumbulluar, edhe pse fizikisht ende nuk janë mbledhur, 10 milionë euro dhe ne sipas një parallogarie konsiderojmë se rindërtimi i të gjitha këtyre objekteve do të kushtojë dikund 30 milionë euro. Nëse kjo shumë kap këtë përmasë, atëherë shtrohet nevoja, që përmes donatorëve të ndryshëm, brenda dhe jashtë vendit, të sigurohet pjesa tjetër e mjeteve”.
Bytyqi vlerëson se finalizimi i punëve në rindërtimin e kishave nuk mund të pritet para 3 vjetësh. Ndërkohë, ministria e kulturës pohon se e ka pëlqimin e kishës ortodokse serbe për të vazhduar punimet në monumentet ortodokse. Vitin e kaluar kisha ortodokse serbe në Kosovë pati ndaluar punët në rindërtimin e kishave serbe. Megjithatë, ministri i kulturës Astrit Haracia, ka nënshkruar një memorandum mirëkuptimi me kreun më të lartë të kishës ortodokse serbe Patrikun Pavle, sipas së cilës lejohet rindërtimi dhe restaurimi i objekteve ortodokse.




XS
SM
MD
LG