Ndërlidhjet

logo-print

HYSA: PA MARRË PARASYSH PRESIONIN, NUK KA KOMPROMIS PËR DECENTRALIZIM MBI BAZA ETNIKE


Ylber Hysa, anëtar i delegacionit të Kosovës në takimin e Vjenës

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Hysa, si do ta vlerësonit takimin e sotëm të Vjenës?

YLBER HYSA
Shumë shumë të rëndë, me një temë shumë delikate dhe sensitive, me qasje problematike dhe nga njëherë jo shumë të përafërt. Por megjithatë do të kisha thënë që pala kosovare i është përgjigjur këtij raundi kryesisht, duke dashur që të tregojë seriozitet dhe të jetë pjesë e procesit. Mund të them që përgjigjet tona kanë qenë fleksibile dhe ato kanë respektuar plotësisht një praktikë më të mirë evropiane, duke ofruar zgjidhje, të cilat në asnjë moment nuk do të shkonin me kompromis përsa i përket funksionimit të institucioneve dhe unitetit territorial të Kosovës. Pala serbe ka insistuar në një varg zgjedhjesh që mbështeten në zgjedhje asimetrike, duke dashur të imponojë, herë një asociacion komunash serbe brenda Kosovës dhe një lidhje të tyre speciale, qoftë në aspektin e financave, qoftë në bashkëpunim, gjë që me argumentime nga pala kosovare është refuzuar dhe me disa zgjidhje inventive, siç ka qenë ajo për një lloj lidhjeje ndërshtetërore midis Prishtinës dhe Beogradit, që të gjitha këto çështje të tejkalohen me prezencën dhe ndihmën e palës së tretë.

RADIO EVROPA E LIRË
Duke u ndalur në çështje të tilla si lidhja horizontale mes komunave, veçanërisht atyre serbe në Kosovë të cilën edhe ju e përmendët, cili ishte qëndrimi i përfaqësuesit ndërkombëtar në takim lidhur me qëndrimin shqiptar dhe me qëndrimin serb?

YLBER HYSA
Përfaqësuesit ndërkombëtarë kanë dalë shumë të kënaqur me mënyrën dhe përfshirjen që është treguar aty, besoj edhe me qasjen shumë profesionale. Ka ekzistuar ndoshta në disa momente një përfillje e përgjithshme e situatës që vjen nga momenti, nga një moment i vështirë për Beogradin dhe në përgjithësi nga një proces, sipas të cilit tashmë Beogradit duket se i është thënë që Kosova do të jetë e pavarur dhe ka ekzistuar ndoshta një sens për nevojën e balancimit, edhe nga frika që pala serbe do të dekurajohet të marrë pjesë në proces. Prandaj për neve këtë herë frika ka qenë e tillë ,që më shumë jemi friguar jo nga pala serbe, por nga pala ndërkombëtare. Megjithatë mendoj se me këmbënguljen tonë, kemi treguar se jemi seriozë në ofrimin e zgjedhjeve dhe në mospranimin e imponimeve.

RADIO EVROPA E LIRË
Cila ka qenë atmosfera që ka sunduar gjatë takimit të sotëm?

YLBER HYSA
Ka qenë kryesisht një angazhim i madh i të dyja palëve në shkëmbim të shumë ideve, argumentimeve dhe të një bisede të vazhdueshme me shumë argumente dhe kundërargumente, dhe me të vërtetë ka qenë jo gjithaq e lehtë, por jashtëzakonisht dinamike.

RADIO EVROPA E LIRË
Kur do të ketë një vendim nga bashkësia ndërkombëtare apo nga të gjitha palët e përfshira në proces, lidhur me mënyrën se si do të duket decentralizimi në Kosovë?

YLBER HYSA
Do të procedojmë sipas agjendës, e cila përfshin edhe një raund takimesh, përpjekjesh për këtë temë që u shtrua sot dhe më vonë duhet pritur edhe një temë tjetër, e cila është gjithashtu shumë e vështirë, që janë komunat e reja dhe më vonë mund të përfshihet edhe një lloj bisede për Mitrovicën. Domethënë përafërsisht kjo është agjenda. Ekziston një tendencë nga të gjitha anët që ta përshpejtojnë këtë proces dhe që në takimet e ardhshme, në një dinamikë ndoshta takimesh çdo dy javëshe, do të afrohemi mundësisht drejt një zgjidhjeje. Për ne ekziston edhe mundësia e një qasjeje fleksibile për të hapur edhe tema të tjera njëkohësisht, që të mos jemi peng vetëm i bisedës për decentralizim.

RADIO EVROPA E LIRË
Nëse do të krahasonim rrezikun përpara takimit të sotëm dhe pas takimit të sotëm, lidhur me mundësinë e një decentralizimi mbi baza etnike në Kosovë, a është më larg apo më afër ky rrezik pas takimit të sotëm?

YLBER HYSA
Sa na përket ne, pa marrë parasysh nivelin e presionit dhe të rrezikut, ai në asnjë mënyrë nuk do të kalojë. I marrë parasysh, edhe në herën e parë, edhe në herën e dytë, ka ekzistuar një unitet maksimal në palën kosovare, qoftë në prezantim, qoftë në mbrojtje të argumentave. Dhe sa na përket ne madje e kemi thënë shumë haptazi, përfshirë dhe mua, që pala kosovare nuk ka mandat për të biseduar për asnjë ndarje dhe tek e fundit dokumentat e Grupit të Kontaktit nuk na obligojnë për një gjë të tillë, dhe pranë këtij qëndrimi do të mbetemi deri në fund.

RADIO EVROPA E LIRË
Sa presion është ushtruar mbi palët sot, e konkretisht mbi delegacionin e Prishtinës, për të pranuar ndonjë qasje që mund të mos jetë shumë e favorshme për Kosovën?

YLBER HYSA
Presionet kanë qenë vetëm të natyrës të shtrirjes së argumenteve nganjëherë të sofistikuara, të holluara, saqë kemi obliguar palën serbe që ta thotë troç që ajo nuk është për ndarje. Problemi ka qenë që ne kemi dashur të sigurojmë që s'ka kompromise, as përsa i përket funksionalitetit të tërësishëm, dhe besoj që argumentimet tona kanë qenë të qarta dhe janë prezantuar edhe në intervistë për shtyp, për ato pika që ne konsiderojmë se do t'i mbrojmë.

RADIO EVROPA E LIRË
Nëse takimin e sotëm do ta krahasoni me një ndeshje futbolli, cili është rezultati?

YLBER HYSA
Besoj se nuk ka rezultat. Ajo që është me rëndësi është që kjo është një ndeshje e kampionatit. Kampionati do të vazhdojë, ajo që mund të thuhet me siguri është që pala kosovare e ka patur një mbrojtje fantastike dhe sulme të befasishme.

Intervistoi Iliriana A. Bajo

XS
SM
MD
LG