Ndërlidhjet

MOORE:"REPRIZA EVENTUALE E MARSIT ' 04 NDAL RRUGËTIMIN E KOSOVËS DREJT PAVARËSISË"


Patrick MOORE, analist i radios Evropa e Lirë

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Moore, e përditshmja "Financial Times" këto ditë ka bërë të ditur se Rusia i ka thënë sekretares amerikane të shtetit Kondoliza Rajs se Moska nuk do t'i dalë në rrugë pavarësisë së Kosovës. Por ka analistë që thonë se Rusia një gjë të tillë nuk do ta bëjë në formë dhurate dhe se rrjedhimisht rruga e Kosovës drejt pavarësisë mund të jetë e vështirë. Cili është komenti i juaj?

PATRICK MOORE
Çfarë mund të bëjnë rusët? Mund të thonë jo dhe mund të përfitojnë edhe qëndrimin e Kinës që të thotë jo dhe të përpiqen ta vështirësojë rrugën pafundësisht. Dyshoj se do e bëjnë këtë. Mendoj se njerëzit të cilët drejtojnë Rusinë tani, janë mjaft inteligjentë për të kuptuar që nuk do mund të ecin në çuarjen përpara të interesave ruse përmes stilit të ish ministrit të jashtëm sovjetik Gromiko, që ka qenë ministër i jashtëm në vitet 60', 70' dhe 80' i njohur ndryshe dhe si zoti NJET apo JO, një person i njohur për abstraktizmin që u bënte gjërave. Rusët kanë shumë interes që të merren seriozisht si një vend normal, sepse ende janë të pranishme efektet e këqija të politikës së tyre ndaj Ukrainës dhe krizës së gazit në fillim të vitit dhe nuk mendoj se do duan sërisht që të shihen si një faktor negativ.

RADIO EVROPA E LIRË
Disa analistë thonëse se Moska ka dëshiruar ujdi më të favorshme me Uashingtonin që do ta linte të hapur mundësinë që modeli i Kosovës të zbatohej në rajone të tjera siç është Abkhazia....?

PATRICK MOORE
Le të kujtojmë që i gjithë Ballkani për Rusinë është një instrument që përdoret për të shanatazhuar për diçka që është më e rëndësishme për të dhe më afër saj. Kjo vlente madje edhe për periudhën e fillim viteve të 90-ta kur Andrej Kozirev ishte ministër i jashtëm. Edhe pse Kozirevi kishte shumë marrëdhënie të mira me Perëndimin, tha që Ballkani është një rajon ku Rusia synon që të ruajë rolin e saj si një fuqi e madhe. Nuk mendoj se kjo vlen më. Rusët janë të interesuar për Lindjen e Mesme dhe jo për Ballkanin, janë të interesuar për rajonin e Kaukazit dhe jo për Ballkanin. Kështu që ajo që do bëjnë është që të përdorin Kosovën, Serbinë dhe çështjet e tjera të Ballkanit si një instrument për gjërat që atë i duan në të vërtetë, që ashtu siç edhe përmendët ka të bëjë me Abkhazinë, me Çeçeninë dhe me vende të tjera që janë afër tyre. Në rastin e Abkhazisë, e cila ligjërisht është pjesë e Gjeorgjisë, ata duan që ta kenë më të integruar apo më të lidhur me Rusinë. Në rastin e Çeçenisë që është e tyre, mund të duken si të gatshëm për bashkëpunim në rastin e Ballkanit, si shpërblim që perëndimorët të mbyllin sytë rreth abuzimit të të drejtave të njeriut në Çeçeni. Pra mendoj që kjo është ajo që po shohim, thjesht një shantazhim dhe asgjë më tepër.

RADIO EVROPA E LIRË
Uashingtoni kërkon që statusi i Kosovës të zgjidhet brenda këtij viti. Cilët faktorë mund të pengojnë jetësimin e këtij synimi?

PATRICK MOORE
Sapo e diskutuam një faktor që mund ta pengojë dhe ishte Rusia. Këtë mund ta bëjë edhe Kina. Megjithëse nuk ka ndonjë arsye të veçantë që Kina të ndjekë një politikë të tillë pasi që ata e dijnë se çfarëdo që të ndodhë në Ballkan nuk do të ketë efekt në Tibet. Mundemi të imagjinojmë gjithsesi se që të dyja këto vende, si Rusia ashtu dhe Kina, mund të përpiqen që të përfitojnë sa më shumë përmes shantazhimeve gjatë negociatave kushtuar Ballkanit për të nxjerrur ndonjë përfitim nga kjo situatë. Sigurisht ka një problem të cilin e kemi ditur se ekziston gjithmonë dhe ai është Serbia. Nuk kemi patur asnjë njoftim për zgjedhjet parlamentare serbe dhe për sa kohë që nuk ka një datë të caktuar se kur do të mbahen këto zgjedhje, në Serbi ekziston fushata elektorale dhe duhet të presim që të gjithë politikanët serbë do të jenë me pozicione të vështira dhe nacionaliste. Ajo që unë mendoj se mund të jetë problem i madh që mund të pengojë arritjen e zgjidhjes së statusit këtë vit është një përsëritje e mundshme e dhunës që patëm në marsin e 2004-ës. Kjo do t'i bënte fuqitë e mëdha të mendonin se ka diçka shumë të gabuar në mes të kosovarëve dhe do t'u jepte disa argumente Tadiçit, Koshtunicës dhe miqve të tyre. Prandaj mendoj që nëse kosovarët duan të bëjnë diçka, në mënyrë që të sigurojnë që pavarësia të arrihet brenda këtij viti, ajo do të ishte të sigurojnë dhe bindin popullatën që nuk do ketë një përsëritje të dhunës dhe që njerëzit t'i kenë sytë e hapura dhe të jenë shumë të vemendshëm se çfarë mund të jenë duke bërë shërbimet sekrete si UDB-ja, për të prodhuar incidente të mundshme që do t'i bënin kosovarët të dukeshin keq.

Intervistoi: Melazim KOCI
XS
SM
MD
LG