Ndërlidhjet

RAMUSH HARADINAJ RIKTHEHET NË JETËN POLITIKE


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Proceset drejt përcaktimit të statusit të Kosovës janë shpresëdhënëse, tha sot në Prishtinë kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, në prononcimin e tij të parë publik pas më se një viti, duke premtuar mbështetjen e tij të plotë për ekipin negociues të Kosovës, edhe pse nuk do të jetë anëtar i atij ekipi. Zoti Haradinaj i ka bërë këto komente pas një takimi që ka pasur me shefin e Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, pasi autoritet e Tribunalit të Hagës i kanë hequr ndalesën e paraqitjeve publike. Ish kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, tha se me zotin Jessen Petersen kishte biseduar për proceset në Kosovë dhe mbështetjen që UNMIK-u po u jep institucioneve vendore, sidomos në punë të bartjes së përgjegjësive nga UNMIK-u te qeveria e Kosovës, e cila udhëhiqet nga partia e zotit Haradinaj:
"Biseduam për zhvillimet në institucione pas vdekjes së presidentit Rugova. Këto zhvillime dhe dinamika që tash është aktuale është shpresëdhënëse".
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj tha se pavarësisht lejimit për t’u marrë me aktivitete politike dhe publike, nuk do të jetë pjesë e ekipit negociues të Kosovës në bisedimet për statusin përfundimtar të Kosovës, por do të jetë i përfshirë në këtë çështje:
"Personalisht nuk do të marr një përgjegjësi në ekipin e unitetit siç e njohim dhe në grupet punuese, por jam i gatshëm që t’u jap mbështetje në vazhdimësi, duke e ditur se është edhe obligim i imi, edhe si kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, por edhe si një nga kolegët që veprojnë në Kosovë."
Zoti Haradinaj tha se trendet e përgjithshme në Kosovë janë shpresëdhënëse, qoftë për statusin e Kosovës, qoftë për përmirësimin e jetës së qytetarëve:
"Mendoj se është vërejtur në fillim të këtij viti se trendet do të ndryshojnë dhe ato kanë ndryshuar. Këto ndryshime kanë sjellë një dinamikë që është shumë më në dobi për atë që po ndodh në Kosovë dhe bindja ime është se jemi në terren të mirë dhe është duke u bërë punë e mirë për statusin e Kosovës, por edhe për jetën, për qytetarët në Kosovë aktualisht," tha zoti Haradinaj, i cili në mars të vitit të kaluar pati dhënë dorëheqje nga posti i kryeministrit të Kosovës dhe pati udhëtuar vullnetarisht në Hagë për t’iu përgjigjur dyshimeve të Tribunalit. Pas paraqitjes së parë para Tribunalit ai është lëshuar të mbrohet në liri dhe të udhëheqë partinë e tij, që është partnere e koalicionit qeverisës, ndërsa ditë më parë atij i është lejuar të merret edhe me aktivitete politike dhe publike.

XS
SM
MD
LG