Ndërlidhjet

PAPUNËSIA, PROBLEM KRYESOR PËR KTHIMIN E QËNDRUESHËM


Bekim Bislimi, Gjakovë

Liria e lëvizjes nuk është problemi që i preokupon pjesëtarët e pakicave që jetojnë në komunën e Gjakovës, por kushtet e vështira të jetesës, që janë pasojë e nivelit të lartë të papunësisë në këtë komunë, thotë Zija Rugova, nënkryetar i Kuvendit komunal të Gjakovës, me përkatësi etnike egjiptase. Sipas tij pas luftës në këtë komunë janë kthyer të jetojnë 62 familje me 282 banorë të përkatësisë rome dhe egjiptase, të cilat ishin zhvendosur nga shtëpitë e tyre dhe kishin kërkuar strehim në Malin e Zi.
"Është kthim i qëndrueshëm, domethënë ata nuk kanë lëvizur. Janë kthyer dhe kanë mbetur në Kosovë. Kështu që jemi ne të kënaqur dhe mund ta them me plot gojë dhe ta konfirmoj që kemi patur liri të lëvizjes. Ka siguri. Gjendja e bashkëjetesës është në nivel më të lartë. Është punuar mjaft në integrimin e popullatës minoritare në Gjakovë."
Arif Cermiani, përfaqësues i romëve në Gjakovë, të cilët jetojnë kryesisht në lagjen përgjatë rrugës Musa Zajmi, thotë se e vetmja gjë që brengos pjesëtarët e minoritetit rom është papunësia.
"Sa i përket lirisë, lëvizja është në nivel. Edhe siguri ka. Bashkëjetesa tek ne në Gjakovë është e mirë dhe problem është vetëm papunësia. Sot nuk punojnë. Unë kam 7 anëtarë të familjes, kushtet janë katastrofike, s'di çfarë të them. Sigurisht që kemi lypur punë, jo vetëm unë por edhe i gjithë komuniteti rom ka lypur punë. Të punësuar momentalë të komunitetit janë vetëm 2; një grua është pastruese në Çabrat, dhe një burrë punon në Çabrat. Kështu që shpreh dëshirën që populli im të integrohet, pra një numër i vogël del që të punësohet."
Ngjashëm thotë edhe Mazllum Bohalla, 72 vjeçar me përkatësi etnike egjiptase.
"Jetojmë kështu të papunë, papunësi është, s'kanë se ku të punojnë të rinjtë. Unë me 74 euro në muaj nuk kam se çfarë të bëj. Ju vetë e shihni që jam me barna, tani i bleva. Nga anët e tjera jemi rehat, vetëm papunësia është e madhe."
Liria e lëvizjes dhe siguria ekzistojnë njëjtë për të gjithë qytetarët e Gjakovës, thotë Besnik Ndeza, 28 vjeçar me përkatësi etnike egjiptase. Por ajo që e bën, siç thotë ai, të padurueshme jetesën është papunësia.
"Kjo është vetëm puna e të shkuarës se nuk kanë gjindje, pasi asgjë nuk ka të keqe, vetëm se nuk ka punë."
Ndërkaq nënkryetari Zija Gjakova, thekson se institucionet qeveritare kanë bërë përpjekje për integrimin e pakicave në jetën shoqërore dhe institucionale.
"Për momentin ne kemi qasje në organet komunale për punësim. Sipas Kuvendit të komunës duhet të jenë diku 92 të papunë të marrë krejt. Ne kemi punësuar diku 22 persona, domethënë ende ka vend që të punësohen aty. Premtimet janë që gjatë vitit 2006 do të përmbushet ky punësim dhe shkaku është që popullata minoritare nuk i plotëson kriteret për plotësimin e vendeve të punës. Lypet fakulteti, ne nuk kemi me fakultet, kualifikim përkatës. Aty është ngecja e parë."
Sidoqoftë, thotë nënkryetari i Kuvendit komunal të Gjakovës Zija Rugova, në Mal të Zi ende janë duke qëndruar një numër i madh i familjeve rome dhe egjiptase, të zhvendosura nga komuna e Gjakovës, të cilat presin të kthehen në vendlindje.
"Kanë mbetur edhe një pjesë të cilët vitin e kaluar e kanë shfaqur dëshirën që të kthehen në vendine origjinës. Sipas disa shënimeve jo të sakta janë diku edhe 45 familje që kanë shfaqur dëshirën të kthehen, por për shkaqe të banimit dhe punësimit nuk kanë mundur të kthehen. Nëse ne arrijmë që gjatë 2006-ës t'ua sigurojmë banimin dhe t'u sigurojmë atyre kushtet që ka për të patur punësim, atëhere besoj se do të kthehen edhe ata".
XS
SM
MD
LG