Ndërlidhjet

MINSK


Udhëheqësi i opozitës belloruse, Aleksandër Milinkeviç, u ka bërë thirrje mbështetësve të tij për të demonstruar tërë natën në kryeqytet. Korrespondentët e Radios "Evropa e Lirë" bëjnë të ditur se në sheshin kryesor janë mbledhur më shumë se 15 mijë njerëz, të cilët po kërkojnë përsëritjen e zgjedhjeve. Demonstruesit e akuzojnë presidentin e shpallur fitues Aleksandër Lukashenka, për falsifikim të rezultatit zgjedhor. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka thënë se Lukashenka ka fituar gati 83 përqind të votave.
Zyrtarët e Bashkimit Evropian dhe ata të Rusisë kanë dalë me vlerësime të kundërta. Derisa ministria e Jashtme ruse i ka vlerësuar zgjedhjet si korrekte dhe ka kërkuar të respektohet rezultati, Komisioni Evropian ka paralajmëruar mundësinë e vënies së sanksioneve ndaj Bellorusisë. Këtë e kumtoi sot në Bruksel, zëdhënësja e Komisionit, Emma Udvin. "Tani ka shumë gjasa që do të ndërmerren disa veprime, pas qëndrimit të përsëritur të Këshillit të BE-së për masa kufizuese, nëse zgjedhjet nuk do të jenë të lira dhe të drejta", tha Udvin.
Në reagimin e ministres së Jashtmë të Austrisë, Ursula Plassnik, vendi i së cilës aktualisht e kryeson presidencën e radhës të BE-së, tha se zgjedhjet janë mbajtur "nën atmosferë kërcënimi".
Përmes një deklarate, edhe OSBE-ja, vlerësoi se nuk janë përmbushur standardet për zgjedhje të drejta dhe të lira. Në Minsk, kandidati i opozitës, Aleksandër Milinkeviç, tha se këto nuk ishin zgjedhje, por "marrje e pushtetit në mënyrë antikushtetuese". "Kërkojmë përsëritje të zgjedhjeve në të cilat do të respektohet legjislacioni i vendit. Kërkojmë që përfaqësuesit e kandidatëve të përfshihen në komisione, gjë që nuk u bë kësaj radhe", tha Milinkeviç.
Mirëpo Lukashenka, tha se përpjekjet e kundërshtarëve për të nxitur revolucion, dështuan. "Populli ynë bëri zgjedhjen e vet në mënyrë të pavarur dhe me bindje, duke treguar se kush janë bellorusët, dhe kush është i zoti i shtëpisë. Kjo është fitore e dinjitetit dhe respektit të popullit ndaj vetevetes", tha Lukashenka.
XS
SM
MD
LG