Ndërlidhjet

MINSK


Mbështetësit e opozitës belloruse po vazhdojnë të protestojnë në sheshin kryesor në Minsk, kundër rezultatit të zgjedhjeve të së dielës. Disa qindra protestues kanë qëndruar mbrëmë gjatë tërë natës në shesh. Kandidati kryesor i opozitës, Aleksandër Milinkeviç, tha se autoritetet i kanë arrestuar disa zyrtarë të lartë të opozitës. Ai u bëri thirrje mbështetësve që të bëhen gati për betejë të gjatë kundër, siç u shpreh ai, zgjedhjeve jolegjitime. "Ne duhet të qëndrojmë në këtë shesh. Ky shesh është i yni. Kjo është tokë e Bellorusisë. Ne kemi filluar luftën për të vërtetën dhe lirinë", tha Milinkeviç.
Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian i kanë kontestuar zgjedhjet, dhe e kanë mbështetur kërkesën e opozitës për përsëritjen e tyre. Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Sean McCormack, tha se Uashingtoni po përgatitet të marrë masa kundër përgjegjësve. "E mbështesim kërkesën për zgjedhje të reja. Do të jemi në anën e popullit bellorus dhe i mbështesim ambiciet e tyre për të zënë vend në mesin e demokracive të botës", tha McCoremack.
XS
SM
MD
LG