Ndërlidhjet

PROPOZOHET GRUP PUNUES PËR ÇËSHTJEN E MITROVICËS


Albana Isufi, Prishtinë

Krijimi i një nëngrupi të veçantë që do të merret me decentralizimin në pjesën veriore të Mitrovicës është propozim i grupit politik strategjik, që pritet ta marrë miratimin nga ekipi i unitetit.
Grupi politik strategjik ka konstatuar se Mitrovica është një çështje e veçantë, që edhe kërkon trajtim të veçantë. Njëri nga anëtarët e grupit politik strategjik Jakup Krasniqi, thotë se me këtë plan, synohet integrimi i qytetit në institucionet e Kosovës.
“Problemi i qytetit të Mitrovicës dhe i gjithë Kosovës veriore nuk mund të trajtohet si pjesët e tjera të Kosovës. Do një trajtim të veçantë dhe do një përqëndrim të faktorit politik kosovar, natyrisht edhe atij ndërkombëtar, për të integruar Mitrovicën e veriut dhe gjithë Kosovën veriore në institucionet e Kosovës”.
Si kryesues i këtij nëngrupi është propozuar ish kryeministri i Kosovës Bajram Rexhepi, i cili edhe ka drejtuar për një kohë qytetin e ndarë.
Vetë Rexhepi thotë se do të presë vendimin e ekipit të unitetit, për të parë se çfarë detyre do t’i caktohet.
“Është pak ende e paqartë, nëse do të formohet nëngrup apo do jemi unë dhe dikush tjetër si mbështetës të grupit politik strategjik, ku do të paraqesim ide apo faktografi lidhur me Mitrovicën, në mënyrë që të tentojmë të gjejmë një zgjidhje të pranueshme për këtë qytet”.
Jakup Krasniqi, ndërkaq, thotë se kryesuesi i nëngrupit mund të formojë një ekip me ekspertë vendorë dhe ndërkombëtarë, që kanë administruar këtë pjesë të Kosovës dhe që e njohin mirë problemin.
“Tani do t’i mbetet grupit të ekspertëve që do të caktohet, që të punojë për këtë çështje, të njihet me të gjitha rrethanat në atë pjesë të Kosovës dhe të dalë me një propozim para grupit politik, në mënyrë që grupi politik me ndihmën e ekspertëve të formësojë një dokument, të cilin më pas do t'ia ofrojë grupit negociator për miratim ose ndryshim”.
Ndërkohë, zgjidhja e çështjes së Mitrovicës sipas ish kryeministrit të parë të Kosovës Bajram Rexhepi, do të jetë e vështirë.
“Mund të them se krahas përcaktimit të çështjes së statusit të Kosovës, edhe kjo është çështje që do angazhim të faktorit ndërkombëtar dhe atij vendor, si dhe një gatishmëri nga të dy palët, shumicës shqiptare dhe komunitetit serb, që të gjejnë një zgjidhje të përshtatshëm dhe të përgjithshëm, ku të gjithë qytetarët e Mitrovicës do të kishin një perpektivë më të mirë, sepse edhe vetë izolimi në pjesën veriore, bën që ata të jenë ekonomikisht shumë keq, pa perspektivë për punësim dhe pa perspektivë për qytetin e Mitrovicës.”
Edhe analisti kosovar Ilir Dugolli, konsideron se zgjidhja e çështjes së Mitrovicës kërkon një trajtim të veçantë dhe se decentralizmi nuk mund të zbatohet atje sikurse në pjesët e tjera të Kosovës.
“Ajo çfarë është aplikuar deri më 2004 nuk ka dhënë rezultate. Mandej, me trazirat e marsit, në një farë mënyre bashkësia ndërkombëtare ka konsideruar se i ka shpërlarë duart nga ai problem dhe në njëfarë mënyre e ka braktisur po ashtu edhe retorikën e përpjekjeve për ta riintegruar atë pjesë të Kosovës”.
Dugolli thotë se problemi i Mitrovicës më nuk mund të presë.
“Tani, kjo ka mbetur si patate e nxehtë, të cilën më nuk mund t’ia lëmë stihisë dhe ta injorojmë."
Grupi Ndërkombëtar i Krizave kohë më parë pati deklaruar se Mitrovica do të jetë problemi, që do të sfidojë edhe statusin përfundimtar të Kosovës. Ish kryeministri Bajram Rexhepi mendon se ky konstatim qëndron edhe sot.
“Pala serbe gjithmonë ka menduar që nëpërmjet letrës së Mitrovicës ose të shantazhojë, ose të sfidojë ose të kushtëzojë përcaktimin e statusit përfundimtar të Kosovës”.
Bashkimi i Mitrovicës dhe integrimi i pjesës veriore në institucionet e Kosovës ka qenë dhe është sfida më e madhe e bashkësisë ndërkombëtare, por edhe e institucioneve të Kosovës. Pjesa veriore vazhdon të administrohet nga strukturat paralele serbe dhe as adminstrata ndërkombëtare dhe as institucionet e Kosovës, nuk kanë arritur që ta shtrijnë pushtetin e tyre atje.


XS
SM
MD
LG