Ndërlidhjet

PETERSEN: STATUSI I KOSOVËS DO T'I MARRË PARASYSH EDHE SHQETËSIMET E SERBËVE


Rrahman Paçarizi, Graçanicë

Shefi i UNMIK-ut Soren Jessen Petersen nuk është pritur mirë nga liderë të Këshillit Nacional Serb në Graçanicë, ndërkohë që edhe klerikë të lartë të Kishës Ortodokse kanë shprehur shqetësimin e tyre që pavarësia e Kosovës si opsion i vetëm po mbizotëron në deklaratat e zyrtarëve ndërkombëtarë. Shefi i UNMIk-ut Jessen Petersen pas një takimi në Graçanicë me klerikun ortodoks serb, peshkopin Artemije, tha se kjo është koha kur nëse të gjithë punojmë së bashku, do të mund të bëjmë shumë për njerëzit në Kosovë.
"Zgjidhja e statusit do të përqendrohet gjithashtu edhe në shqetësimet e pakicave dhe liderët shqiptarë të Kosovë e kuptojnë rëndësinë e kësaj," tha zoti Jessen Petersen, duke iu përgjigjur shqetësimeve të peshkopit Artemije lidhur me rezultatin e bisedave për statusin e Kosovës.. Peshkopi Artemije tha se statusi duhet të dalë nga negociatat:
"Po bëhen përpjekje që qysh përpara të imponohet ose të paragjykohet çështja e statusit të ardhshëm të Kosovës, pasi kohët e fundit shumë po deklarojnë se pavarësia është zgjidhja e vetme, gjë që nuk është e mirë, pasi statusi duhet të dalë si rezultat i bisedimeve," tha peshkopi Artemije, sipas të cilit në Kosovë nuk ka siguri dhe liri të lëvizjes për serbët, ndërkohë që as procesi i kthimit, sipas tij nuk është duke shkuar si duhet. Zoti Petersen është kundërshtuar nga përfaqësuesja e Këshillit Nacional Serb lidhur me vlerësimet e tij se mungesa e sigurisë më shumë është perceptim i serbëve, sesa gjendje reale:
"Çështja ku nuk jemi pajtuar është se sipas zotit Petersen serbët dhe Beogradi kanë perceptim të sigurisë jo të mirë, gjë që nuk është e vërtetë," tha zonja Trajkoviq, duke kritikuar në këtë kuptim edhe zgjedhjen e Agim Çekut kryeministër të Kosovës, pasi sipas saj, ndaj zotit Çeku ekzistojnë dyshime nga Serbia për krime të luftës. Zoti Petersen, menjëherë i është përgjigjur zonjës Trajkoviq:
"Ekziston një e ashtuquajtur aktakuzë kundër kryeministrit të sapozgjedhur. Ajo aktakuzë është e pavlefshme, e bërë nga një gjyq paralel që nuk ka juridiksion në Kosovë dhe si e tillë është në kundërshtim me rezolutën 1244," tha zoti Petersen, duke u ndërprerë nga zonja Trajkoviq.
Shefi i UNMIK-ut Jessen Petersen ka takuar sot edhe një nga përfaqësuesit e Listës Serbe Rangjel Nojkiq dhe përfaqësues të tjerë të partive politike të serbëve në Kosovë.




XS
SM
MD
LG