Ndërlidhjet

logo-print

ZËVENDËSKRYEMINISTRI HAZIRI NË MAQEDONI DISKUTON MODELET E DECENTRALIZIMIT


Isuf Kadriu, Shkup

Shkëmbimi i përvojave në sferën e pushtetit lokal ishte tema kryesore e takimit të sotëm në Shkup, mes ministrit të pushtetit lokal të Maqedonisë, Rizvan Sulejmani dhe zëvendëskryeministrit dhe ministrit të pushtetit lokal të Kosovës, Lutfi Haziri.
"Modeli i zbatimit të decentralizimit në Maqedoni ka treguar suksese të mëdha, për të cilat ne në pika të caktuara jemi të interesuar t'i referohemi, për t'i ikur çdo forme të modeleve të tjera që bllokojnë jetën e qytetarëve, bllokojnë integrimin e komuniteteve etnike dhe shkaktojnë jofunksionalitet," tha Lufti Haziri. Ndërsa ministri i pushtetit lokal të Maqedonisë Rizvan Sulejmani, duke folur për shkëmbimin e përvojave në sferën e decentralizimit, tha se dëshiron që Kosova të mësojë të gjitha anët e mira, por edhe ato të këqija që i kishte procesi në Maqedoni, me qëllim që të njëjtat mos përsëriten në Kosovë.
"Ne do të mundohemi që t'i bartim eksperiencat tona, jo vetëm të mira, por edhe gabimet gjithsesi, sepse mënyra më e mirë për të mësuar është nëpërmjet gabimeve, që do të thotë se këto edhe nuk duhet t'i përsëritin. Komunikimi megjithatë nuk do të jetë i njëanshëm, por i dyanshëm, që do të thotë se ne gjithashtu do të mësojmë nga eksperienca dhe përvojat e komunave në procesin e decentralizimit të Kosovës, ngase ndërtojmë një model specifik që tani për tani jep rezultate në një nga qëllimet për të cilat është bërë."
Haziri dhe Sulejmani, në kuadër të takimit të sotëm kanë nënshkruar një protokoll të përkohshëm bashkëpunimi në sferën e pushtetit lokal për shkëmbimin e informatave dhe të kuadrit, shqyrtimin e mundësive për themelimin e qëndrave të përbashkëta për promovimin e demokracisë lokale, ndërkohë që është hedhur edhe ideja për binjakëzimin e qyteteve të Maqedonisë dhe Kosovës.
"Rregullimi i marrëdhënieve bilaterale tregon qartë që në përfundimi të statusit të Kosovës ne jemi të gatshëm që ky bashkëpunim vetëm t'i shërbejë bashkëpunimit ndërmjet nesh dhe t'i gëzojnë të gjitha këto forma të punës dhe bashkëpunimit qytetarët tonë", tha zëvendëskryeministri Haziri.
Ndërsa ministri i pushtetit lokal të Maqedonisë, Rizvan Sulejmani, u shpreh:
"Protokolli që sot e nënshkruam i jep mundësi bashkëpunimit edhe ndërkufitar, edhe ndërmjet komunave, bashkëpunimit edhe në nivel politik dhe në nivel të ekspertëve. Kështu që hapet një fushë shumë serioze për bashkëpunim në të gjitha nivelet dhe ndrrim eksperiencash".
Në takimin e sotëm, sipas zëvendëskryeministrit dhe ministrit të pushtetit lokal të Kosovës Lutfi Haziri, ka marrë mbështetjen edhe një projekt i rëndësishëm që ka të bëjë me lidhjen infrastrukturore të qyteteve Gjilan dhe Kumanovë. Zoti Haziri, gjatë qëndrimit në Maqedoni, ka marrë pjesë dhe në tribunën kushtuar zhvillimeve në Kosovë, të organizuar nga Qendra për hulumtime strategjike Forum, e cila organizon debate me personalitete të jetës politike dhe jopolitike në Kosovë.

XS
SM
MD
LG