Ndërlidhjet

logo-print

PETKOVIQ NGRIN PËRKOHËSISHT FUNKSIONIN E TIJ


Zijadin Gashi, Prishtinë

Ministri për Kthim dhe Komunitete, Sllavisha Petkoviq ka vendosur sot që të ngrijë përkohësisht funksionin e tij, deri në plotësimin e kërkesave që i ka parashtruar kryeministrit Agim Çeku. Një prej kërkesave kryesore të ministrit Petkoviq është largimi i të sapoemëruarit për zëvendësministër të punëve të brendshme, Dejan Jankoviq dhe emërimi i një kandidati të Partisë Demokratike, të cilën e drejton pikërisht Petkoviqi. Ai tha se zëvendësministri i emëruar nga kryeministri Çeku, nuk i plotëson kriteret e duhura për këtë post dhe nuk është anëtar i partisë së tij. Petkoviq tha se mendon që të shqyrtojë pozitën e tij qeveri, por nuk do të japë dorëheqje:
“Marrëveshja nuk është respektuar dhe tash vihet në pyetje pozita ime në qeveri, por jo në kuptimin e ofrimit të dorëheqjes, sepse këtë as që e kam ndër mend ta bëj”, tha Petkoviq. Ai tha po ashtu se ka edhe arsye tjera që e shtyjnë atë të ngrijë funksionin e ministrit, duke aluduar në marrjen e vendeve të tjera të rezervuara për serbët, si në parlament ashtu edhe në qeverinë e Kosovës, ngase partia tjetër, Lista serbe po e vazhdon bojkotimin e institucioneve, kurse vendet e rezervuara vazhdojnë të mbeten boshe.
“Pasi që Lista serbe nuk merr pjesë në institucionet e Kosovës dhe është pritur për një vit e gjysmë që të vendosë, kishim marrëveshje që në mungesë të saj pozita e ministrit të bujqësisë dhe pozitat e zëvendës ministrave të policisë dhe pushtetit lokal t’i takojnë Partisë Demokratike dhe kështu të kompletohet qeveria”, tha Petkoviq. Ai tha se është në pritje të një takimi me kryeministrin Çeku që t’i sqarojë këto çështje.
Petkoviq e vlerësoi si të pa peshë politike një prej deklaratave të fundit të kryesuesit të Listës serbe, Oliver Ivanoviq, ku ai thotë se nëse Lista serbe do të kthehej në qeveri, atëherë më aty nuk do të ketë vend për partinë e Petkoviqit. Qeveria nuk është një lokal apo kafene që të hysh e të dalësh kur të duash, tha Petkoviq, duke insistuar që në mungesë të subjektit tjetër serb, partia e tij t’i marrë postet e rezervuara për këtë komunitet në kuadër të institucioneve vendore.



XS
SM
MD
LG