Ndërlidhjet

logo-print

PETKOVIQ VAZHDON TA MBAJË TË NGRIRË POZICIONIN E TIJ MINISTROR


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Pozicioni i Slavisha Petkoviqit në postin e ministrit për Kthim dhe Komunitete në qeverinë e Kosovës, vazhdon të mbetet i ngrirë, ashtu siç vetë Petkoviq e ka shpallur ditë më parë, duke mos u pajtuar me kryeministrin Agim Çeku, lidhur me emërimin e Dejan Jankoviqit në postin e zëvendësministrit të rendit dhe me faktin që Listës serbe vazhdojnë t’i ruhen posti i ministrit të Bujqësisë dhe disa poste zëvendësministrash, që Petkoviq i kërkon për partinë e tij. Zoti Petkoviq tha se ende ishte në pritje të një takimi me kryeministrin Çeku:
"Ende nuk ka asgjë të re, pasi ende nuk kam biseduar me kryeministrin," tha Petkoviq.
Ndërsa zyrtarë të qeverisë së Kosovës kanë thënë se kryeministri Agim Çeku nuk ka pasur ndonjë marrëveshje për ndarje të re të posteve ministrore, siç pohon zoti Petkoviq, analistët vlerësojnë se veprimi i ministrit Petkoviq është presion politik, për të kompensuar mungesën e legjitimitetit te bashkësia serbe. Enver Hasani, ekspert juridik dhe analist politik, thotë se nuk është i sigurt për legjitimitetin e zotit Petkoviq:
"Ligjërisht serbët e kanë të drejtën e dy vendeve, të cilat ata i plotësojnë vetë, por unë nuk do të isha shumë i sigurt se zoti Petkoviq përfaqëson bashkësinë etnike serbë të Kosovës, " tha zoti Hasani, duke sugjeruar që Petkoviq do të ishte më mirë t’i përmbahej ligjit sesa kalkulimeve politike dhe mjeteve të presionit politik.
Në të vërtetë, Slavisha Petkoviq qe zgjedhur ministër për Kthim dhe Komunitete në qeverinë e ish-kryeministrit Ramush Haradinaj, e ka vazhduar ta mbajë këtë post edhe në qeverinë Kosumi dhe në qeverinë aktuale të zotit Agim Çeku. Petkoviq tha se e ngrinte funksionin, duke kërkuar postet që i takojnë Listës serbe, subjekt ky që tash e dy vjet bojkoton institucionet e Kosovës. Mirëpo, Petkoviq ka thënë se nuk e ka ndërmend të japë dorëheqje, pavarësisht qasjes së kryeministrit ndaj kërkesave të tij. Këtë qëndrim zoti Enver Hasani e shpjegon kështu:
"Gjykimi im është se ai nuk e bën këtë për atë qëllim, por më shumë e bën si mjet presioni, duke shpresuar që gëzon legjitimitetin e bashkësisë serbe për të folur në emrin e saj".
Ndërkaq, duke komentuar kërkesat e veçanta të ministrit Petkoviq, zoti Hasani thotë:
"Argumentet janë ad-hominem, pra argumente personale sa i përket zëvendësministrit të brendshëm dhe ato argumente nuk janë legale, e aq më pak politike dhe për pasojë ai dëshiron të tregojë se nëse nuk përmbushen kërkesat e tij, ai nuk do të tërhiqet por do të provojë të gjenerojë legjitimitet, për ta plotësuar mungesën e legjitimitetit për vete. "
Sidoqoftë, zyrtarët e qeverisë thanë se deri më tash nuk është caktuar ndonjë takim i kryeministrit Agim Çeku me ministrin e vetëngrirë Slavisha Petkoviq, ndërkohë që ky i fundit thotë se veprimet e tij të mëtejshme varen pikërisht nga ky takim.

XS
SM
MD
LG