Ndërlidhjet

NË DURRËS FILLOI TAKIMI I KËSHILLIT KONSULTATIV PËR KOMUNITETE TË KOSOVËS


Alma Çupi, Tiranë

Në Durrës u mblodhën sot përfaqësues politikë të grupeve etnike në Kosovë, duke përfshirë edhe përfaqësues politikë të pesë partive politike serbe. Kryetari i lëvizjes Ora Veton Surroi, kryesonte këtë këshill konsultativ, ku merrte pjesë edhe zëvendëskryeministri i Kosovës, Lutfi Haziri.
Takimin në Durrës të përfaqësuesve të grupeve etnike në Kosovë, zëvendëskryeministri Haziri e komenton:
"Takimi i Durrësit jep mesazhin se grupet etnike dhe përfaqësuesit e tyre politikë kanë qasje, janë autoritete politike që do të ndërtojnë strategjinë e tyre. Dhe ne do t'i dëgjojmë me kujdes për të paraqitur këtë qëndrim si pjesë të procesit të politikave të Kosovës, në mënyrë që në gjendjen e pas statusit, në një Kosovë të pavarur, të gjitha grupet etnike që jetojnë në Kosovë të trajtohen në mënyrë të barabartë dhe të marrin mbi vete përgjegjësitë që u takojnë në kuptimin e vendimmarrjes në nivel lokal, mekanizmat mbrojtës për t'i garantuar dhe siguruar ata. Zhvillimi i sotshëm tregon qartë që kjo qasje ekziston, kjo qasje është e sigurtë dhe garantuese edhe për të ardhmen.
Pyetjes se si e gjykon pjesëmarrjen e palës serbe në takimin në Durrës, zëvendëskryeministri Haziri iu përgjigj se pjesëmarrja e tyre është e rëndësishme. Bisedimet ditën e parë të takimit po zhvillohen rreth mbështetjes lokale dhe mënyrës së përfaqësimit të interesave të minoriteteve.
"Është shumë e rëndësishme pjesëmarrja e tyre në këtë angazhim, këtë aktivitet që po e bëjmë. Ju e dini që ka qenë një amulli që ka shkaktuar hezitim tek serbët e Kosovës. Tanimë Lista për Kosovën me pjesëmarrje aktive dhe në anën tjetër Partia Demokratike serbe merr pjesë në institucione, tregojnë qartë që po punohet aktivisht. Përfshihen të gjithë faktorët e besueshëm të përfaqësimit të interesave të komuniteteve, që për ne është e rëndësishme, sepse i jep kredibilitet më të madh edhe përfaqësimit të nesërm social dhe marrjes së përgjegjësive që na takojnë në këtë kontekst, drejt afirmimit të të drejtave të minoriteteve dhe drejt gjetjes së mekanizmave më të mirë për t'i mbrojtur ato interesa."
Sabit Rrahmani, kryetari i Partisë Demokratike të ashkalive të Kosovës, thotë se komuniteti i ashkalive që ai përfaqëson është për një Kosovë të pavarur, ku respektohen të drejtat e minoriteteve.
"Ne jemi në grupin e tretë, në grupin konsultativ, ku me qëndrimet tona, unë mendoj se edhe pas procesit të statusit do të japim përkushtimin tonë për ndërtimin e një Kosove mbi baza demokratike, ku do të respektohen të drejtat e komuniteteve në përgjithësi. Të gjitha komunitetet joserbe, me kohë kanë dhënë provimin para komunitetit shqiptar. Ne jemi për një Kosovë të pavarur, demokratike, ku do të respektohen të drejtat e të gjithëve. Në këshillin konsultativ ne mendojmë se me të gjitha ato kërkesa që i kemi vënë në pyetësorin e Ahtisarit, të cilat janë marrë parasysh edhe nga grupi negociator, edhe nga grupi politik strategjik, çdo kërkesë e komuniteteve të vihet në vend të vet dhe ne do të jemi të kënaqur me punën tonë që bëjmë".
Këshilli konsultativ për komunitetet do të vazhdojë punimet edhe dy ditët e ardhshme dhe pritet që në fund të dilet me një dokument konkret, që do të përmbajë të gjitha kërkesat dhe angazhimet e komuniteteve, pas shpalljes së statusit të Kosovës.
Përfaqësuesit e komunitetit serb udhëhiqeshin nga Oliver Ivanoviq, i cili për median tha se serbët nuk janë dakort për pavarësinë e Kosovës dhe se në këtë takim do të parashtrojnë edhe pretendimet e tyre.
XS
SM
MD
LG