Ndërlidhjet

I. HASANI: KOMPROMISI I MJAFTUESHËM I KOSOVËS ËSHTË HYRJA NË NEGOCIATAT E STATUSIT


Ismajl Hasani, analist politik, profesor universitar në Norvegji

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Hasani si i vlerësoni zhvillimet lidhur me decentralizimin, kur tashmë janë mbajtur dy raunde bisedash direkte ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe pritet në fund të javës edhe raundi i tretë?

ISMAJL HASANI
Unë këtë e shoh si ndërmarrje në vazhdën e një procesi që ka filluar me një dinamikë të përshpejtuar për shkak të agjendës që është shumë e ngutshme – përcaktimi i statusit të Kosovës gjatë vitit 2006. Dhe në këtë kontekst mendoj se raundet e përshpejtuara të takimeve duhen shikuar në kontekstin e ndërmarrjeve dinamike që po bën bashkësia ndërkombëtare për të dinamizuar procesin, sepse koha po kalon dhe bashkësia ndërkombëtare është shumë e prerë se viti 2006 të jetë vit i përcaktimit të statusit të Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Qarqe të ndryshme kanë shfaqur frikën se lidhjet ndërmjet komunave me shumicë serbe mund të çojnë kah kantonizimi i Kosovës apo kah legalizimi i enklavave aktuale. Si e shihni ju këtë?

ISMAJL HASANI
Po të aktivizohet logjika e shëndoshë, në 10 mijë kilometra katrore sa ka Kosova, kantonizimi do të ishte diçka absurde në këto koordinata gjeografike. Edhe po të mos marrim fare parasysh problemet dhe mosmarrëveshjet ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve, kantonizimi nuk është zgjidhje dhe faktori ndërkombëtar, Grupi i Krizave dhe të gjithë faktorët e përfshirë në çështjen e Kosovës, janë të vetëdijshëm për faktin se kantonizimi është diçka që nuk mund të realizohet në projektin për Kosovën. Gjithë ndërmarrjet që janë të lidhura me decentralizimin janë mundësi opsionale që mund të diskutohen. Por decentralizimi duhet shikuar si proces, i cili është në funksion të demokratizimit të shoqërisë kosovare, demokratizimit të shtetit të Kosovës, si shtet i pavarur dhe në asnjë mënyrë në funksion të rikthimit të disa recidivave, si shkëputja e njëanshme e autonomisë së Kosovës nga regjimi i Milosheviqit, pasi jeta e përditshme i ka ligjet e veta – shoqëria kërkon që shërbimet publike, shërbimet administrative shtetërore të jenë më afër qytetarit dhe nuk ka asgjë të keqe nëse këto shërbime ofrohen në nivel të komunave, të cilat i nënshtrohen një decentralizimi racional, e jo decentralizimi për ndonjë shpikje apo krijesë politike, apo për krijimin e ndonjë njësie administrative, që dikush mund ta ketë si konstruksion të fiksuar në vete.

RADIO EVROPA E LIRË
Pala serbe ka kërkuar lidhje të Beogradit me komunat me shumicë serbe të Kosovës, ndërkohë që institucionet e Kosovës kanë kërkuar që çfarëdo lidhjesh të tilla të realizohen përmes institucioneve të Kosovës. Në të vërtetë cilat mund të jenë efektet e lidhjeve të tilla?

ISMAJL HASANI
Është normale që pala serbe të insistojë për këto lidhje. Nuk ka asnjë te keqe nëse pala serbe këtë e ka për ndonjë qëllim fisnik të bashkëpunimit, ndihmës dhe përkrahjes popullatës serbe, por jo ndonjë lidhje të veçantë për krijimin e institucioneve, apo krijesave të ndryshme brenda përbrenda Kosovës, pasi unë konsideroj se ka ardhur fundi i paralelizmave në Evropën Juglindore. Absolutisht, këto koordinata nuk i durojnë më paralelizmat, sepse njerëzit janë lodhur nga paralelizmat dhe “qendrat e përkujdesjes” të shumicës ndaj pjesëtarëve të të njëjtës përkatësi etnike, që me disa koordinata konsiderohen pakicë. Serbët e Kosovës do të duhej të jenë pjesë aktive e proceseve në Kosovë dhe është e drejtë e tyre të kërkojnë mbështetje në momente të ndryshme, jo vetëm në Serbi, por gjithandej ku mund të kërkohet kjo mbështetje për ta avancuar vetveten në fusha të ndryshme, në ruajtjen e gjuhës, kulturës, traditës e të tjera, por përmes sistemit legal të strukturave shtetërore, jo përmes krijimit të ndonjë qendre të përkujdesjes siç pretendohet. Qendrat e ndryshme të përkujdesjes që në fund kanë përfunduar edhe me krijimin e forcave të ndryshme paramilitare.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Hasani cilat mund të jenë kompromiset e dhimbshme për Kosovën siç kanë vlerësuar disa zyrtarë ndërkombëtarë, në shkëmbim të sovranitetit dhe ulëses në OKB?

ISMAJL HASANI
Unë mund të prejudikoj gjërat në mënyrë të përpiktë, pasi nuk është fjala këtu për ndonjë profeci. Çështja e Kosovës dhe statusi i saj është një realitet i qartë – Kosova duhet të jetë e pavarur. Unë mendoj se kompromisi i dhimbshëm u takon të dyja palëve, edhe palës shqiptare, domethënë kosovare, edhe palës serbe. Vetë fakti që shqiptarët, përkatësisht pala kosovare hyn në negociata është një variant i kompromisit, për arsye se logjika e thotë se kompromisi nuk duhet të jetë i shndërruar në një proces, i cili, pas një lufte të përgjakshme, pas një strukture të përcaktuar që kishte Kosova, megjithatë duhet të hyhet dhe është mirë që po hyhet në diskutime, por për të prejudikuar kompromisin e dhimbshëm, unë mendoj se është pak e vështirë në këto momente të thuhet, pasi edhe faktori ndërkombëtar është i lodhur me këto sinonime. Po ta marrim për shembull dhe ta krahasojmë me autoritetin palestinez dhe situatën që është krijuar me fitoren e Hamas-it kohën e fundit. Në Evropën Juglindore koha e autoriteteve të veçanta ndërkombëtarisht të njohura ka përfunduar për shkak se bashkësia ndërkombëtare nuk mund t’i rrijë kujdestar Evropës Juglindore dhe këtë të gjithë e kanë të qartë, edhe Ahtisari, edhe Rohani edhe të gjithë njerëzit e përfshirë në zgjidhjes së problemit të Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
A do të mund të sigurojë decentralizimi zgjidhje edhe për problemin e Mitrovicës, apo zgjidhja për këtë qytet do të kërkohet në forma të tjera apo biseda të veçanta?

ISMAJL HASANI
Unë nuk mendoj se Mitrovica është jashtë kontekstit kosovar. Ka pasur mungesë vullneti, unë i kuptoj vështirësitë, e kuptoj Ibrin, i kuptoj simbolikat që janë shfaqur me rastin e Mitrovicës, por Mitrovica është në Kosovë dhe absolutisht nuk ka nevojë që ajo të përjashtohet prej kontekstit kosovar . Problemi i tendencave për ta ngritur Mitrovicën si problem të veçantë dhe për ta nxjerrë jashtë kontekstit të Kosovës, është një konstrukt mendoj, sepse është e vërtetë se kemi qytetin e ndarë, por megjithatë, edhe po të zhvendoset ky kufi, nëse Ibrin e supozojmë si kufi, edhe po të zhvendoset, megjithatë, shqiptarët dhe serbët, nëse nuk duan të jenë fqinjë të mirë dhe nuk duan ta nderojnë njëri-tjetrin në të ardhmen, sërish do të kenë problem dhe sërish do ta krijojnë një Mitrovicë tjetër, përsëri do t'i ndajë një “Ibër“ tjetër, që do të jetë bazë e konfliktit, domethënë Mitrovica nuk ka nevojë të konsiderohet si diçka e nxjerrë jashtë kontekstit kosovar.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Hasani, si e vlerësoni punën e deritashme të institucioneve të Kosovës në këtë fazë të bisedimeve dhe a garanton kjo dinamikë finalizimin e synimit të shprehur të institucioneve për shtet të pavarur?

ISMAJL HASANI
Arritjet e deritashme të institucioneve të Kosovës janë rezultat i angazhimeve. Normalisht patëm disa ngecjeve për shkak të vdekjes së presidentit, pastaj filluan problemet e lëvizjeve të ndryshme brendapërbrenda institucioneve, por meritën për gjithë këtë rrjedhë duhet dedikuar dinamikës së përshpejtuar nga faktori ndërkombëtar, dhe në asnjë mënyrë këtë nuk do t’ia atribuoja faktorit vendor.

Intervistoi: Rrahman Paçarizi
XS
SM
MD
LG