Ndërlidhjet

PRIEBE: “KOSOVA DO TË INTEGROHET NË BE SA MË SHPEJT QË TË JETË E MUNDUR"


Albana Isufi, Prishtinë

Përfaqësuesit e Komisionit Evropian i kanë kërkuar qeverisë së Kosovës që të shpejtojë procesin e hartimit të Planit për Veprim të Partneritetit Evropian.
Pas takimit të 9 të Mekanizmit Përcjellës të Asociim Stabilizimit, drejtori i Komisonit Evropian për Ballkanin Perëndimor, Reinhard Priebe, ka kërkuar një punë më të madhe të qeverisë në përmbushjen e rekomandimeve të Komisionit Evropian, të nevojshme për integrimin në Bashkimin Evropian.
“Është pjesë e institucioneve tona, që të mos jemi kurrë të kënaqur. Nuk jemi kurrë të kënaqur me shpejtësinë dhe dëshirojmë që proceset të ecin më shpejt”, tha Priebe, i cili thotë të ketë marrë premtimin nga kryeministri se javët e ardhshme do të jetë i gatshëm Plani për Veprim i Partneritetit Evropian.
Vetë kryeministri Agim Çeku ka deklaruar se 3 muajt e ardhshëm tërë vëmendja do të përqendrohet në përmbushjen e standardeve evropiane dhe ndërkombëtare. Ndërsa, për Planin për Veprim të Partneritetit Evropian, kryeministri Çeku ka synime të tjera.
“Do kërkoj llogari nga çdo anëtar i grupit punues, nga çdo ministër, për gjendjen e çdo pike të standardit përkatës, deri ku ka ardhur përmbushja e asaj pike. Kështu që do të jemi shumë konkretë, shumë kërkues, shumë precizë në atë a është përmbushur, pse nuk është përmbushur dhe deri kur do të mund të përmbushen në një pikë konkrete standardet."
Por, sa në të vërtetë institucionet e Kosovës mund të arrijnë përmbushjen e rekomandimeve të Komisionit Evropian. Analisti Lulzim Peci konsideron se nuk ka ndonjë pikë në rekomandimet e Komsionit Evropian, që nuk mund të përmbushet nga institucionet e Kosovës.
“Këto detyrime të cilat përcaktohen aty, nuk janë detyrime të cilat nuk mund të arrihen, sepse procesi i integrimit në Bashkimin Evropian është një proces gradual."
Por, Peci konsideron se Kosovës i duhet shumë punë, për shkak se ka ngelur në fund të listës së vendeve të rajonit, që synojnë integrimin në Bashkimin Evropian.
“Derisa krejt shtetet e rajonit kanë kaluar, e kanë nënshkruar së paku Marrëveshjen për Asociim Stabilizim, Kosova nuk e ka të nënshkruar as këtë marrëveshje. Ndërsa shtetet e tjera janë në procedurë të kandidimit apo të asociimit me Unionin Evropian, ne jemi prapa të gjithë shteteve".
Në anën tjetër, kryeministri Agim Çeku ka përsëritur se është synim nacional i Kosovës integrimi në Unionin Evropian.
“Integrimi në Unionin Evropian është mision nacional dhe kombëtar i yni, prandaj ky takim ishte një dëshmi tjetër që Kosovës i është hapur perspektiva evropiane, që Kosova është në krye të agjendës të Unionit Evropian dhe Komisionit Evropian për Zgjerim".
Për sa kohë mund të ndodhë ky integrim? Lulzim Peci është skeptik se kjo mund të ndodhë shpejt.
“Nuk e pres sinqerisht që kjo të ndodhë para një dekade".
Ndërsa Reinhard Priebe i Komisionit Evropian, jep një përgjigje të përgjithshme.
“Kjo do të ndodhë sa më shpejt që të jetë e mundur”, tha Priebe.


XS
SM
MD
LG