Ndërlidhjet

DISA FAMILJE ROME ZHVENDOSEN NË KAMPET E REJA


Zijadin Gashi, Prishtinë

Një numër i konsiderueshëm i romëve, të cilët janë strehuar në kampe në Mitrovicë e Zveçan, në pjesën e rrezikuar nga prania e madhe e plumbit, kanë pranuar ofertën e UNMIK-ut dhe institucioneve vendore që të zhvendosen përkohësisht në ish-kampet ushtarake të KFOR-it francez në Osterodit në veri të Mitrovicës. Fillimisht, instalimet e dobëta të rrymës shkaktuan zjarr në kampin e romëve dhe gjashtë familje mbeten pa strehë mbi kokë. Ato u strehuan përkohësisht në ish-kampin ushtarak francez. Mirëpo më pas, edhe 55 familje të tjera vendosën të shkojnë atje për të jetuar përkohësisht, edhe pse tani, këta banorë thonë se as ish-kampet e KFOR-it nuk u ofrojnë atyre kushtet elementare për jetë.
Njëri prej përfaqësuesve të banorëve romë të strehuar në kampet në veri të Kosovës, Habib Hajdini, thotë se familjet e tjera, pranojnë të jetojnë edhe në kushte rreziku nga sasia e madhe e plumbit, vetëm se kanë frikë që nëse përkohësisht kalojnë në ish-kampet e KFOR-it, atëherë ato do të harrohen dhe nuk do të realizohen premtimet e autoriteteve që t’u ndërtohen shtëpitë në jug të Mitrovicës, ku kanë jetuar para vitit 1999. Sidoqoftë, Hajdini beson se kampi ushtarak do të jetë vetëm një strehim i përkohshëm për këta banorë:
“Mendojmë që ky strehim do të jetë i përkohshëm, për një vit, kurse më pas këta njerëz do të kthehen në shtëpitë e tyre në jug të Mitrovicës”, thotë Hajdini.
Familjet rome që kanë kaluar në ish-kampin ushtarak të KFOR-it në Osterodit, thonë se kanë gjetur kushte gati se të njëjta me ato që i kishin në kampin e mëparshëm. Selim Ibrahimi megjithatë ankohet se as në këtë kamp nuk ka ujë të ngrohtë dhe kushte të domosdoshme higjienike:
“Kemi probleme, banjat këtu nuk vlejnë për asgjë, nuk kemi ujë të ngrohtë, kurse ka shumë familje dhe nuk na është plotësuar kërkesa që secila familje të ketë kontejnerin e vet”, tha qytetari Selim Ibrahimi.
Kurse Bajramshahe Krasniqi thotë se vjen nga Prishtina, të cilën e ka lëshuar bashkë me familje që nga mbarimi i luftës. Edhe ajo nuk është e kënaqur as me kampin e ri ku është vendosur këto ditë, i cili madje sipas saj, ofron kushte edhe më të rënda për jetë:
“Nuk ka kurrfarë kushtesh, jemi mësuar atje ku ishim dhe mendoj se ishte më mirë, kurse këtu ende nuk jemi mësuar me kushtet e reja”, thotë kjo banore. Njësoj mendojnë edhe familje të tjera të pakënaqura më kushtet në kampin e ri. Sidoqoftë, ato besojnë se autoritetet do t’i plotësojnë premtimet dhe brenda një viti ato do të kthehen në Lagjen Rome në jug të Mitrovicës, ku thuhet se para luftës kanë jetuar rreth 8 mijë veta. Alarmimi i autoriteteve për t’i kthyer këta banorë nëpër shtëpitë e tyre, erdhi si rrjedhojë e vërtetimit të analizave se prania e madhe e plumbit në gjakun e fëmijëve, ishte shkaktar i shumë sëmundjeve, e madje edhe disa rasteve të vdekjes së tyre. Kështu që tani, UNMIK-u dhe autoritetet vendore, janë pajtuar që të bëhen ndërtime në lagjen rome dhe këta banorë të kthehen në pronat e tyre.



XS
SM
MD
LG