Ndërlidhjet

logo-print

EKIPI KOSOVAR NISET NË VJENË PËR TAKIMIN E TRETË RRETH DECENTRALIZIMIT


Natyra e lidhjeve ndërkomunale dhe bashkëpunimi i komunave me shumicë serbe me Beogradin, janë shqetësimi kryesor i delegacionit kosovar që sot pasdite niset për në Vjenë. Mirëpo pala kosovare është e bindur se rreziku i ndarjes territoriale dhe etnike të Kosovës është eliminuar në dy takimet e shkuara të Vjenës. Kështu tha sot udhëheqësi i delegacionit të Kosovës në raundin e tretë të bisedave për decentralizimin, zëvendëskryeministri i Kosovës, Lutfi Haziri. Ai i bëri këto komente para nisjes për në Vjenë, pas një takimi të fundit që pati delegacioni i Kosovës. Zoti Haziri tha se delegacioni kosovar kishte bërë pak ndryshime, kryesisht në punë terminologjie në dokumentin e sjellë nga zoti Rohan gjatë javës që po lëmë pas:
"Tipi i negociatave nuk lejon rrezikim të procesit dhe kjo është e qartë. Në dy takimet e para ne kemi eliminuar dy momentet e rëndësishme, kemi evituar parimin territorial dhe atë të ndarjes etnike, që kanë qenë kërkesa strikte të Beogradit."
Zëvendëskryeministri dhe ministër i pushtetit lokal, zoti Lutfi Haziri tha se delegacioni kosovar nuk i kundërshton lidhjet ndërmjet komunave, por ato duhet të bëhen si formë bashkëpunimi në baza vullnetare dhe në bazë të interesave të përbashkëta, pa cënuar autoritetin e pushtetit qëndror dhe pa ndërtuar një nivel të tretë qeverisjeje ndërmjet pushtetit qëndror dhe atij lokal. Duke komentuar mundësinë e zgjerimeve territoriale për komunat e reja serbe, me qëllim të arritjes së përqindjes së qartë të popullatës shumicë në komunat e reja, zoti Haziri u përgjigj:
"Ajo që duhet ta dimë në Kosovë nëse duam të manipulojmë me përqindje është se pesë komuna me shumicë serbe administrojnë 24 për qind të territorit të Kosovës dhe ai është realiteti që nuk është vendosur tash, por para tridhjetë vjetësh në Kosovë "
Në anën tjetër zoti Haziri tha se ndihma financiare nga Serbia për pakicën serbe do të mund të jetësohet në formë donacionesh, me marrëveshje bilaterale, pa bërë ndërhyrje buxhetore në Kosovë. Duke e shpjeguar këtë qëndrim, në një bisedë për radion Evropa e Lirë, anëtari i delegacionit kosovar, Enver Hoxhaj tha:
"Dhe, në të njëjtën kohë mund t’u ofrohen komunave të caktuara serbe, siç qëndron në propozimin tonë, dhe të përdoren vetëm për fusha të caktuara dhe projekte të caktuara, por asessi të mos jenë rroga dhe instrument përmes të cilave Serbia do të ushtronte kontroll administrativ apo psikologjik mbi një pjesë të qytetarëve të Kosovës."
Zoti Enver Hoxhaj tha se edhe në fushën politike, në fushën ekonomike, në atë të ligjshmërisë dhe bashkëpunimit institucional nuk duhet të ketë asnjë lidhje të Serbisë me Kosovën e passtatusit final, që do të jetë shtetësia e plotë.
Anëtari nga Kosova i delegacionit të Serbisë, Goran Bogdanoviq, tha për radion Evropa e Lirë se lidhjet e serbëve të Kosovës me Beogradin duhet të jenë institucionale:
"Në takimin e Vjenës do të shkojmë pikë pas pike dhe do të kontestojmë disa gjëra që janë në këtë dokument. Pa Beogradin nuk ka ekzistencë të serbëve në Kosovë dhe lidhjet me Beogradin para së gjithash duhet të jenë transparente dhe institucionale", tha Bogdanoviq, sipas të cilit delegacioni i Beogradit është shprehur i pakënaqur nga qëndrimet që përmban dokumenti i zotit Rohan, edhe pse zoti Rohan tha ditë më parë se dokumenti ishte përpiluar duke marrë për bazë pikat ku ka pasur qëndime më të përafërta të të dyja palëve
Zoti Hoxhaj, ndërkaq mendon se debatet e palës kosovare do ta mbizotërojnë takimin e Vjenës, pasi ofrojnë argumente të mjaftueshme për gjendjen objektive të të gjithë qytetarëve që jetojnë në Kosovë, ndërsa kryesuesi i delegacionit zoti Lutfi Haziri tha se ishte i bindur që takimi i tretë për decentralizimin që fillon nesër në Vjenë nuk do të jetë takimi i fundit për decentralizimin, por do të jetë një hap i sigurt në këtë proces që do t’ia hapë rrugën diskutimit edhe lidhur me çështje të tjera.

Rrahman Paçarizi

XS
SM
MD
LG