Ndërlidhjet

HOXHAJ: NUK JEMI NË VJENË TË SQAROJMË BEOGRADIN, POR PËR TË ÇUAR PËRPARA PROCESIN E SHTETFORMIMIT


Enver Hoxhaj, anëtar i delegacionit të Kosovës në bisedimet e Vjenës

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Hoxhaj, ka përfunduar takimi i tretë i Vjenës për decentralizimin. A mund të themi se tani ke mi një pamje të qartë për decentralizimin në Kosovë dhe nëse po si duket ai?

ENVER HOXHAJ
Prej perspektivës së Prishtinës zyrtare e kemi një pamje më të qartë sesa deri tani dhe mund të them që qëndrimi dhe vizioni dhe platforma që ka Prishtina se në çfarë forme duhet të ndodhë një reformë e pushtetit lokal, është shumë i përafërt edhe me vizionin që e ndajnë zyra e zotit Ahtisari dhe zoti Albert Rohan, i cili është kompetent i çështjeve të tilla.

RADIO EVROPA E LIRË
Delegacioni i Kosovës ka paraqitur sot vërejtjet e tij, të paktën siç është lajmëruar, për dokumentin e Rohanit. Ndërkohë që edhe ju sapo përmendët që qëndrimet tuaja me ato të bashkësisë ndërkombëtare janë të përafërta. Në të vërtetë ku kanë qenë dallimet dhe si janë pritur vërejtjet e delegacionit të Kosovës nga ndërmjetësuesit?

ENVER HOXHAJ
Dallimet kanë qenë dhe mbeten në tre fusha kryesore. Fusha e parë është që nga ana e zotit Albert Rohan po refuzohet që disa nga komunat, apo komunat në Kosovë në parim ta kenë mundësinë e krijimit të partneriteteve, dhe në kuadër të këtyre partneriteteve pastaj të ushtrojnë kompetencat e tyre. Ne në parim nuk jemi kundër një qëndrimi të tillë, meqë një qëndrim i tillë parashihet edhe në Kartën Evropiane për vetëqeverisjen lokale. Por nga mënyra se si është formuluar, kemi patur shqetësim se mos një formulim i tillë, krijon një shkallë të tretë të pushtetit, mes pushtetit lokal dhe pushtetit qëndror. Fusha e dytë ka qenë kryefjala e donacioneve, të cilat do të mund të vinin nga Serbia për disa nga komunat serbe, për fusha të caktuara. Qëndrimi jonë ka qenë dhe mbetet që për projekte dhe çështje të caktuara, ne do të kuptojmë një angazhim të tillë financiar dhe një mbështetje të tillë financiare, mirëpo kjo nuk duhet të ndodhë në formë të rrogave dhe nuk duhet të jetë një ushtrim i kontrollit administrativ të Serbisë mbi qytetarët e Kosovës. Çështja e tretë ka qenë tek kooperimi mes komunave brenda për brenda Kosovës dhe të disa komunave, të cilat në aspektin gjeografik janë afër territorit serb dhe bashkëpunimit të tyre me Serbinë. Këtu kemi qenë dhe jemi që çdo gjë duhet të ndodhë përmes pushtetit qëndror dhe çdo lidhje, e cila e ka lidhur Kosovën dhe Serbinë, i takon të së kaluarës. Mirëpo komunat mund të bashkëpunojnë, jo vetëm me vende të caktuara të rajonit, por edhe me vende të tjera evropiane.

RADIO EVROPA E LIRË
Cili ka qenë qëndrimi i palës ndërkombëtare lidhur me vëretjet tuaja? A mund të themi se pas takimit të sotëm ka ndonjë afrim të këtyre qëndrimeve?

ENVER HOXHAJ
Mendoj që në shumë pika që i ceka janë sqaruar qëndrimet tona. Bashkësia ndërkombëtare tani i ka marrë këto sqarime dhe tani do të shohë se në çfarë forme vërtet do të mund të integrohen me vizioni që e ka ajo. Por mund të them se platforma jonë dhe përgjigjet e sugjerimet që i kemi ofruar në këtë takim, por edhe në takimet e mëparshme, reflektojnë vërtet gjendjen objektive, reale që është në terren. Në të njëjtën kohë përfshijnë të gjitha standardet evropiane, kështu që në atë drejtim ne dhe bashkësia ndërkombëtare lëvizim në një rrafsh të njëjtë kur është fjala për reformën e pushtetit lokal në Kosovë.

RADIO EVROPA E LIRË
Çfarë kishit për të thënë për qëndrimin e delegacionit serb gjatë takimit të sotëm?

ENVER HOXHAJ
Mendoj që qëndrimi i delegacionit serb është mëse i qartë: krijimi i një etniteti serb në bazë territoriale, krijimi i një etniteti që do t'i ndante qytetarët e Kosovës në dy jetë publike të ndryshme. Kuptohet që ne jemi në Vjenë për shkak të asaj që procesi i shtetndërtimit të Kosovës është një projekt i përbashkët mes qytetarëve të Kosovës dhe bashkësisë ndërkombëtare. Ne do të vazhdojmë edhe më tutje t'i prezantojmë qëndrimet tona karshi bashkësisë ndërkombëtare dhe nuk jemi që ta sqarojmë Beogradin se cilat vizione i kemi për reformën e pushtetit lokal. Përderisa qasja jonë është mëse integruese dhe synon që të krijojë parakushte se si në Kosovë të etablohet një shtet dhe një shoqëri qytetare, projekti serb është ai i segregacionit.

RADIO EVROPA E LIRË
Krahasuar me takimet e mëparshme, si do ta vlerësonit këtë takim të sotëm lidhur me shkallën e vështirësisë, frymës mbizotëruese në takim dhe faktit se sa pranë apo larg pala e Kosovës ka qenë me palën ndërkombëtare?

ENVER HOXHAJ
Pozicionet tona mes Prishtinës zyrtare dhe bashkësisë ndërkombëtare janë shumë më të afërta. Kësaj here kemi arritur një progres më të madh në sqarimin e mëtejshëm të konceptit tonë për reformën e pushtetit lokal në detajet e mundshme. Përderisa pala serbe është larguar edhe më shumë nga vizioni i bashkësisë ndërkombëtare. Ne do të vazhdojmë që të jemi pjesë e procesit, do të jemi konstruktiv. Jemi të interesuar që një reformë të pushtetit lokal, edhe çështje të trashëgimisë, edhe çështje të cilat lidhen me mbrojtjen e minoriteteve, t'i diskutojmë së bashku me bashkësinë ndërkombëtare. Për të qënë një shtet modern, duhet të dëshmojmë se jemi të interesuar të marrim obligime dhe ndër parimet kryesore të një shtetësie efikase është të marrësh obligime dhe të ekzekutosh obligime karshi faktorit ndërkombëtar. Kështu që edhe takimin e sotëm të Vjenës e shohim si plotësim të obligimeve tona karshi bashkësisë ndërkombëtare, që është në përputhje me vullnetin e qytetarëve të Kosovës për një shtet sovran, që do ta ketë përfaqësimin e tij dhe karrigen e tij në Kombet e Bashkuara.

RADIO EVROPA E LIRË
Ata që janë në Kosovë dyshojnë për projektin e decentralizimit dhe për këto negociata. Cilat janë garancitë që dalin nga këto takime se interesat e Kosovës nuk po cënohen?

ENVER HOXHAJ
Të gjithë ata qytetarë, liderë politikë, media që kanë shqetësime sa i përket reformës së pushtetit lokal, ne i kuptojmë shqetësimet e tyre dhe janë shqetësime shumë reale. Me qëllim që të jem sa më preciz, qëndrimi im është që të përshkruhen situatat të cilat në të vërtetë ekzistojnë. Në takimin e parë, të dytë dhe në këtë takimin e tretë, mendoj që pala nga Kosova ka dëshmuar pjekuri politike dhe ka ofruar sugjerime konkrete. Ne jemi të vetëdijshëm që bashkësia ndërkombëtare ndoshta mund të ofrojë zgjidhje, të cilat nuk do të jenë dhe aq shumë të këndshme, për qytetarët e Kosovës, të cilat mund të jenë të dhimbshme. Por qëllimi jonë është që të jemi këtu në Vjenë dhe ta sqarojmë pozitën tonë, meqë në një proces të shtetbërjes, është mëse e nevojshme që pozitat të sqarohen, mos të lëshohet tavolina e bisedimeve, dhe në të njëjtën kohë jemi për një transparencë të mirëfilltë të informimit të qytetarëve se çfarë po ndodh në takimet e Vjenës, kah po lëviz procesi, por në të njëjtën kohë jemi dhe shumë të vetëdijshëm për përgjegjësinë që kemi para votuesve dhe qytetarëve të Kosovës.

Intervistoi Iliriana A. Bajo


XS
SM
MD
LG