Ndërlidhjet

VJENË


Ka përfunduar në Vjenë takimi mes delegacionit të Prishtinës dhe atij të Beogradit, me ndërmjetësimin e zëvendësnegociatorit Albert Rohan, lidhur me decentralizimin në Kosovë.
Sipas palës shqiptare qëndrimet mes tyre dhe bashkësisë ndërkombëtare janë të përafërta dhe propozimet e Prishtinës për pakicat në përgjithësi dhe atë serbe në veçanti janë integruese dhe bazuar në dokumentat evropiane. Kreu i delegacionit të Kosovës, që është njëherësh dhe zëvendëskryeministër në Qeverinë e Kosovës, Lutfi Haziri ka theksuar gjatë ditës se "kemi ardhur në Vjenë të diskutojmë decentralizimin, i cili do çojë drejt një Kosove të pavarur dhe sovrane".
Sipas burimeve brenda takimit pala serbe ka shprehur kundërshtime rreth konceptit të paraqitur në dokumentin e hartuar nga pala ndërkombëtare. Po ashtu pala serbe ka kundërshtuar faktin që zoti Rohan kishte vizituar së fundi vetëm Kosovën dhe jo edhe Serbinë dhe se ishte takuar atje me përfaqësues serbë të Kosovës.
Në fund të takimit të sotëm kryesuesi i takimit, Albert Rohan doli para mediave, ku mes të tjerash nënvizoi se palët kanë pasur qasje të ndryshme konceptuale. Zoti Rohan e ka vlerësuar takimin si të vështirë dhe ka shtuar se më 17 prill delegacione ekspertësh nga zyra e zotit Ahtisari do qëndrojnë në Prishtinë dhe Beograd. Takimi i mëpasëm do jetë më 4 maj në Vjenë, ku do diskutohet për kufijtë e komunave.
XS
SM
MD
LG