Ndërlidhjet

MAURING: VERIU I KOSOVËS-ÇËSHTJA MË E NDJESHME NË PROCESIN E DECENTRALIZIMIT NË KOSOVË


Frode Mauring, shef i UNDP-së në Kosovë

RADIO EVROPA E LIRË
UNDP do të publikojë këtë vit dy raporte për decentralizimin në Kosovë. Çka në të vërtetë do të përmbajnë këto raporte?

FRODE MAURING
Raporti i parë është rreth strategjisë së decentralizimit, cilat hapa janë të nevojshëm për t’u ndërmarrë. Janë shumë komponente në procesin e decentralizimit, p.sh. se si të financohet qeveria lokale, çfarë ligjesh duhet të ndryshohen, çfarë hapa duhet të ndërmerren sa i përket trajnimit në ndërtimin e kapaciteteve. Por, po ashtu do të zhvillojmë një tablo të zhvillimit njerëzor në komuna, sepse komunat kanë potenciale të ndryshme sa i përket ekonomisë, përbërjes së komuniteteve. Raporti i dytë ka të bëjë me një paraqitje të gjendjes socio-ekonomike në komuna të ndryshme, që do të jetë i dobishëm për formësimin e procesit të decentralizimit.

RADIO EVROPA E LIRË
Sa mund t’i ndihmojnë këto raporte procesit të decentralizimit tani?

FRODE MAURING
Po, tani për tani, ky është më shumë një proces politik dhe unë nuk shoh se këto raporte mund të luajnë rol direkt në procesin politik. Megjithatë, në mënyrë indirekte, mund edhe tani të luajnë ndonjë rol, sepse ka paqartësi dhe përmes raportit, njerëzit mund të kuptojnë së decentralizimi është më shumë se agjendë politike. Është agjendë e ofrimit të qeverisë më afër qytetarëve, qofshin ata shqiptarë, serbë apo minoritete të tjera, është interes i njëjtë. Kjo është ajo, që po promovojmë përmes këtij raporti, por po ashtu do punojmë se si ta bëjmë këtë.

RADIO EVROPA E LIRË
Ka raporte se raundi i tretë i bisedimeve për decentralizimit që u mbajt në Vjenë nuk ka qenë i suksesshëm. Çfarë mendoni ju për këtë proces?

FRODE MAURING
Po siç e dini janë dy palë, me pozicione të ndryshme. Nuk është befasi e madhe se do të marrë më shumë kohë që të ketë ndonjë marrëveshje. Mendoj se nga qëndrimet, që janë paraqitur ka pasur shumë dallime, dhe nuk ka qenë e mundur që të tejkalohen tani. Por, takimi i ri është caktuar për në fillim të majit dhe është me rëndësi që të shihet nëse do të ketë marrëveshje të mëtejme rreth këtij procesi. Por, ne nuk jemi pjesë direkte e këtyre negociatave.

RADIO EVROPA E LIRË
Një nga çështjet e ndjeshme rreth decentralizimit është mundësia e financimit të komunave serbe nga ana e qeverisë serbe. Analistët kosovarë e kanë parë këtë si rrezik për pavarësinë e institucioneve kosovare. Si e shihni ju këtë?

FRODE MAURING
Po, është një çështje jo e zakonshme për t’u marrë me të. Por, në shumë raste është e zakonshme, që për shembull në fushat e kulturës të ketë bashkëpunim ndërkombëtar, madje dhe ne nivelin lokal aty ku janë minoritetet, por bashkëpunim të kufizuar dhe në rrugë transparente.
Por, nëse kemi të bëjmë me ndonjë lloj të financimit normal të shërbimeve të qeverisë, në përgjithësi është një hap i madh, kështu që kjo është një çështje që duhet të zgjidhet përmes negociatave.

RADIO EVROPA E LIRË
Ju keni punuar në Maqedoni dhe dini për procesin e tyre të decentralizimit. A ka ngjashmëri mes Marrëveshjes së Ohrit dhe procesit të decentralizimit në Kosovë dhe a mund të zbatohet një marrëveshje e tillë edhe këtu?

FRODE MAURING
Nuk mendoj se Marrëveshja e Ohrit mund të kopjohet dhe të zbatohet këtu. Mendoj se ka elemente të asaj marrëveshjeje, që janë të dobishme, por situata në Kosovë është shumë më ndryshe. Këtu për shembull është çështja e Mitrovicës, çështja e pagave të dyfishta në veri të Mitrovicës dhe vende të tjera dhe një situatë e tillë nuk ka ekzistuar në Maqedoni. Ka pasur zona ku qeveria nuk ka pasur kontroll të plotë, por nuk ka pasur një situatë të këtillë, ku në mënyrë indirekte një pjesë financohet dhe kontrollohet nga pushteti i huaj. Kështu që kjo është diçka për të cilën duhet gjetur zgjidhje tjetër.
Megjithatë, besoj se ka hapësirë për të marrë mësime nga Maqedonia, sepse kjo është një reformë thelbësore, që nuk mund të nënvlerësohet. Ka shumë hapa të domosdoshëm që duhen bërë për reformën legale, fiskale. Duhen paraparë të gjitha gjërat për t’u siguruar se nuk do të rrezikohet sistemi i tërësishëm financiar i Kosovës dhe që të sigurohet se do ruhet transparenca dhe përgjegjshmëria, kur të bëhet transferimi i kompetencave nga niveli qëndror te autoritetet lokale.

RADIO EVROPA E LIRË
Z. Mauring e përmendët veriun e Mitrovicës. Këtu disa frikësohen se krijimi e komunave të reja serbe në veri të Kosovës, ose brenda enklavave serbe do të kontribuojë në ndarjen e Kosovës. Cili është komenti juaj?

FRODE MAURING
Mendoj se rreziku për ndarje në Kosovë mund të jetë i ndryshëm nga ai Maqedoni. Atje, në kohën kur është arritur Marrëveshja e Paqes e Ohrit, ka qenë e ditur se cilat pjesë janë më të ndjeshme, për shkak se kanë qenë të banuara me shumicë shqiptare, dhe ato kanë qenë kryesisht pjesa veriore dhe perëndimore. Ndërsa këtu enklavat serbe janë të shpërndara në tërë vendin dhe do të ketë vështirësi, që ato të mos jenë pjesë e Kosovës. Natyrisht, përjashtim bën veriu i Mitrovicës, prandaj duhet të ketë konsiderata për faktin se do ketë ndryshime territoriale, siç kemi pasur në Maqedoni. Por, kjo nuk rrit rrezikun e ndarjes së vendit. Mendoj se kjo duhet te zgjidhet gjatë negociatave. Veçanërisht duhen bërë përpjekje për veprimet që mund të bëhen, si dhe të rritet mirëkuptimi. Përveç njërit nga qëllimet e decentralizimit, afrimit të pushtetit me qytetarin, u duhet mundësuar edhe grupeve të ndryshme etnike zhvillimin e karakteristikave të tyre kulturore në komunë. Duhet kuptuar se kjo në njëfarë mase ka lidhje me territore, po kjo është çështje e negociatave në Vjenë dhe duhet zgjidhur atje.

RADIO EVROPA E LIRË
Kur parashikoni se mund të ketë zbatim të decentralizimit në Kosovë?

FRODE MAURING
Është vështirë të thuhet. Shpresoj se takimi në maj do të jetë vendimtar, sa i përket arritjes së ndonjë marrëveshjeje për decentralizimin dhe mund të jetë një fillim i mirë për t’u zbatuar. Por, vetë decentralizimi është një proces, që mund të marrë disa vite për t’u zbatuar. E rëndësishme është që marrëveshja ekziston, se projekti se çfarë duhet të arrihet tashmë është në tavolinë. Por, kjo do marrë disa vite që të fillojë së zbatuari në komunat e Kosovës.

Intervistoi Albana Isufi
XS
SM
MD
LG