Ndërlidhjet

SHKALLË E LARTË E TENTIM-VETËVRASJEVE TË ADOLESHENTËVE


Nadie Ahmeti, Prishtinë

Gjendja e rëndë socio-ekonomike është arsyeja kryesore që në Kosovë është rritur dukshëm numri i tentim-vetëvrasjeve tek adoleshentët. Sipas Shërbimit Policor të Kosovës, prej vitit 2000-2005, numri i përgjithshëm i personave që ka bërë vetëvrasje ka arritur në 362, thotë Sabrie Kamberi, zëdhënëse e këtij shërbimi. Ndërsa dy vitet e fundit janë shënuar 200 raste si tentim vetëvrasje.
"Rasti i fundit i tentim vetëvrasjes në Viti, ishte më 31.3.2006".
Përqindja e lartë e papunësisë tek moshat e reja ka bërë që ato të mos kenë mundësi të kyçen në rrjedhat aktuale të shoqërisë kosovare dhe zgjidhjen e këtyre problemeve e shohin tek vetëvrasja, pohon psikiatri Ismet Abdullahu.
"Të dhënat e fundit flasin se me të vërtetë tek moshat e reja kemi një shtim jashtëzakonisht të madh të vetëvrasjeve. Me siguri është edhe faktori se ata në të vërtetë nuk mund ta gjejnë veten në këto rrethana, në gjithë këtë papunësi, apo vështirësi me të cilat ballafaqohen në shoqëri. Padyshim janë faktorë që tek rinia ndikojnë."
Zoti Abdullahu thotë se deri tani ka këshilluar një numër të madh të adoleshentëve, të cilët kanë tentuar të bëjnë vetëvrasje.
"Kam patur të bëj me të rinj, të cilët kanë patur tentime të vetëvrasjeve dhe normal që tek ta kemi probleme të natyrës së lloj llojshme; qoftë probleme të dashurisë, qoftë probleme të jetesës, probleme me të cilat ata ballafaqohen. Domethënë kemi një kompleksitet të problematikës së të rinjve."
Në Kosovë ekziston një qëndër rinore "Dëgjo rininë", e cila merret me dëgjim, këshillim, orientim të të rinjve. Gazmend Aliu, koordinator në këtë qendër, thotë se institucionet vendore janë ato që në rradhë të parë duhet të merren me këtë çështje, pasi sipas tij, numri i vetëvrasjeve në Kosovë pas përfundimit të luftës është gjashtëfishuar në krahasim me vitet '90.
"Institucionet vendore nuk mund të themi që nuk merren fare, megjithatë ne mendojmë me siguri që merren pak me këtë problem. Kështu që do të ishte mirë që institucionet vendore të kenë një strategji të veprimit për parandalimin e vetëvrasjeve."
Ndërkaq psikiatri Ismet Abdullahu, i cili njëkohësisht punon edhe në Ministrinë e Shëndetësisë, pohon se gjendja e krijuar pas përfundimit të luftës në këtë rrafsh, institucionet vendore i ka gjetur të papërgatitura.
"Faktikisht popullata kosovare po ballafaqohet gjithnjë me probleme të reja, me situata të reja, ku nuk ka qenë më herët e përgatitur të ballafaqohet me këto situata."
Lirie Kusalci, nga Ministria e Arsimit, thotë se deri më tani kjo ministri ka bërë disa projekte për të vetëdijësuar nxënësit nëpër shkolla, që të mos shkojnë deri tek tentim vetëvrasja.
"Tani është një pilot projekt brenda Shkathtësisë për jetën. Kjo lëndë dhe ju ndihmon për parandalimin". Sidoqoftë organet kompetente pohojnë që në kategorinë e personave që rrezikohen nga vetëvrasja, janë njerëzit që kryesisht përballen me kriza emocionale, por edhe njerëzit të cilët rradhiten në grupin e alkoolistëve dhe narkomanëve.

XS
SM
MD
LG