Ndërlidhjet

DELEGACIONI I KOSOVËS OPTIMIST PËR REZULTATIN PËRFUNDIMTAR


Rrahman Paçarizi, nga aeroporti në Sllatinë

Delegacioni i Kosovës është optimist se procesi lidhur me decentralizimin po shkon në drejtimin e duhur, ndërsa Kosova e pavarur do të ofrojë të gjitha garancitë për pakicat, përfshirë edhe serbët, thanë sot anëtarë të delegacionit të Kosovës që dje kanë marrë pjesë në takimin e Vjenës. Kryesuesi i delegacionit të Kosovës, Lutfi Haziri tha në aeroportin e Prishtinës se marrëveshja e vetme do të jetë ajo për statusin përfundimtar, i cili po afrohet dita-ditës si pavarësi, siç u shpreh zëvendëskryeministri Haziri:
"Jemi shumë optimistë se procesi është duke shkuar në drejtimin e duhur dhe koncepti në të cilin po punojmë do të garantojë që Kosova e pavarur dhe sovrane do të ofrojë të gjitha garancitë për komunitetet joshumicë dhe për pakicën serbe në Kosovë".
Zoti Haziri tha se tema e financimit të komunave kosovare me shumicë serbe nga Beogradi tashmë është shteruar dhe takimi i ardhshëm ka të bëjë me komuna të reja:
"Përderi sa nuk ka marrëveshje për status final, nuk ka asnjë marrëveshje për çështjet që diskutohen tash. Kjo është formula që është përcaktuar nga ndërmjetësuesi, është mbështetur nga GK dhe punohet gjatë gjithë procesit që të arrihet në finalen e madhe të këtij procesi që nuk ka dyshim, që nëse shikojmë kriteret është pavarësia dhe nëse doni t’ju them figurativisht, pavarësia është afruar edhe për një hap," tha zoti Haziri, sipas të cilit, secila temë që kryhet pavarësia afrohet më afër si realitet për Kosovën.
Duke shpjeguar procedurën e mëtejshme për modelin e decentralizimit dhe specifikat e tij, këshilltari i presidentit Sejdiu, zoti Skënder Hyseni tha:
"Natyrisht se ndërmjetësi ndërkombëtar i ka dëgjuar vërejtjet e secilës palë në këtë dokument pune dhe përfundimisht si raport ai do të shkojë në KS dhe deri atëherë i mbetet Këshillit të Sigurimit se çfarë vlerësimi përfundimtar do të japë".
Anëtarët e delegacionit të Kosovës thanë se ende nuk dihet se sa do të jetë numri i komunave të reja në Kosovë, por thanë se kjo do të bëhet duke respektuar kriteret që po përcaktohen në procesin e bisedimeve:
"Sa komuna do të krijohen do të varet nga kriteret që do t’i përcaktojmë ne dhe ato kritere do të kenë të bëjnë me mundësinë që një komunë që do të krijohet të jetë funksionale, pra të ketë mundësi të funksionojë, të ketë territor kompakt, si komunë, të mos e ketë territorin e shpërndarë, të ketë numër të caktuar banorësh, në mënyrë që në mënyrë vetanake të mund të akumulojë të ardhura",tha Ardian Gjini, Ministër i Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor, që ka marrë pjesë në bisedimet e Vjenës, ndërkohë që për anëtarin tjetër, Fehmi Mujota, pala kosovare është në përparësi parimore:
"Delegacioni i Kosovës është mbështetur në Kartën Evropiane për Vetëqeverisjen Lokale dhe dokumentet e pranuara ndërkombëtarisht, përderisa nga ana tjetër ka një mospranim të këtyre dokumenteve dhe kjo sigurisht se do ta vështirësojë punën e palës së Beogradit. Por kjo është punë e tyre, dhe ne presim rezultat pozitiv në përfundim të negociatave".
Sidoqoftë, raundi i ardhshëm, i katërti me radhë i bisedave për decentralizimin ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do të mbahet po në Vjenë, më katër maj, kur pritet të diskutohet për komunat specifike, për financimin e tyre, si dhe për trashëgiminë kulturore.


XS
SM
MD
LG