Ndërlidhjet

SERBËT PËRGATITEN TË BRAKTISIN BISEDIMET


Zijadin Gashi, Prishtinë

Pozicionet aspak të afërta në bisedimet Prishtinë-Beograd për decentralizimin, që u reflektuan në raundin e tretë të bisedimeve në Vjenë, nuk paraqesin ndonjë befasi dhe janë treguese se në fund bashkësia ndërkombëtare do të jetë ajo që do të luajë rolin e arbitrit për të vendosur rreth çështjeve kontestuese ndërmjet palëve në bisedime. Kështu vlerësojnë analistët politikë vendorë dhe përfaqësues politikë të serbëve të Kosovës. Analisti Lulzim Peci thotë se bisedimet po zhvillohen përmes arbitrimit të Këshillit të Sigurimit dhe nuk janë bisedime klasike ndërmjet palëve. Mungesa e kompromiseve në bisedime sipas tij nuk është befasi dhe reflekton mungesën e vullnetit të palës serbe që të marrë përgjegjësi për pozitën e pakicës serbe në Kosovë. Ai parashikon se faza e ardhshme e bisedimeve të jetë dhe më e vështirë.
"Absolutisht situata do të bëhet më e rëndë ditë e përditë më tepër. Në këtë rast Serbia do të tentojë që të shfrytëzojë të gjitha mjetet e saj, jo vetëm në tavolinën e bisedimeve, por edhe jashtë tavolinës së bisedimeve për t'i arritur disa qëllime të sajat, për të thënë kushtimisht. Mirëpo çështja është se sipas mendimit tim kjo do të përfundojë me arbitrazhin e bashkësisë ndërkombëtare."
Në anën tjetër njëri prej përfaqësuesve politikë të serbëve të Kosovës, Oliver Ivanoviq thotë se do të ishte më së miri që bisedimet të përfundojnë me marrëveshje. Procesi i bisedimeve sipas tij, duhet të mund të dëshmojë se palët mund të marrin përsipër përgjegjësi dhe të heqin dorë nga kërkesat maksimaliste.
"Nëse marrëveshje nuk do të ketë, atëhere duhet të ndryshohen përbërjet e delegacioneve në të dy anët, në mënyrë që njerëz të rinj të vijnë aty dhe pas një kohe të merren vesh", thotë Oliver Ivanoviq. Sipas tij bisedimet nuk kanë karakter të përcaktimit të zgjidhjeve përfundimtare, pra as për statusin e Kosovës, por të gjetjes së zgjidhjeve kalimtare. Ivanoviq thotë se decentralizimi nuk është dashur të përfshihet në kuadër të pakos së bisedimeve për statusin. Ai mendon se vetë serbët e Kosovës me përkrahjen e Beogradit do të mund të gjenin zgjidhje më të mira që do të mund të realizoheshin përmes institucioneve të Kosovës. Ashtu siç qëndrojnë tani punët, Ivanoviq nuk pret shumë nga këto bisedime.
Ndërkohë që analisti Lulzim Peci mendon se Vjena ishte tregues mjaft i qartë që pala serbe mund të tërhiqet nga tavolina e bisedimeve për t'i ikur përgjegjësisë.
"Kjo është një përpjekje e tyre që ata praktikisht të tërhiqen prej negociatave që të lihet zgjidhja në formën e arbitrazhit. Domethënë ata nuk janë në gjendje të marrin përgjegjësi për problemet reale të cilat janë në Kosovë dhe janë probleme me të cilat do të përballemi gjatë procesit të negociatave."
Ndërsa faza e tashme e bisedimeve Prishtinë-Beograd për decentralizimin vlerësohet se ka hyrë në një krizë, analistët nuk e përjashtojnë mundësinë që në fund bashkësia ndërkombëtare, përkatësisht kryenegociatori Marti Ahtisaari, të kërkojnë nga palët në bisedime që të pranojnë planin e tij, të cilin ua dorëzoi atyre javën e kaluar.



XS
SM
MD
LG