Ndërlidhjet

logo-print

MITROVICA NUK DO DISKUTOHET NDARAS


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Mitrovica nuk do të trajtohet si çështje e veçantë në bisedat për të ardhmen politike të Kosovës, por do të trajtohet si secila pjesë tjetër e Kosovës, thonë përfaqësues të zyrës së kryenegociatorit të Kombeve të Bashkuara për statusin e Kosovës, Marti Ahtisari. Ndërkohë, grupi politik strategjik që i përgjigjet ekipit negociues të Kosovës, aktualisht po përgatitet që në takimin e 4 majit në Vjenë, të dalë me strategji të qartë për të ardhmen e këtij qyteti, aktualisht të ndarë ndërmjet shqiptarëve në jug dhe serbëve në veri. Kjo situatë, në të vërtetë qe krijuar në qershor të vitit 1999, kur forcat franceze të KFOR-it qenë vendosur në këtë qytet. Tani lumi Ibër simbolizon edhe ndarjen etnike të qytetit.
Bajram Rexhepi, ish-kryeministër i Kosovës, i cili sot ka njoftuar grupin politik strategjik lidhur me Mitrovicën, për radion Evropa e Lirë se janë disa parime që duhen respektuar me rastin e zgjidhjes së problemit të këtij qyteti:
"Janë disa parime themelore që nuk bien ndesh me parimet themelore të reformës së pushtetit lokal, as decentralizimit, në mënyrë që qyteti i Mitrovicës të jetë i integruar, po të marrim parasysh edhe shqetësimet reale të komunitetit serb."
Zëdhënësja e zotit Ahtisari, Hua Jiang tha sot për radion Evropa e Lirë se Mitrovica nuk do të trajtohet veçanërisht në procesin e përcaktimit të statusit të Kosovës:
"Ne tashmë e kemi thënë mjaft qartë se Mitrovica do të jetë pjesë e procesit të decentralizimit dhe nuk do të jetë rast i veçantë. Ajo do të trajtohet si edhe pjesa tjetër e Kosovës," tha Hua Jiang, ndërkohë që zëvendësnegociatori Albert Rohan, javën e shkuar në Prishtinë, pati deklaruar se nuk do të ketë ndarje të Kosovës dhe as autonomi për ndonjë pjesë të saj.
Ish kryeministri Rexhepi tha se për Mitrovicën, para së gjithash kërkohet siguri dhe lëvizje e lirë në gjithë territorin e qytetit:
"Të vendoset siguria e plotë, që të vendoset rendi dhe ligji në krejt territorin, që të ketë lëvizje të lirë, që të ketë të drejtën e pronës dhe disponueshmëri në pronë".
Mirëpo, shqetësimi i palës shqiptare është se për Mitrovicën do të diskutohet si për një problem të veçantë. Zëdhënësja Jiang tha se kjo çështje është krejt e qartë:
"Kur do të flasim për kufijtë e komunave, po, edhe Mitrovica do të jetë pjesë e diskutimeve," tha Jiang, duke bërë të ditur se më 4 maj mund të diskutohet për Mitrovicën, si për të gjitha komunat e Kosovës. Kjo indikon se veriu mund të jetë një komunë më vete. Oliver Ivanoviq, kryesues i Listës Serbe për Kosovën e Metohinë, tha se ideja e krijimit të dy komunave nuk është ide e re:
"Që në vitin 2000 kemi dalë me idenë që Mitrovica të jetë qytet me dy komuna dhe kjo është një ide fleksibile, e cila do të pajtonte kërkesat ekstreme, si ndërtimin e murit kinez përgjatë Ibrit apo integrimin e tërësishëm të Mitrovicës siç ishte para luftës," tha Oliver Ivanoviq, sipas të cilit Mitrovica është një simbolikë e Kosovës dhe do zgjidhje të drejtë.
"Nuk ka zgjidhje të mirë për serbët në përgjithësi nëse nuk zgjidhet si duhet Mitrovica. Simbolikisht por në kuptim praktik, Mitrovica ka rëndësi të madhe," tha zoti Ivanoviq.
Mirëpo, ish kryeministri Bajram Rexhepi tha se formimi i komunave etnike në qytetin e Mitrovicës, do të ishte zgjidhje e gabuar:
"Efektet janë shumë negative dhe ajo s'duhet të pranohet asnjëherë. Edhe në bazë të parimeve bazë të decentralizimit aty parashihet që të formohen ndoshta edhe disa komuna me shumicë serbe, por jo të pastra etnike, sepse as pjesa veriore nuk është e pastër etnikisht. Nuk mund të them tani me përqindje sa janë tani në pjesën urbane të qytetit, por është fakt se ka një shumicë serbe, por është dhe një shumicë shqiptare dhe e komuniteteve të tjera".
Sidoqoftë, zoti Rexhepi tha se zgjidhja për Mitrovicën pos integrimit, do të duhej të adresonte edhe shqetësimet e qytetarëve serbë dhe kjo do të bëhej përmes formimit të njësive nënkomunale.

XS
SM
MD
LG