Ndërlidhjet

SA PËRDOREN GJUHËT ZYRTARE NË INSTITUCIONET E KOSOVËS?


Albana Isufi, Prishtinë

Në Kosovë është i obligueshëm përdorimi i tre gjuhëve zyrtare, shqip, anglisht dhe serbisht. Por sa përdoren në praktikë? Zyrtarë të institucioneve të Kosovës pohojnë se e zbatojnë ligjin mbi përdorimin e gjuhëve zyrtare. Por kështu nuk mendojnë pakicat kombëtare dhe as përfaqësuesit e Grupit të Kontaktit.
Përfaqësuesi i partisë boshnjake Vakat, Xhezair Murati, thotë se duhet bërë më shumë në zbatimin e ligjit mbi përdorimin e gjuhëve zyrtare. Ai thotë se gjuhët zyrtare nuk përdoren shumë në nivelet lokale.
"Problemi më i madh është përdorimi i gjuhëve zyrtare në nivelin lokal, në komuna, në njësi komunale, ku shpesh kjo nuk funksionon. Përdorimi i gjuhës duhet të bëhet në institucionet publike, spitale, rrugë, dyqane, thjesht kudo që të ketë institucione publike. Ne e shohim këtë si pabarazi", thotë Murati.
Por zyrtarët e qeverisë pohojnë se institucionet vazhdimisht zbatojnë ligjin mbi përdorimin e gjuhëve zyrtare. Avdullah Bytyqi, është zëdhënës i Ministrisë së Shërbimeve Publike, ministri kjo që është kritikuar nga Grupi i Kontaktit se nuk po bën në mënyrë të duhur përkthimin e dokumenteve zyrtare.
“Të gjitha dokumentet zyrtare që nxirren nga Ministria e Shërbimeve Publike dhe shkojnë nëpër komunat ku ka përzierje etnike, domethënë në komunat ku ka shumicë serbe, shkojnë të gjitha në gjuhët zyrtare, domethënë edhe në gjuhën shqipe, edhe në gjuhën serbe, edhe në anglisht. Është një prioritet i ministrisë që të respektohet në tërësi tre gjuhësia, shqipja, anglishtja dhe serbishtja. Kështu që unë nuk di të ketë ndonjë defekt rreth kësaj çështjeje".
Ndryshe nga përfaqësuesit e komunitetit serb dhe boshnjak, gjuha e të cilëve është zyrtare, përfaqësues të komunitetit turk pohojnë
problemet në përdorimin e gjuhës amëtare.
Deputeti në Kuvendin e Kosovës Mahir Jagxhillar, thotë se ndien se në Kosovë zbatohen standarde të dyfishta sa i përket përdorimit të gjuhëve të komuniteteve.
"Angazhimi ynë është që gjuha turke të jetë njëra prej gjuhëve zyrtare. Në praktikë disa përparime janë evidente. Por kjo ende nuk është zyrtarizuar në mënyrë ligjore. Unë personalisht në parlamentin e Kosovës kam të drejtën të flas në gjuhën turke, por dokumenti im identifikues nuk është shkruar në gjuhën turke. Kjo gjendje shpesh komentohet si standard i dyfishtë”, thotë Jagxhillar, duke shtuar se përveç Prizrenit, në komunat e tjera ku jetojnë turqit, përdorimi i gjuhës turke është në nivel të ulët. Jagxhillar shpreson që krahas gjuhës serbe edhe turqishtja në të ardhmen të jetë e obligueshme në vendbanimet ku jetojnë turqit.
"Prej vitit 1951 gjuha turke ka qenë zyrtare në komunat ku jeton komuniteti turk. Përdorimi zyrtar i gjuhës turke në komunat ku jetojnë turqit është paraparë edhe në kushtetutën e vitit 1974, por edhe në kushtetutën e Kaçanikut. Për këtë arsye ne angazhohemi që në ligjet e reja dhe në kushtetutën e re kjo të precizohet", thotë Jagxhillar.
Ndërkohë përfaqësuesi i boshnjakëve të Kosovës, Xhezair Murati, nuk e sheh si problem primat përdorimin e gjuhës zyrtare.
"Ne kurrë këtë nuk e vemë si problem të parë gjatë kontakteve tona me përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare. Ne nuk e politizojmë këtë, por e paraqesim si një problem real, i cili duhet të zgjidhet në kuadër të përmbushjes së standardeve", thotë Murati.
Përfaqësuesit e vendeve anëtare të Grupit të Kontaktit kanë kërkuar nga UNMIK-u që të zgjidhë në një afat të shkurtër çështjen e përdorimit të gjuhëve zyrtare. Grupi i Kontaktit ka kërkuar UNMIK-ut gjithashtu që të punësojë më shumë serbë në sektorin komunal në fushën e përkthimit.


XS
SM
MD
LG