Ndërlidhjet

SISTEMI SHËNDETËSOR NË KOSOVË BALLAFAQOHET ME PROBLEME


Nadie Ahmeti, Prishtinë

Ky vit është më i vështiri në sektorin e shëndetësisë në Kosovë, për shkak të shkurtimit të buxhetit, thonë zyrtarë të institucioneve shëndetësore në ditën botërore të shëndetësisë.
Pleurat Sejdiu, sekretar i përhershëm në Ministrinë e Shëndetësisë, pohon se shkurtimi i buxhetit për këtë sistem dhe mosngritja e numrit të burimeve njerëzore, ka reflektuar në ndalimin e reformave sa i përket sistemit shëndetësor. Njëherësh zoti Sejdiu pohon se punonjësit e këtij sektori janë më të dëmtuarit për shkak të pagave të ulëta.
"Si pagë në bazë të punës, janë rrogat më të vogla në të gjithë Kosovën. Kjo demotivon për një punë efikase", thotë zoti Sejdiu.
Fadil Beka, drejtor ekzekutiv në Qendrën Klinike Universitare në Prishtinë, ndërkaq pohon se përveç rezultateve të deritashme, kjo qendër ballafaqohet me probleme të ndryshme, siç është mungesa e ilaçeve dhe pajisjeve të shumta, të cilat, sipas tij, lidhen me buxhetin e kufizuar të Qendrës Klinike Universitare.
"Mundem t'u përmend vetëm një fakt që tani është muaji i katërt dhe ne nuk kemi të alokuar asnjë cent për investimet kapitale," thotë zoti Beka.
Sistemi shëndetësor në Kosovë shumë herë është akuzuar për shërbim jocilësor ndaj pacientëve, gjë të cilën e pranon edhe drejtori i QKU-së Fadil Beka, duke sqaruar arsyet.
"Nëse merren parasysh të gjitha këto pengesa, mungesa e barnave, të listës esenciale dhe disa gjëra të tjera, këtu në mënyrë indirekte dhe në disa forma të tjera, ndikojnë që shërbimet që i ofrohen pacientit nuk e kanë nivelin e duhur."
Pacientët të cilët kanë kërkuar ndihmë në Klinikën Universitare dhe në qendra të ndryshme të shëndetit në Prishtinë, japin mendime të kundërta për shërbimet.
Bedri Islami ka vetëm një javë që është operuar në këtë qendër.
"Kushtet janë mesatare, ushqimi nuk mund të them se është i nivelit të kërkesave të pacientëve, varësisht dhe nga natyra e sëmundjeve të tyre, është një ushqim i përgatitur për të gjithë përafërsisht njëlloj."
Por Blerim Berisha thotë se sistemi shëndetësor në Kosovë është i dështuar.
"Dje kam qenë në Shtëpinë e Shëndetit në orën 9:30, ishte periudha që më ka bërë më së shumti nervoz sepse puna fillon në orën 8:00, kurse deri në 9: 30 pinë kafe".
Nëse dëshiron të kesh një përkujdesje të duhur, atëhere duhet të japësh mito, thotë Blerimi.
"Nëse i jep miton ndonjë doktori, atëhere e ke përkujdesjen shumë më të lartë."
Por drejtori i QKU-së Fadil Beka e kundërshton duke thënë se derisa për këtë çështje nuk ka argumente, këto mbeten vetëm fjalë.
Ndërsa Pleurat Sejdiu, nga Ministria e Shëndetësisë, thotë se keqpërdorimet në sistemin shëndetësor ndodhin për shkak të tranzicionit.
"Sa u përket akuzave të keqpërdorimit, ato janë fenomen i tranzicionit në çdo vend në botë."
Ndryshe me rastin e ditës botërore të shëndetësisë, institucione të ndryshme shëndetësore sot në Prishtinë mbajtën një konferencë që ka për temë shëndetin e nënës dhe fëmijës. Sipas këtyre institucioneve, Kosova ka shkallë të lartë të vdekshmërisë së nënave dhe fëmijëve.



XS
SM
MD
LG