Ndërlidhjet

logo-print

KOSOVA DHE MALI I ZI NUK NDËRLIDHEN RECIPROKISHT


Srgjan Kusovac

Karakteristikë e zhvillimeve aktuale në Ballkan janë bisedimet për statusin e Kosovës dhe referendumi në Malin e Zi. Shumë analistë shtrojnë dilemën nëse këto dy zhvillime janë të ndërlidhura, përkatësisht nëse epilogu i referendumit në Malin e Zi do të ketë ndonjë ndikim në statusin e Kosovës dhe anasjelltas?
Në këtë temë kemi siguruar pronocimet e Çarls Kapçën nga Universiteti Xhorxhtaun në Uashington, Kristof Bender analist nga Vjena dhe Fedor Lukanov, redaktor i i revistës moskovite "Rusia në politikën globale".
Analisti amerikan Çarls Kapçën duke folur për ndërlidhjen eventuale ndërmjet referendumit në Malin e Zi dhe statusit të Kosovës thotë:
"Mendoj se këto dy ngjarje janë relativisht të pavarura. Duhet thënë se Kosova është duke shkuar drejt pavarësisë dhe ka mbetur vetëm të shihet se në cilat rrethana, kur dhe çfarë koncesionesh do t'i bëhen Serbisë. Sidoqoftë, zhvillimet në Kosovë dhe Malin e Zi janë të ndara nga njëra tjera, ndonëse unë besoj se deri nga viti i ardhshëm Kosova dhe Mali i Zi, sipas të gjitha gjasave do të jenë shtete të pavarura," thotë Çarls Kupçan, ndërsa analisti nga Vjena Kristof Bender në këtë temë pohon:
"Bashkësia shtetërore Serbi – Mali i Zi që është jetësuar me ndërmjetësimin e Havier Solanës ka pasur një synim – shmangien e zgjidhjes së çështjes së Malit të Zi, para zgjidhjes së problemit të Kosovës. Tash pozicioni i Bashkimit Evropian rreth kësaj çështje ka ndryshuar dhe ata mendojnë se ajo nuk mund të lihet të zgjidhet pas Kosovës", thotë Kristof Bender.
Analisti rus Fedor Lukanov rreth këtyre çështjeve për radion Evropa e Lirë thotë:
"Pozicioni i Rusisë rreth këtyre çështjeve ka ndryshuar në dhjetorin e vitit të kaluar. Presidenti Putin ka bërë të ditur se rasti i Kosovës duhet të jetë universal në çdo aspekt. Nëse pavarësia e Kosovës do të njihet, atëherë të njëjtin trajtim duhet ta kenë edhe Osetia Jugore, Abkhazia, Nagorni Karabaku. Moska e di se këto qëllime janë të parealizueshme. Rusia është e vetëdijshme se vendimi bazë për pavarësinë e Kosovës tashmë është miratuar në perëndim dhe se Moska nuk mund të bëjë asgjë për ta penguar atë. Çështje e hapur mbetet fakti se si do të shfrytëzojë pavarësinë e Kosovës Rusia në rastet e rajoneve ish – sovjetike", thotë Fedir Lukanov.
Pyetjes që këta analistë në vazhdim iu përgjigjën për radion Evropa e Lirë ishte – cili mund të jetë ndikimi i pavarësimit të Kosovës dhe Malit të Zi në situatën e përgjithshme në Ballkan. Analisti amerikan Çarls Kapçën thotë:
"Unë jam optimist i matur sa u përket efekteve që do të pasonin me zgjidhjen e çështjes së Kosovës dhe Malit të Zi. Nëse situata në Kosovë do të stabilizohet kjo do të ketë efekte stabilizuese edhe në Maqedoni. Mendoj se po hapen perspektiva më të ndritshme për gjithë rajonin, ndonëse pres që bashkësia ndërkombëtare, përkatësisht forcat paqësore të mbetet e angazhuar në rajon dhe veçanërisht në Kosovë", konkludon Çarls Kapçën.
Analisti nga Vjena Kristof Bender në këtë temë pohon:
"Është fare e qartë se në disa rajone ballkanike gjërat janë duke ecur pozitivisht. Ajo që ka mbetur të bëhet është skicimi i suazës për anëtarësimin e sa më shumë vendeve ballkanike ose të të gjithave në Bashkimin Evropian. Aspekt negativ është fakti që kohëve të fundit nga Brukseli drejt Ballkanit kanë shkuar mesazhe të hezitimit për t'i pranura në rradhët e Bashkimit Evropian. Pa këtë perspektivë Ballkani nuk mund të ecën përpara", konkludon analisti austriak Kristof Bender.
XS
SM
MD
LG