Ndërlidhjet

R. SMAKA: LUFTA KUNDËR KORRUPSIONIT ËSHTË E HUMBUR NËSE NUK PËRMBUSHET STANDARDI PËR SUNDIMIN E LIGJIT


Nadie Ahmeti, Prishtinë

Qytetarët në Kosovë thonë se në shumë raste paguajnë mito në mënyrë që të marrin një dokument ose të kryejnë çfarëdo pune, të cilat, institucionet e shërbimeve publike janë të detyruara t’i bëjnë.
Besim Gashi, student në Universitetin e Prishtinës, pohon se korrupsioni në Kosovë shihet në mënyrë të hapur dhe askujt nuk i pengon.
“Kur jemi tek korrupsioni. Mundesh të shohësh njerëzit që janë aktualisht në qeveri. Pyetja që të vjen ndërmend është shumë e thjeshtë. Çka kanë pasur para se të vinin në qeveri dhe çka kanë tani, edhe sa kanë të ardhura? Kjo mendoj se e sjell rezultatin e korrupsionit në Kosovë”, tha zoti Gashi.
Zoti Gashi është përballur edhe vetë me korrupsionin, gjatë përgatitjes së dokumentacionit për të kërkuar pension për babanë e tij, të cilit edhe pse i ka takuar pensioni, është dashur të japë mito për një gjë të këtillë.
“Rast konkret e kam babin tim, që është në pension. Në çdo vend që shkon, në qoftë se nuk e ka personin që e njeh, ose nuk hyn ryshfeti është e pamundshme. Ose duhet me prit dy-tre vjet", tha zoti Gashi.
Edhe një qytetar tjetër, Mustafë Emini, thotë se korrupsioni është duke u shtrirë në të gjitha nivelet.
“Mua personalisht nuk më ka ndodhur. Por kam patur rast të punoj në Kuvendin Komunal të Prishtinës, ku qytetarët haptas tregojnë se kanë qenë të manipuluar, ata janë detyruar të japin para për t’i kryer shërbimet", tha zoti Emini.
Riza Smaka, ekspert për çështje juridike thotë se ekziston dyshimi i bazuar se korrupsioni është i përfshirë në masë të madhe në të gjitha strukturat.
“Shkaqet janë mëse të shumta. Shkaqet janë të karakterit psikologjik, kulturor, social, të karakterit shoqëror, ekonomik edhe të atij juridik. Për derisa nuk e kemi një etnitet politik, i cili sundon ligjin, këto janë të mundshme të lulëzojnë të papengueshme,” tha zoti Smaka.
Ky fenomen, tha zoti Smaka, është jashtëzakonisht i dëmshëm, në kohën në të cilën gjendet Kosova, me procesin që është duke u zhvilluar për përcaktimin e statusit përfundimtar.
"Korrupsioni është një fenomen shoqëror i dëmshëm, i rrezikshëm, i pamoralshëm, ilegal, i paligjshëm, jashtëzakonisht denigrues dhe degradues për Kosovën dhe kosovarët dhe për çështjen e Kosovës, e veçanërisht në aktualitet”, tha zoti Smaka.
Lufta kundër korrupsionit nuk mund të fitohet nëse fillimisht nuk përmbushet standardi mbi sundimin e ligjit, thotë zoti Smaka, duke tërhequr vërejtjen se edhe institucionet, të cilat janë kompetente për të luftuar korrupsionin janë të korruptuara.
“Sepse sundimi i ligjit praktikisht e siguron realizimin e të gjitha premisave politike dhe shoqërore të një shteti”
Përveç kësaj, zoti Smaka thotë se edhe vetë qytetarët duhet të jenë më këmbëngulës në luftën kundër korrupsionit.
“Në linjën e parë të fronit anti- korrupsion janë policia, inspektorati, gjykatat, prokuroria. Mirëpo këto nuk mund të bënin as një pjesë të punës së vet, pasi të gjithë qytetarët e Kosovës do të duhej të ishin të aktivisht të mobilizuar në luftën anti-korrupsion", tha zoti Smaka.
Lufta kundër korrupsionit, mund të fitohet vetëm me një bashkëveprim të përgjithshëm dhe assesi me qëndrime deklarative, thotë zoti Smaka.
XS
SM
MD
LG