Ndërlidhjet

ALBERT ROHAN NË KËRKIM TË KONCESIONEVE


Arbana Vidishiqi

Zëvendësi i të dërguarit të posaçëm të Kombeve të Bashkuara për statusin, Albert Rohan, me vete do të sjellë një dokument përmbledhës të diskutimeve që janë zhvilluar deri më tash në katër raundet e bisedimeve midis Prishtinës dhe Beogradit mbi decentralizimin. Hua Jiang, zëdhënëse e kryenegociatorit Martti Ahtisaari, ka thënë se duke marrë parasysh hendekun e thellë në mes të të dyja palëve, gjatë qëndrimit në Beograd dhe në Prishtinë zoti Rohan do të përpiqet të arrijë ndonjë kompromis. “Dallime në qëndrime ka në çdo rrafsh, por bisedimet në raundin e fundit kanë qenë të përqëndruara në përcaktimin e kufijve të komunave të reja dhe mendoj se zoti Rohan do të përpiqet që në këtë çështje të kërkojë koncesione nga të dyja palët”, tha zonja Jiang, duke shtuar se ka hapësirë të mjaftueshme për kompromise të caktuara. Koncepti i palës kosovare parasheh zgjerimin e një komune dhe krijimin e tre të tjerave, përfshirë këtu edhe njësinë komunale në veri të Mitrovicës; Beogradi parasheh krijimin e 14 komunave të reja, përfshirë këtu edhe bashkimin e pjesës veriore të Mitrovicës me komunën e Zvecanit. Zonja Jiang ndërkaq nuk ka dashur të japë vlerësime se cili koncept është më real. “Ne shpresojmë se të dyja palët do të jenë më fleksibile dhe presim koncesione të mëtutjeshme”, tha zonja Jiang, duke mos dashur të spekulojë se cilët do të jenë hapat e ardhshëm të negociatorëve ndërkombëtarë në hartimin e versionit përfundimtar të marrëveshjes mbi decentralizimin. Bisedimet rreth këtij procesi tani e tutje pritet të zhvillohen nëpërmjet asaj që quhet diplomaci fluturuese, megjithëse të gjitha opsionet mbeten të hapura.
“Nëse të dyja palët duan të kenë më shumë bisedime, atëherë do të shohim nëse një gjë e këtillë është e mundshme, por mendoj se duhet të presim deri në përfundim të vizitës së zotit Rohan për të marrë vendime të tjera”, tha zëdhënësja e zotit Ahtisaari. Grupi Negociator për statusin e Kosovës ndërkohë ka filluar një takim për të shqyrtuar pozicionin e palës kosovare karshi propozimeve të negociatorëve ndërkombëtarë për arritjen e kompromiseve.
XS
SM
MD
LG