Ndërlidhjet

QEVERIA E KOSOVËS SHPREHET E KËNAQUR NGA VLERËSIMI I STANDARDEVE


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Qeveria e Kosovës pret vlerësim pozitiv teknik dhe politik të standardeve nga Këshilli i Sigurimit, ndërkohë që do të bëhen përpjekje që të përmbushen standardet sidomos në fushat që janë pjesë e rekomandimeve të Grupit të Kontaktit dhe UNMIK-ut, thanë sot zyrtarë të qeverisë së Kosovës, pas një takimi të grupeve për standardet, në të cilin mori pjesë edhe kryeministri i Kosovës, Agim Çeku. Koordinatori për standardet i qeverisë së Kosovës, Avni Arifi tha se në fillim të këtij muaji qeveria ka marrë vlerësimin teknik të përmbushjes së standardeve dhe më 20 qershor është seance e Këshillit të Sigurimit që bazohet në vlerësimin teknik dhe në vlerësimin politik. Prandaj institucionet e Kosovës po shikojnë që të arriturat e kësaj periudhe të inkorporohen në vlerësimin e përgjithshëm të Këshillit të Sigurimit:
"Besojmë se lista e rezultateve që do t’u dërgohet si azhornim i vlerësimit teknik do të jetë një listë e gjatë dhe besojmë se edhe ky vlerësim në Këshillin e Sigurimit do të jetë pozitiv".
Zoti Arifi tha se institucionet e Kosovës nuk kanë marrë kritika në vlerësimin teknik, por vetëm inkurajime edhe është vërejtur një synim i zotit Petersen që procesi i jetësimit të standardeve të shtyhet përpara, ndërkohë që inkurajime të tilla drejtuar institucioneve ka bërë edhe Grupi i Kontaktit:
"Ekziston një bindje se mund të bëhet edhe më shumë dhe kjo nuk është bindje vetëm e faktorit ndërkombëtar, por edhe e kryeministrit dhe qeverisë, por se ka ngecje në përmbushjen e standardeve është se jo nuk ka kritika".
Zoti Arifi tha se qeveria e Kosovës ende nuk i ka marrë rekomandimet përmes një liste të veprimeve të shpejta që do të mund të ndërmerreshin përpara mbledhjes së Këshillit të Sigurimit:
"Ne jemi duke e pritur atë listë dhe besojmë se ajo do të jetë në proporcion me aktivitetet që ne vazhdimisht i kemi pasur pas çdo vlerësimi teknik, pra të përqëndrohemi në sfidat që janë përmendur në vlerësimin teknik".
Koordinatori për standardet Avni Arifi tha se ekziston plani i veprimit deri në fund të majit dhe po punohet për përmbushjen e atij plani dhe plani është përpiluar nga grupet punuese në bashkëpunim me UNMIK-un, ndërkohë që në mbledhjen e sotme, sipas tij është konstatuar përparim në të gjitha standardet. Zoti Arifi tha se standardet që kanë të bëjnë me minoritetet janë kërkesat kryesore të bashkësisë ndërkombëtare:
"Periudha në të cilën gjendemi, po flasim edhe për rekomandimet e Grupit të Kontaktit apo sugjerimet e tyre, janë që të koncentrohemi më shumë në çështje minoritare dhe kjo është ajo që po merr më së shumti energji në institucionet e Kosovës".
Zyrtarë ndërkombëtarë disa herë kanë theksuar se krahas procesit për përcaktimin e statusit, duhet të vazhdojë edhe përmbushja e standardeve. Në mbledhjen e 20 qershorit të Këshillit të Sigurimit bashkë me shefin e UNMIK-ut Soren Jessen Petersen do të shkojë edhe kryeministri Agim Çeku, që do të jetë kryeministri i dytë i Kosovës që merr pjesë në mbledhje të Këshillit të Sigurimit, pas ish-kryeministrit Bajram Kosumi.
XS
SM
MD
LG