Ndërlidhjet

logo-print

MALI I ZI: NË PRITJE TË REFERENDUMIT


Charles Recknagel

Të dielën më 21 maj, në Mal të Zi mbahet referendumi për pavarësinë e këtij vendi nga Serbia. Bashkimi Evropian ka thënë se do ta njohë këtë republikë si të pavarur nëse 50 përqind e votuesve të ligjshëm dalin në votime dhe nëse 55 përqind prej tyre votojnë për vetëqeverisje. Referendumi është një çast emocional për popullin malazez, i cili tashmë ka valutën dhe parlamentin e ndarë nga Serbia, por në të njëjtën kohë ka lidhshmëri gjuhësore dhe kulturore me të.
Përpara vetes, votuesit në Mal të Zi kanë dy përgjigje të thjeshta, “po” ose “jo” për pavarësinë. Qeveria që udhëhiqet nga kryeministri Milo Gjykanoviq është duke bërë thirrje që Mali i Zi të shkëputet nga Serbia dhe të rifitojë sovranitetin që e ka gëzuar deri më 1918.
“Mali i Zi nuk do të zhduket, por do të rikthehet me kryeqytetin e vjetër Cetinjen si një shtet i pavarur dhe i njohur ndërkombëtarisht, me një komunitet të lumtur dhe të pasur për të gjithë qytetarët. Mali i Zi evropian, do të jetë në miqësi me Serbinë dhe në fqinjësi të mirë me çdokënd", ka thënë zoti Gjukanoviq. Por, udhëheqësit e opozitës gjithashtu janë duke shfrytëzuar argumente historike në qëndrimet e tyre për të mbetur në bashkësi me Serbinë.
Predrag Bulatoviq thotë se ata që angazhohen për pavarësinë e bëjnë këtë për përfitime personale, në kurriz të vëllazërisë tradicionale midis popullit malazez dhe atij serb.
"Përgjigja ‘jo’ më 21 maj nënkupton ruajtjen e unitetit shtetëror të Serbisë dhe Malit të Zi, diçka që ka gjithnjë ka qenë ëndërr e të gjithë njerëzve të mëdhenj të Malit të Zi dhe Serbisë. Separatistët, pa kurrfarë turpi dhe frike nga zoti dhe populli, pohojnë se historia u jep atyre të drejtën për të krijuar një shtet të pavarur malazez”, ka thënë zoti Bulatoviq. Historia, ka shtuar ai, "jep të drejtën për të ndalur qeverinë dhe njerëzit përreth saj, të angazhuar në kontrabandimin e duhanit dhe plaçkitje të pasurisë kombëtare, për të krijuar një shtet privat”.
Të dyja palët thonë se do të fitojnë në referendum, por vëzhguesit pohojnë se gara do të jetë e ngjeshur. Korrespondenti i Radios Evropa e Lirë në Podgoricë, Petar Komneniç, thotë se të dyja palët përfaqësojnë elemente të ndryshme të shoqërisë…
“Shoqëria është përfundimisht e ndarë. Por, ajo që është tani e qartë është se ata që angazhohen për sovranitet, përreth vetes kanë intelektualë, punonjës kulture, aktorë, këngëtarë dhe futbollistë të njohur; pala tjetër ndërkaq ndërkaq përfaqëson njerëzit e rëndomtë”, thotë Komneniç.
Në aspektin struktural, të dyja republikat janë pothuajse të ndara, të dyja kanë parlamente të veçanta, valuta dhe shërbime të veçanta doganore. Serbia shfrytëzon dinarin, kurse Mali i zi euro-n. Por, të dyja republikat gjithashtu kanë lidhje të ngushta gjuhësore dhe fetare dhe ndajnë të njëjtën forcë ushtarake dhe shërbimet diplomatike. Agjencia e lajmeve Reuters njofton se 43 përqind e popullatës thotë se janë malazezë, 32 përqind thotë se janë serbë kurse të tjerët janë boshnjakë, shqiptarë dhe grupe të tjera etnike. Grupet e vogla etnike sikur që janë shqiptarët pritet të votojnë për pavarësinë e Malit të Zi. Mehmet Bardhi, udhëheqës i Lidhjes Demokratike të shqiptarëve në Mal të Zi, ka shpjeguar për agjencinë Reuters pozitën e këtij komuniteti.
"Nëse shqiptarët në Mal të Zi janë 7 përqind, nëse do të ishin në Serbi me 8 milionë banorë do të ishin të pahetueshëm praktikisht, nuk do kishin ndikim".
Brukseli thotë se do ta njohë pavarësinë e Malit të Zi nëse në votimet e së dielës dalin 50 përqind të votuesve të ligjshëm dhe nëse 55 përqind prej tyre votojnë në favor të pavarësisë.
Kryeministri serb, Vojisllav Koshtunica, ka kërkuar nga malazezët që të votojnë për të mbetur në bashkësi me Serbinë, duke i quajtur lidhjet në mes të të dyja republikave si të pathyeshme. Nuk është akoma e qartë nëse Beogradi do të hakmerret kundër Podgoricës në rast të ndarjes, por gjasat për hakmarrje janë të zbehta me vetë faktin se Mali i Zi është e vetmja dalje e Serbisë në det, gjë që e bën bashkëpunimin një domosdoshmëri praktike.

XS
SM
MD
LG