Ndërlidhjet

ME BEOGRADIN MUND TË BISEDOHET DREJTPËRDREJT VETËM PËR ÇËSHTJE TEKNIKE


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Qëllimi i partive politike dhe i institucioneve të Kosovës është krijimi i shtetit të pavarur, ndërsa në këtë proces me Beogradin mund të bisedohet vetëm për zgjidhjen e çështjeve teknike, thonë politikanët në Kosovë. Këto komente i bëri për radion Evropa e Lirë, zëdhënësi i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ernest Luma, duke komentuar disa deklarimet të fundit të Beogradit zyrtar, se krahas bisedimeve për çështjet teknike duhet të nisin bisedimet e drejtpërdrejta për statusin e Kosovës:
"Ne që prej fillimit kemi thënë që me Beogradin direkt jo, por me ndërmjetësimin e bashkësisë ndërkombëtare, pra me prezencën e bashkësisë ndërkombëtare si faktor i tretë, mund të ndodhin kontakte, bisedime me të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me të ardhmen e Kosovës dhe statusin përfundimtar të saj, por jo direkt për statusin e Kosovës".
Zoti Luma thotë se mandati i faktorit politik të Kosovës është realizimi i vullnetit politik të popullit të Kosovës për formimin e shtetit të pavarur.
Përndryshe, tashmë kanë nisur bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për decentralizimin, me ndërmjetësim ndërkombëtar, ndërsa priten edhe bisedime për trashëgiminë kulturore, mbrojtjen e pakicave, si dhe për çështje ekonomike. Mirëpo, kohët e fundit nga Beogradi vijnë deklarata se është i domosdoshëm fillimi i bisedave të drejtpërdrejta ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit për statusin. Udhëheqjësja e Qendrës Koordinuese të Serbisë për Kosovë, Sanda Rashkoviq-Iviq, ka thënë së fundi se Beogradi angazhohet që krahas bisedimeve për decentralizimin të fillojnë edhe bisedat për statusin.
Bartësi i Listës Serbe për Kosovën e Metohinë Oliver Ivanoviq, tha se bisedimet as mund të përshpejtohen as të ngadalësohen, por do të zhvillohen sipas dinamikës së përcaktuar nga bashkësia ndërkombëtare:
"Sipas meje është e pakuptimtë të shprehen dëshira dhe qëndrime të tilla, si dhe mendoj se bisedimet për statusin do të jenë të vështira dhe dhe nuk do të përfundojnë shpejt," tha Ivanoviq, sipas të cilit deklaratat e tilla vetëm sa shkojnë në dëm të një atmosfere eventuale për gjetjen e ndonjë kompromisi.
Fadil Maloku, nga Instituti për Demokraci dhe Marrëdhënie Etnike tha se është me shumë rëndësi propozimi i Beogradit për nisjen e bisedave për statusin:
"Unë këtë e shoh një rezultat të presionit të qendrave të vendosjes se përcaktimi i statusit politik, dhe për t'u krijuar domethënë siguria në të gjithë rajonin, patjetër duhet të mbyllet kapitulli i përcaktimit të statusit politik."
Ndërkaq, Ernest Luma mendon se me gjakderdhjen e shkaktuar në Kosovë gjatë vitit 1999, Beogradi i ka humbur të gjitha të drejtat për të folur për statusin e Kosovës:
"Statusi i Kosovës bën përjashtim. Beogradi nuk është më partner në këto çështje. Për statusin e Kosovës dhe çdo diskutim tjetër ai mund të jetë vetëm dëshmitar. Pra të shohë dhe të hetojë atë që po ndodh në këtë proces. Pavarësia e Kosovës është vullnet i patjetërsueshëm dhe i paalternativë i popullit të Kosovës".
Sipas Fadil Malokut, tashmë është e qartë se nga bashkësia ndërkomëbatre vijnë sinjale për njëfarë kushtëzimi për pavarësinë:
"Çështja e përcaktimit të statusit politik konsideroj se është në të gjitha agjendat ndërkombëtare, duke filluar prej Këshillit të Sigurimit, Grupit të Kontaktit. Në qëndrat e ndryshme të vendosjes veç ka hyrë si pavarësi, në kuptimin e plotë të fjalës, domethënë me atë paradigmën e kushtëzuar".
Dhe ndërkohë që në procesin negociues nuk vendoset vetëm për statusin, por edhe për pozitën e serbëve dhe të ardhmen e tyre në Kosovë, shtrohet pyetja se cili do të jetë roli i përfaqësuesve serbë në këtë proces. Sipas zotit Ivanoviq, roli i serbëve të Kosovës në procesin negociues mund të jetë i një rëndësie të madhe:
"Është e sigurt se bisedimet për statusin me këso roli aktiv të serbëve të Kosovës do të kishin shanse më shumë për të çuar kah kompromisi," tha Ivanoviq, duke shprehur dyshimin se në këtë mënyrë si po shkojnë punët tani, palët të jenë afër ndonjë zgjidhjeje që do të ishte e pranueshme për njërën dhe për palën tjetër.

XS
SM
MD
LG