Ndërlidhjet

logo-print

PRISHTINA OFRON GARANCA TË PLOTA PËR TRASHËGIMINË KULTURORE DHE FETARE


Zijadin Gashi, Prishtinë

Kosova ofron garanci të plota për mbrojtjen e monumenteve të trashëgimisë kulturore e religjioze dhe këtë do ta paraqesë dhe në takimin e 23 majit në Vjenë, ka thënë sot zëdhënësi i ekipit negociator për statusin, Skënder Hyseni. Ekipi kosovar për statusin ka shqyrtuar dhe miratuar sot dokumentin bazë, me të cilin do të paraqitet në takimin e Vjenës me palën nga Beogradi, ku do të diskutohet për trashëgiminë kulturore. Hyseni tha se Prishtina i ka bërë të gjitha përgatitjet për këtë takim:
“Pala kosovare ofron garanci dhe ajo përmbahet edhe në korpusin e parimeve themelore që sot i ka aprovuar ekipi negociator. Pala kosovare garanton mbrojtje të plotë sipas konventave e standardeve më pozitive ndërkombëtare të gjithë korpusit, sfondit të objekteve kulturore e religjioze, me të cilat Kosova është shumë e pasur dhe me të cilat duhet të krenohet, e në të cilat bie edhe trashëgimia religjioze ortodokse serbe në Kosovë”, tha Hyseni.
Po në lidhje me përmbajtjen e dokumentit të miratuar, kryesuesi i ekipit kosovar për takimin mbi trashëgiminë kulturore, Ylber Hysa, tha se ky draft paraqet marrjen e përgjegjësive nga ana e institucioneve të Kosovës për monumentet e trashëgimisë kulturore:
“Dokumenti mëton që të marrë mbi vete përgjegjësinë dhe rolin që institucionet kosovare dëshirojnë ta kenë karshi trashëgimisë kulturore duke garantuar një varg beneficionesh të ndryshme dhe përgjegjësish që dalin nga ky proces”, tha Hysa.
Ndërkohë që trashëgimia kulturore do të hapet si çështje bisedimesh në takimin e radhës në Vjenë, çështja e decentralizimit dhe e ri-organizimit të kufijve të komunave mbetet ende aktuale, pavarësisht se bisedimet Prishtinë – Beograd për këtë pikë kanë përfunduar. Sipas, Skënder Hysenit, harmonizimi i qëndrimeve të palës kosovare me zëvendësin e të dërguarit të Kombeve të Bashkuara për statusin, Albert Rohan, për formimin e një ekipi të ekspertëve, nuk është shenjë treguese e arritjes së kompromiseve, por se ky ekip, sipas tij, do të analizojë format më të mira për funksionalizimin e komunave, sidomos atyre me shumicë serbe, me ç'rast do të propozohen dhe ndryshime të kufijve komunalë, gjithashtu:
“Nuk do ta quaja kompromis. Ajo që ne po synojmë me themelimin e komunave të reja, është vërtetë që ta funksionalizojmë jetën e qytetarit në nivelin komunal. Ne jemi pajtuar që në nivel të ekspertëve të vazhdohet të bisedohet për përsosjen e komunave dhe propozimeve që ne i kemi dhënë. Një propozim, ta zëmë komunës së Graçanicës mund t’i hiqet a shtohet një zonë kadastrale, apo komunës së Novobërdës t’i shtohet a t’i hiqet një zonë. Do të thotë, ekspertët, demografët, ta analizojnë gjendjen në terren, si do të funksionojë një komunë më mirë, pa ose me një zonë tjetër kadastrale. Për këtë bëhet fjalë dhe për asgjë të re nuk bëhet fjalë, për ndonjë konspiracion të madh”, tha Hyseni.
Në anën tjetër, anëtari i ekipit negociues, Veton Surroi tha se serbët e Kosovës i kanë shprehur ditëve të fundit disa pakënaqësi në lidhje me procesin e Vjenës dhe bisedimet për decentralizimin. Surroi i cili kryeson Këshillin Konsultativ për Komunitete tha se pritet që ditëve në vijim serbët e Kosovës t’i paraqesin dhe vizionet dhe interesat e tyre lidhur me procesin e decentralizimit:
“Serbëve të Kosovës ne ua kemi thënë që nga fillimi se kur ata t’i trajtojnë interesat e tyre nëpërmjet dialogut të brendshëm ata trajtohen si qytetar të Kosovës, por nëse interesat e tyre përfaqësohen nga Beogradi, atëherë përfaqësohen nga një shtet i huaj
dhe atëherë edhe qëndrimi ynë është pak më ndryshe”, tha Surroi.
Duke komentuar vizitën e djeshme të zëvendësit të dërguarit të Kombeve të Bashkuara për statusin e Kosovës, Albert Rohan, zëdhënësi Skender Hyseni tha se pala kosovare nuk është e befasuar aspak me propozimet e zotit Rohan. Ide të tilla, tha ai, janë prezantuar në vazhdimësi nga ana e ekipit të ish presidentit Marti Ahtisari. Marrë para sysh që procesi i negociatave po kalon në një fazë më intensive, sipas Hysenit, nismat e reja, ballafaqimi i argumenteve dhe pozicionet për dhe kundër do të jenë karakteristika të procesit negociator.



XS
SM
MD
LG