Ndërlidhjet

GRUNET: PJESËMARRJA NË REFERENDUMIN E MALIT TË ZI ËSHTË E LARTË


Në Mal të Zi po vazhdojnë nga mëngjesi i sotëm votimet për referendumin për pavarësi. Qytetarët duhet t'i përgjegjen me po ose jo pyetjes "A dëshironi që Mali i Zi të jetë shtet i njohur ndërkombëtarisht me të gjitha të drejtat dhe detyrimet?
Nga ecuria e deritashme e votimit vëzhguesit thonë se pjesëmarrja në votime është e madhe. Kjo merr rëndësi të veçantë kur dihet se së paku gjysma e personave me të drejtë vote duhet të marrin pjesë ne votimet e sotme që referendumi të quhet i vlefshëm. Lidhur me pjesëmarrjen, për radion "Evropa e Lirë", shefi i zyrës së OSBE-së në Mal të Zi Jorgen Grunet thotë:
"Indikacionet janë se pjesëmarrja do jetë shumë e lartë. Siç e dini kërkesa është që 50% e votuesve duhet të marrin pjesë në mënyrë që referendumi të jetë i vlefshëm. Mendoj se do tejkalohet së tepërmi kufiri prej 50%. Kjo lidhet me interesin e gjerë për këto zgjedhje. Kemi raporte nga policia se qysh në orët e para të mëngjesit ka pasur rradhë të gjata të votuesve."
E njëjtë paraqitet gjendja dhe në zonat ku banojnë shqiptarët.
"Në Plavë, Rrozhajë, Malësi, Tivar, Krajë dhe në Ulqin mund të them se përgjigjja është serioze, pra ka dalje bukur të mirë në vendvotime", thotë për programin tonë Mehmet Bardhi kryetar Lidhjes Demokratike të Shqiptarëve në Mal të Zi dhe deputetet në Kuvendin republikan.
Megjithë interesin e madh të votuesve burimet nga terreni flasin për ecuri të qetë e pa incidente të votimeve.
"Votimi ka filluar mëngjesin e sotëm në ora 7. Situata është e qetë në gjithë vendin dhe nuk kemi informacione për shqetësime. Nga rreth 1120 qendra votimi vetëm njëra prej tyre është hapur me vonesë." thotë për Evropën e Lirë, kreu i OSBE-së në Podgoricë.
Të njëjtin mendim ka dhe zoti Bardhi për zonat ku jetojnë shqiptarët.
"Tash për tash nuk është regjistruar ndonjë incident. Kemi disa vështirësi të vogla veçanërisht për identifikimin e zgjedhësve, opir nuk ka raporte nga terreni për ndonëj incident", thotë z.Bardhi
Rreth një e treta e popullsisë në Mal të Zi është e kombësisë serbe dhe pritet që ky grupim të votojë kundër ndarjes nga Serbia, derisa analistët besojnë se pakicat e tjera përkatësisht ajo shqiptare dhe ajo myslimane do të mbështesin pavarësinë e Malit të Zi. Por pavarësisht interesit për referendumin dhe kushtit të dytë që së paku 55% e votuesve duhet të votojnë pro pavarësisë në mënyrë që Mali i Zi të ketë të drejtë të shkëputet nga Serbia në Mal të Zi mbretëron një atmosferë e qetë.
"Është një atmosferë e zakonshme, por me një theks që njerëzit janë të interesuar që të dalin e të votojnë", thotë Mehmet Bardhi.
Sipas kreut të OSBE-së në Podgoricë, Grunet ushtria e cila është e përbashkët për bashkësinë shtetërore Serbi e Mali i Zi ka deklaruar para këtyre votimeve se do të jetë asnjëanëse dhe këtë qëndrim ka mbajtur deri tani.
"Më duhet të them se nuk kam asnjë informacion për ndërhyrje qoftë edhe të një ushtari të vetëm apo të ndonjë njësie ushtarake", pohon Grunet.
Votimet për referendumin përfundojnë në ora 21, megjithatë qendrat e votimit do mbeten të hapura nëse ka ende votues në rradhë. Pas mbylljes së votimit fillon procedura e numërimit të votave, derisa për rezultatet Grunet sqaron:
"Njerëzit të cilët kanë përvojë me votimet në Mal të Zi thonë se gjithçka do të jetë e përfunduar pas orës 11. Megjithatë nuk e dimë nëse ky do jetë rezultati përfundimtar." përfundon Grunet.

Ilirjana Bajo
XS
SM
MD
LG