Ndërlidhjet

PODGORICË


Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Mal të Zi tha se rezultatet preliminare tregojnë se 55.4% e votuesve i kanë thënë "PO" pavarësimit nga Serbia. Nëse të dhënat konfirmohen zyrtarisht, atëherë kjo nënkupton se Mali i Zi ka votuar për t'i dhënë fund bashkësisë me Serbinë dhe kjo paraqet coptimin e fundit të asaj që ka mbetur nga Jugosllavia e vjetër.
"Për pavarësinë e Malit të Zi kanë votuar 55.4% e qytetarëve. 44.6% e qytetarëve votuan për bashkësinë shtetërore", deklaroi Frantishek Lipka, kryetar i Komisionit Republikan të Zgjedhjeve.
"Do të doja të them se deri tash nuk kemi pranuar asnjë ankesë lidhur me referendumin, gjë që është e rëndësishme", tha Lipka, një diplomat sllovak, i cili në këtë detyrë është emëruar nga Bashkimi Evropian.
Por Komisioni tërhoqi vërejtjen se kanë mbetur për t'u numëruar edhe votat nga 45 njësi votimi me rreth 25 mijë votues, ndaj dhe rezultati mund të ndryshojë.
Ky vlerësim i organit më të lartë zgjedhor në Mal të Zi e plotëson pragun prej 55%, të caktuar nga BE-ja që referendumi të jetë i vlefshëm.
Kryeministri Millo Gjukanoviq e ka pohuar fitoren dhe mbështetësit e pavarësisë festuan në Podgoricë.
Udhëheqësi i bllokut kundër pavarësimit, Predrag Bullatoviq, ka refuzuar ta pranojë humbjen.
Në Bruksel, zyrtarë të BE-së kanë thënë se nëse konfirmohen rezultatet preliminare, atëherë Bashkimi Evropian do të kërkojë nga Mali i Zi dhe Serbia që t'i fillojnë bisedimet për ndarjen e këtyre dy ish republikave jugosllave.
XS
SM
MD
LG