Ndërlidhjet

SHTYPI NDËRKOMBËTAR PËR REFERENDUMIN E MALIT TË ZI


Me konfirmimin e rezultateve për pavarësinë, 15 vjet pas fillimit të shpërbërjes së Jugosllavisë, Mali i Zi do të jetë republika e fundit që ndahet me Serbinë. E përditshmja “New York Times” shkruan se ndarja e Malit të Zi do t’i japë fund edhe federatës së çuditshme me Serbinë, e cila është krijuar me trysninë e Bashkimit Evropian. Përderisa diplomatët dhe analistët thonë se referendumi do të krijojë më në fund marrëdhënie më të qarta në mes të Malit të Zi dhe Serbisë, vota për pavarësinë gjithashtu shihet si goditje kundër kryeministrit nacionalist të Serbisë, Vojisllav Koshtunica, në një periudhë kritike për të. Gazeta citon analistin politik në Beograd, Bratislav Grubaciç, të ketë thënë se “në aspektin psikologjik, është e rëndësishme për Serbinë që t’i japë fund procesit, nëpërmjet të cilit, çdokush dëshiron të ndahet nga Serbia. Kjo natyrisht dobëson edhe pozicionin e zotit Koshtunica në Kosovë”.
E përditshmja tjetër “The Guardian” shkruan se pavarësia e Malit të Zi do të vërtetojë se Serbia është humbësi më i madh nga shpërbërja e Jugosllavisë. Ajo ka nisur katër luftëra për të shndërruar Jugosllavinë në një Serbi të Madhe, por në fund do të mbetet me vetveten. “Serbia mundet vetëm të bëjë sehir derisa gjërat vihen në peshore”, ka thënë analisti Boshko Jakshiq, duke bërë thirrje që ndoshta ka ardhur koha që të varroset e kaluara. Gazeta shkruan se liberalët në Beograd pajtohen se shkëputja e Malit të Zi dhe e Kosovës do t’i japë mundësi Serbisë që të përqëndrohet në reforma dhe rindërtimin e brendshëm pas 15 vjet shkatërrimesh dhe luftërash. Por, nacionalistët në pushtet e shohin Malin e Zi dhe Kosovën si pjesë përbërëse të Serbisë dhe janë të papajtueshëm me humbjen e tyre.
Gazeta “Times” ndërkaq shkruan se energjia që është investuar në grumbullimin e votave nga të dyja kampet - për pavarësinë nga Serbia apo mbetjen në bashkësi me të - flet edhe për rëndësinë e identitetit në Ballkan, në një territor ku kufijtë kanë pësuar ndryshime të vazhdueshme gjatë shekullit të kaluar.
XS
SM
MD
LG