Ndërlidhjet

WISNER: SHBA-TË SYNOJNË ZGJIDHJEN E STATUSIT BRENDA 2006-ËS


Zijadin Gashi, Prishtinë

Përfaqësuesi special i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për statusin e Kosovës, ambasadori Frank Wisner, e ka përsëritur sot në Prishtinë qëndrimin e qartë amerikan, me të cilin kërkohet që statusi i Kosovës të përcaktohet gjatë këtij viti. Pas takimeve që Wisner zhvilloi me udhëheqësit më të lartë kosovarë e më pas dhe me ekipin negociues për statusin, Wisner tha se qeveria amerikane, e mbështet misionin negociator të presidentit Marti Ahtisari dhe pret që procesi të përmbyllet me sukses duke arritur dhe zgjidhjen për statusin e Kosovës:
“Përkushtimi amerikan është që të arrihet zgjidhja e statusit dhe kjo të ndodhë brenda këtij viti”, tha Wisner. Ai kërkoi nga delegacioni i Kosovës që paraprakisht t’i zgjidhë të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me pakicat, në mënyrë që procesi të ecë sipas dinamikës së parashikuar. Në këtë aspekt, Wisner kërkoi nga palët në bisedime që të vazhdojnë pa hezitim në adresimin e të gjitha çështjeve që kanë të bëjnë me statusin, të cilat i ka përcaktuar në agjendën e tij dhe presidenti Ahtisari:
“Presidenti i Kosovës dhe unë jam i sigurt se pajtohemi se duhet të vazhdohet me negociatat, të adresohen çështjet që janë në tavolinën e bisedimeve, siç janë reformat në nivelin komunal, trashëgimia kulturore, ekonomia dhe çështjet e tjera që kanë të bëjnë me të drejtat e pakicave”, tha Wisner.
Në anën tjetër, presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu tha se mirëpriste një angazhim të vazhduar të Shteteve të Bashkuara në procesin e statusit të Kosovës:
“Mund të them se krahas asaj që kemi biseduar për takimet e Vjenës dhe nevojat e nxitimit të mëtejshëm me kualitet për të përfunduar thjesht këtë cikël, po ashtu u bisedua edhe rreth temës që do të kemi për trashëgiminë kulturore, historike dhe religjioze, për kujdesin tonë që kemi ndaj minoriteteve dhe përkushtimin tonë që kjo qasje të mbështet në standardet ndërkombëtare të përgjithshme, të pranueshme”, tha Sejdiu.
Ambasadori Frank Wisner ka takuar më pas ndaras dhe liderin e PDK-së Hashim Thaçin. Pas këtij takimi, Wisner tha se deri në zgjidhjen e statusit, Prishtina zyrtare duhet të angazhohet në krijimin e miqësisë dhe mirëkuptimit ndërmjet komuniteteve në Kosovë. Plotësimi i standardeve, rregullimi i çështjeve pronësore, liria e lëvizjes për minoritetet, çështjet e legjislacionit për religjionin dhe për gjuhën, si dhe masat e qeverisë kundër korrupsionit, janë përmendur nga Wisner, si hapa të domosdoshëm që Prishtina zyrtare duhet t’i ndërmarrë ndërkohë.
Kurse Hashim Thaçi tha se e çmonte lart përkushtimin amerikan që statusi të zgjidhet brenda vitit 2006, çka sipas tij përputhet dhe me insistimet e vazhdueshme kosovare:
“Pala kosovare duhet të jetë fleksibile, duhet të jetë e angazhuar në kuptimin më afirmativ që të arrijë atë që duhet arritur, në mënyrë që të kemi një reformim të pushtetit lokal sipas standardeve ndërkombëtare. Unë besoj se nga pala kosovare ekziston vullneti i mirë që të përfundojë kjo çështje sa më parë që është e mundur, pastaj edhe për trashëgiminë kulturore edhe për ekonominë dhe deri në qershorit të përfundojnë këto çështje, në mënyrë që menjëherë të vazhdojmë me çështjen e statusit politik”, tha Thaçi.
Ambasadori Frank Wisner ka takuar më pas në takime të ndara dhe përfaqësuesit e pakicave të tjera si dhe përfaqësuesit e Listës serbe. Pas Prishtinës, ambasadori amerikan do të vazhdojë turneun e tij diplomatik në Budapest, Bukuresht e Sofje, ku statusi i Kosovës do të jetë temë qendrore e diskutimeve.


XS
SM
MD
LG