Ndërlidhjet

SANADER DHE BUÇKOVSKI MBËSHTETIN VULLNETIN E QYTETARËVE TË MALIT TË ZI


Isuf Kadriu, Shkup

Kryeministrat e Maqedonisë dhe Kroacisë, Vllado Buçkovski dhe Ivo Sanader, si dhe drejtuesit e partive politike shqiptare, kanë përshëndetur suksesin e referendumit për pavarësinë e Malit të Zi.
"Kam përshëndetur vullnetin e popullit malazez. Konsideroj se kjo do të kontribuojë në stabilizimin e rajonit. Përfundimisht dje ishim dëshmitarë të mbylljes së projektit të quajtur Jugosllavi. Konsideroj se malazezët kanë shfrytëzuar të drejtën e tyre legjitime, për të përfunduar shpërbërjen e ish-Jugosllavisë", tha kryeministri Vllado Buçkovski. Ai tha se ka besim se kjo do të reflektohet në kthjellimin e Beogradit, që në mënyrë më racionale të hapërojë me vendet e tjera të rajonit drejt NATO-s dhe Bashkimit Evropian.
"Ne konsiderojmë se vendimi demokratik i zgjedhësve malazezë kontribuon në stabilizimin politik të kësaj pjese të Evropës. Dhe çdo vendim që merret në mënyrë demokratike duhet të respektohet dhe këtë do ta bëjë dhe qeveria kroate", tha kryeministri Ivo Sanader, pas takimit në Shkup me kryeministrin Vllado Buçkovski.
Ndërkohë edhe partitë politike shqiptare kanë përshëndetur rezultatin e referendumit në Mal të Zi.
Nënkryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim Rafiz Haliti, tha se suksesi i referendumit, është edhe një hap drejt demokratizimit të Serbisë.
"Me këtë mendoj se fiton edhe vetë Serbia, qoftë me pavarësimin e Malit të Zi, qoftë me pavarësimin e Kosovës, për shkak se Serbia duhet t'i kthehet vetëvetes dhe të demokratizohet. Përfundimisht mendoj se disa gjëra qartësohen në Ballkan".
Ndërkohë duke komentuar rezultatet e referendumit në Mal të Zi, kryetari i partisë së Prosperitetit Demokratik, AbyladiVeseli u shpreh:
"Kjo është një shpresë dhe një garancë se së shpejti do të zgjidhet dhe statusi përfundimtar i Kosovës, ashtu si e kërkon populli i Kosovës. Pra duhet të respektohet verdikti dhe pasi u respektua në Mal të Zi, besoj se do të respektohet edhe në Kosovë dhe gjetiu ku ka nevojë për t'u respektuar e drejta e qytetarit dhe mendoj se tani si Kosova shtet i pavarur, Mali i Zi, Maqedonia, Shqipëria do të fillojë bashkëpunimi rajonal, për arritjen e standardeve ndërkombëtare për t'u qasur në Bashkimin Evropian, në strukturat e NATO-s".



XS
SM
MD
LG