Ndërlidhjet

JUDAH:"REFERENDUMI I MALIT TË ZI NUK KA NDIKIM NË KOSOVË"


Tim JUDAH, analist politik

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Judah, Mali i Zi ka votuar për pavarësinë nga Serbia. Si mendoni se do të ndikojnë këto rezultate në proçesin e definimit të statusit përfundimtar të Kosovës?

TIM JUDAH
Më duhet të them se unë nuk mendoj se do të ketë shumë ndikim, situata në Kosovë është krejtësisht tjetër nga ajo në Mal të Zi. Në Kosovë është e qartë se më shumë se 90 për qind e popullatës është në favor të pavarësisë, prandaj mendoj se pavarësisht nga vota në Mal të Zi, e cila mund të ketë qenë edhe kundër pavarësisë, ndikimet nuk do të ishin të mëdha. Para disa vjetësh, kjo çështje mund të ketë pasur ndikim; nëse referendumi në Mal të Zi do të mbahej para tre ose katër vjetësh, atëherë njerëzit në Kosovë do të mund të pyesnin si është e mundur që Mali i Zi të votojë për pavarësinë, kurse ne jo. Por, meqë në Kosovë proçeset në definimin e statusit tashmë kanë filluar, nuk mendoj se referendumi do të ndikojë.

RADIO EVROPA E LIRË
Por a do të ndikojë ky referendum në pozicionin e Serbisë gjatë bisedimeve për Kosovën?

TIM JUDAH
Nuk e shoh një gjë të këtillë. Autoritetet në Serbi vazhdimisht kanë thënë se do ta arrestojmë Radko Mladiçin, nuk mendojmë se Mali Zi do të jetë i pavarur, nuk mendojmë se Kosova do të jetë e pavarur. Në fund, Serbia nuk mund ta arrestojë Mladiçin, Mali i Zi votoi për pavarësinë dhe mendoj se edhe Kosova është duke shkruar drejt pavarësisë. Problemi duket se qëndron në problemet që ka qeveria serbe për t’i kuptuar dinamikat e proceseve që zhvillohen përreth Serbisë; në vend se të flasë se çfarë do të dëshironte të ndodhë, qeveria serbe duhet të përqëndrohet në gjërat që vërtetë janë duke ndodhur.

RADIO EVROPA E LIRË
Ndërkohë, negociatorët ndërkombëtarë janë duke u përballur me vështirësi në arritjen e kompromisit midis Prishtinës dhe Beogradit për decentralizimin. Sa në fakt do të ndikojnë bisedimet mbi decentralizimin në procesin e përgjithshëm të definimit të statusit?

TIM JUDAH
Më duhet të them se në mënyrë të pashmangshme do të ndeshemi në një pikë krize, me ç’rast zoti Martti Ahtisaari duhet të hartojë rekomandimet e veta për numrin e komunave dhe për mënyrën e zbatimit të deçentralizimit. Fundja, rekomandimet e tij do të jenë pjesë e pakos së tij të përgjithshme. Mirëpo, në atë rast ka gjasë që autoritetet në Serbi të mos pajtohen me këtë pako dhe atëherë pason kriza. Megjithatë, ende nuk kemi arritur tek kjo pikë dhe duhet të presim. Një prej çështjeve që duhet të kemi parasyshë është se zoti Ahtisaari po lëviz drejt përpunimit të rekomandimeve, të cilat mund t’i publikojë në vjeshtën e këtij viti, por gjërat mund të ndryshojnë. Ne nuk e dimë nëse kjo qeveri në Serbi do të jetë ende në pushtet në vjeshtën e këtij viti. Deri atëherë ajo mund të ketë përjetuar kolaps apo të ketë dhënë dorëheqje, me ç’rast unë mendoj se i gjithë proçesi i statusit të Kosovës do të ngrihej deri në mbajtjen e zgjedhjeve në Serbi. Nuk jam duke thënë se do të ketë përfundimisht zgjedhje në Serbi, por vetëm se ekziston mundësia për një gjë të këtillë.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Judah, çështja kryesore që vazhdon të jetë e hapur është gjendja aktuale në Mitrovicë. Si e shihni ju zgjidhjen për këtë qytet dhe për veriun e Kosovës në përgjithësi?

TIM JUDAH
Unë mendoj se kjo çështje është çështje kryesore. Më duhet të them se aktualisht nuk jam optimist për gjetjen e një zgjidhjeje mbi veriun e Kosovës, që është pjesa kryesore e çështjes së përgjithshme. Unë madje mendoj se ka shumë gjasë, që në rast se Kosova shkon drejt pavarësisë, autoritetet në Beograd do të nxisin mbajtjen e një referendumi në veri të Kosovës, gjatë të cilit do të votohej për mbetjen apo shkëputje nga Kosova apo mbetje në Serbi. Një referendum i këtillë natyrisht nuk do të pranohej, por megjithatë një situatë e këtillë do të mund të provokonte një krizë të rëndë.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Martti Ahtisaari ka bërë të ditur se nëse proçesi i definimit të statusit nuk përfundon këtë vit, atëherë duhet jetuar me këtë fakt në fillim të vitit të ardhshëm. A mendoni se proçesi do të shtyhet?

TIM JUDAH
Nëse për shembull qeveria serbe jep dorëheqje apo shkarkohet, atëherë po, mendoj se proçesi do të shtyhet. Por ne nuk e dimë nëse një gjë e këtillë do të ndodhë dhe ky është vetëm një skenar i mundshëm. Skenari i dytë ka të bëjë me pamundësinë fizike për të bërë çdo gjë dhe për ta përfunduar çdo çështje deri në fund të vitit dhe me këtë rast procesi do të shtyhej edhe për disa muaj të tjerë, për çka nuk mendoj se do të ketë shumë ankesa. Kjo është e mundshme dhe vetë fakti se zoti Ahtisaari e ka ngritur këtë çështje, do të thotë se ai nuk mendon se punët mund të mbarojnë deri në nëntor të këtij viti, kur edhe skadon kontrata e tij. Pra, po… është e mundshme.

Intervistoi: Arbana VIDISHIQI
XS
SM
MD
LG