Ndërlidhjet

MALI I ZI PAS PAVARËSISË


Përmbledhje e faqeve të shtypit ndërkombëtar

“Vdekja e Jugosllavisë”, është titulli i artikullit të botuar sot në të përditshmen “Wall Street Journal”, në të cilin thuhet se pas Malit të Zi, festa e ndarjes do të vazhdojë edhe me Kosovën, e cila dëshiron të shkëputet nga Serbia. Pasi të ketë ndodhur edhe kjo, gazeta shkruan se serbët më në fund do të mund të festojnë pavarësinë e tyre nga iluzionet magjepsëse të titoizmit. Përgjatë historisë, mikroshtetet evropiane kanë qenë gjithnjë më pak agresive në politikën e tyre, më demokratike dhe me ekonomi më të zhvilluar. Mali i Zi tani planifikon që të inkuadrohet në Bashkimin Evropian sa më shpejt që të jetë e mundur dhe të tërheqë investitorët me politikat që janë zbatuar në Estoni. Suksesi i eksperimentit të pavarësisë së Malit të Zi do të përcaktohet nga suksesi i ekonomisë dhe qeverisjes politike dhe jo nga një nocion i paqartë se Mali i Zi është krijuar mbi themelet e monarkisë së 1878-ës dhe se ka zhvilluar rezistencë heroike kundër sundimit ottoman. Mali i Zi fillimisht duhet të çlirohet nga reputacioni si vend parajsë për kontrabanduesit e duhanit dhe mafiozët lokalë, shkruan WSJ.
E përditshmja tjetër “Financial Times” shkruan se para fillimit të bisedimeve me Brukselin për anëtarësim në Bashkimin Evropian, prioriteti i parë i Malit të Zi.
do të jetë shkurorëzimi miqësor me Serbinë. Nuk ka arsye pse kjo ndarje të mos jetë e lehtë sikur që ishte ajo në mes të Republikës Çeke dhe Sllovakisë dhe të mos i ngjajë fare ndarjes që ka pësuar Bosnja pas pavarësimit. Pavarësia e Malit të Zi nuk do të krijojë panik tek ata që kanë votuar për mbetje me Serbinë apo tek vetë serbët, meqë pavarësisht nga statusi politik, Mali i Zi do të vazhdojë të mbetet sllav dhe orthodoks. Për dallim, shumë serbë e kanë të vështirë të pajtohen me idenë se Kosova do të bëhet një shtet i pavarur i dominuar nga shqiptarët. Kjo, shkruan gazeta, megjithatë mund të ndodhë gjatë këtij viti dhe me Kosovën do të përmbyllej kapitulli i fundit në trashëgiminë shkatërruese që Millosheviqi ka lënë për Serbinë.
E përditshmja “Los Angeles Times” citon gazetat në Serbi, në komentet e të cilave thuhet se elita serbe në Beograd nuk beson se do të jetë në gjendje të përballet me vetminë. Por, në Podgoricë mbretëron një optizimizëm i fuqishëm dhe njëkohësisht i qetë. Për ta ilustruar ndjenjën e malazezëve pas referendumit të së dielës, gazeta citon profesorin e shkencave politike në Podgoricë, Veselin Paviceviç, të thotë: “Mali i Zi ndihet si një pacient, i cili pas testimeve mjekësore merr vesh se nuk ka kancer, megjithëse ka qenë i bindur se ka”.
XS
SM
MD
LG