Ndërlidhjet

A.ZENELI: NË KOSOVË MUNGON INFRASTRUKTURA PËR PËRSONAT QË PËRDORIN KARROCA LËVIZËSE


Nadie Ahmeti, Prishtinë

Të jesh përdorues i karrocave lëvizëse në Kosovë, do të thotë se ke një jetë shumë të vështirë. Kështu fillon rrëfimin, Armend Zeneli, 30 vjeç nga Prishtina, i cili është në mesin e 500 shfrytëzuesve të mjeteve lëvizëse vetëm në Prishtinë. Zoti Zeneli është baba i dy fëmijëve, ndërkaq qe 12 vite më radhë është i varur nga karroca.
Jetën e kësaj kategorie të shoqërisë e vështirëson mungesa e infrastrukturës së duhur, rrugët dhe qasja nëpër objekte të ndryshme është e papërshtatshme.
“Duke filluar nga jeta sociale, pasi nuk ka ndihmë nga institucionet. Po ashtu edhe qasja në objekte qeveritare ose në objekte të ndryshme private në rrugë, është shumë e vështirë. Rrugët janë shumë të pa përshtatshme për përdoruesit e karrocave, transporti po ashtu nuk është i zgjidhur për përdoruesit e karrocave. Më të vërtet përdoruesit e karrocave e kalojnë një jetë shumë të vështirë për shkak të këtyre problemeve”, tha zoti Zeneli.
Këto probleme, thotë zoti Zeneli, ndikojnë shumë në mos punësimin e kësaj kategorie dhe njëherit po krijojnë hapësirë që personat më aftësi të kufizuara të mos jenë të barabartë me të tjerët.
“Nëse dëshirojmë ne vetë ose insistojmë që edhe ne të punësohemi, atëherë këto krijojnë probleme dhe krijojnë pengesa që nuk e ke mundësinë të jesh i barabartë më të tjerët”, tha zoti Zeneli.
Në Kuvendin Komunal të Prishtinës, thonë se pas përfundimit të luftës, i është kushtuar kujdes të veçantë personave me aftësi të kufizuara. Bajram Mjeku, zëdhënës thotë se ky segment i shoqërisë në krahasim me vendet e tjera të Evropës vazhdon të jetë në pozitën më të vështirë sa i përket infrastrukturës.
“Ju e dini se para luftës teatri kombëtar i Prishtinës, nuk ka pasur shkallare eksluzivisht për personat me aftësi të kufizuara, por tani ka. Edhe qeveria e Kosovës nuk ka pasur një lloj të tillë, por tani ka edhe shkallare të tilla. Megjithatë ne nuk mund të mburremi edhe aq se kemi bërë shumë për personat me aftësi të kufizuara, por deri dikund i kemi kushtuar kujdes edhe këtij segmenti,” tha zoti Mjeku.
Por me një gjë të tillë nuk pajtohet Armend Zeneli. Ai thotë se të gjitha këto janë bërë nga organizata HENDIKOS, në të cilën aktualisht ai vetë është menaxher. Sipas tij, komuna ka dhënë lejen, por jo edhe mjetet financiare. Në anën tjetër, zoti Zeneli thotë se edhe nëse janë ndërtuar disa pjerrina për personat që shfrytëzojnë karrocat, ato janë bërë vetëm në katet e para të disa ndërtesave publike, ndërkaq në objektet private nuk është ndërtuar asnjë pjerrinë e vetme.
“Mirëpo është problem shumë i madh, sepse nuk kemi qasje dhe duhet ne përveç vetë që kalojmë kohën aty duhet të marrim përcjellësa, familjarë apo shokë që të na qesin në katin e dytë apo tretë, në zyrat ku janë mbledhjet e këtyre komiteteve. Kjo po na krijon problem shumë të madh”, tha zoti Zeneli.
Ndryshe, në Kosovë supozohet të jenë deri në 6000 shfrytëzues të mjeteve ndihmëse, thotë Halit Ferizi, udhëheqës i organizatës për persona me aftësi të kufizuara HENDIKOS. Ai thotë se Kuvendi i Kosovës ka miratuar ligjin për personat me aftësi të kufizuara, ku parashihet që infrastruktura të jetë e përshtatshme për këtë kategori të njerëzve. Por kjo ka mbetur vetëm në letër dhe për një gjë të tillë është kujdesur vetëm HENDIKOS, thotë zoti Ferizi.
“Mirëpo këto janë vetëm ligje bazike, por qeveria nuk ka nxjerrë akte të caktuara nënligjore që t’i udhëzojë ata që merren me hartimin e politikave, respektivisht me projektimin e objekteve, që t’i respektojnë këto standarde. Nuk ka bërë bash asgjë me përjashtim të ligjeve bazike,” tha zoti Ferizi.



XS
SM
MD
LG