Ndërlidhjet

PROBLEMET EKONOMIKE NDIKOJNË NË KTHIMIN E TË ZHVENDOSURVE


Rrahman Paçarizi, nga fshati Zhiti i Vitisë

Zhitia është një fshat jo larg Vitisë që dikur kishte popullatë të përzier shqiptare dhe serbe, ndërsa tani ka vetëm shtëpi me pronësi të përzier. Shumica e shtëpive janë pronë e shqiptarëve të cilët banojnë në to. 33 shtëpi dallohen nga të tjerat. Janë më të reja dhe të ngjashme me njëra-tjetrën. Bari i rritur nga dielli dhe shiu pranveror tregojnë, i papenguar njerëzit, është dëshmi se askush nuk jeton në ato shtëpi. 29 prej këtyre shtëpive të ndërtuara nga fondet e qeverisë së Kosovës dhe Programi për Zhvillimin e Kombeve të Bashkuara, UNDP u janë dedikuar serbëve që duan të kthehen në fshatin e tyre të lindjes, ku kanë jetuar deri në vitin 1999.
Shtëpitë, aktualisht kanë mbetur të shkreta pasi pronarët e tyre nuk duan të kthehen pa iu siguruar infrastruktura e domosdoshme dhe vendet e punës. Kushtet e sigurisë nuk janë pengesë për kthimin, thonë vetë pronarët e shtëpive, që herë pas here vijnë për t’i vizituar pronat e tyre dhe për të biseduar me bashkëfshatarët shqiptarë në kuadër të këshillit të fshatit, që përbëhet nga shtatë shqiptarë dhe dy serbë.
Ljubisha Zafiroviq, anëtar i këtij këshilli thotë se 12 familje serbe që kanë gjetur strehim në fshatin Partesh të Gjilanit, janë të gatshëm që të kthehen në shtëpitë e tyre, nëse përmbushen kërkesat e tyre për përmirësim të kushteve të jetesës:
"Një nga arsyet që është kryesori sipas nesh, është ujësjellësi pasi nuk mund të jetohet pa ujë, edhe pse shtëpitë na i kanë ndërtuar."
Ai thotë se për të jetuar duhet punë. "Edhe shqiptarët edhe serbët kanë mbetur pa punë, nuk ka para prandaj është e pamundur të jetohet kështu," thotë Zafiroviqi.
Kryetari i këshillit të fshatit, Hajrush Osmani thotë se në fshat nuk ka probleme të sigurisë, ndërsa problemet ekzistenciale janë të njëjta për të dyja bashkësitë etnike. Të gjitha përpjekjet për të bërë diçka në këtë drejtim kanë mbetur vetëm dëshira në letër, thotë Hajrush Osmani:
"E shihni, Ka një vit që ua kemi ndërtuar shtëpitë dhe problemi i vetëm është uji dhe kanalizimi. Ata kanë të drejtë dhe ne i përkrahim kërkesat e tyre. Kemi shpresuar se në mars do të fillojë ndërtimi i ujësjellësit pasi projekti ynë është miratuar në BE, por ja që është shtyrë për vitin e ardhshëm."
Hajrush Osmani i fton bashkëfshatarët e tij serbë që të kthehen në shtëpitë e tyre.
"Këto shtëpi nuk i kemi ndërtuar për t’i fotografuar, por për njerëzit që vërtet janë të interesuar për t’u kthyer. Ndoshta kemi plot probleme ekonomike dhe sociale, por probleme sigurie nuk kemi".
Ljubisha Zafiroviq, thotë se banorët serbë nuk kanë pasur ndonjë problem të theksuar:
"Sa i përket sigurisë gjatë ndërtimit të shtëpive e deri më tash, me praninë tonë këtu nuk kemi pasur ndonjë problem fizik," tha Ljubisha, duke mos humbur shpresën për kthim dhe duke u shprehur i bindur se do të kthehen në fshat.
Zoran Kërçmareviq, drejtor i zyrës lokale për komunitete në komunën e Vitisë thotë se pengesa kryesore për kthimin masiv të serbëve është ndjenja e frikës:
"Nuk mjafton që vetëm të thuhet që ja njerëzit janë të sigurt dhe të jepen premtime se do të jenë të sigurt, por kjo duhet të zbatohet në praktikë," tha Kërçmareviq, duke u shprehur megjithatë optimist për kthimin.
Fshatarët e Zhitisë i besojnë premtimit të kryeministrit të Kosovës Agim Çeku, i cili gjatë një vizite që para pak javës i ka bërë këtij fshati ka thënë se qeveria e tij do të bëjë gjithë çka është e mundur për të përmbushur kërkesat, për të siguruar një kthim të përshpejtuar të serbëve të zhvendosur. Kjo aq më tepër kur tani e gati një vit shtëpitë e zbrazëta presin njerëzit për të cilat janë ndërtuar. Ndryshe, shtëpitë e zbrazëta nuk do të kishin ndonjë kuptim si të tilla, thonë banorët.



XS
SM
MD
LG