Ndërlidhjet

PETERSEN: PALËT NË BISEDIME DUHET TË JENË TË GATSHME PËR KOMPROMISE


Zijadin Gashi, Prishtinë

Bashkësia ndërkombëtare ka një konsensus të përgjithshëm që statusi i Kosovës të përcaktohet gjatë këtij viti, mirëpo që kjo të arrihet palët në bisedime tani duhet të jenë të gatshme për kompromise, ka thënë sot shefi i UNMIK-ut, Soren Jessen Petersen pas një takimi që zhvilloi me kryeministrin e Kosovës, Agim Çeku, pas kthimit të tij nga vizita që i bëri selisë së Kombeve të Bashkuara në Nju Jork dhe Uashingtonit.
Ndërsa të gjithë pajtohen se statusi duhet të zgjidhet sa më shpejt, shtrohet dhe nevoja që Prishtina t’i plotësojë të gjitha çështjet e parashtruara në agjendën e presidentit Marti Ahtisari në procesin negociator në Vjenë, tha Petersen. Si në Uashington ashtu edhe në Nju Jork, sipas shefit të UNMIK-ut, ka vlerësime pozitive për qëndrimet dhe dokumentet që ka ofruar deri më tani pala kosovare në takimet e Vjenës.
Petersen tha se ka biseduar dje Marti Ahtisarin dhe zëvendësin e tij, Albert Rohan, të cilët megjithatë kanë kërkuar që si Prishtina ashtu edhe Beogradi të kalojnë edhe një hap tutje në mënyrë që të mund të negociojnë:
“Janë paraqitur dokumente me pozicione të mira, por negociatat nënkuptojnë që ju të jeni të përgatitur të kaloni përtej këtyre pozicioneve”, tha Jessen Petersen.
Ai tha se është shumë me rëndësi që kur Ahtisari të shkojë në fund të qershorit në Këshillin e Sigurimit në Nju Jork të mund të raportojë se bisedimet kanë shënuar përparime, kurse pala kosovare është treguar konstruktive dhe ka treguar vullnet të mirë për negociata.
Një çështje tjetër që Petersen dhe Çeku kanë veçuar në takimin e sotëm ishte marrja e pëlqimit nga ana e Bashkimit Evropian dhe Nju Jorkut për hapjen e një zyre të përbashkët të UNMIK-ut dhe institucioneve të Kosovës në Bruksel.
Kjo zyrë, sipas shefit të UNMIK-ut do t’i shërbejë Kosovës për paraqitjen e planit të veprimit për integrime në strukturat evropiane. Hapja e kësaj zyre në Bruksel është konsideruar me rëndësi të posaçme për Kosovën nga ana e kryeministrit Agim Çeku:
"Mund të konstatoj se Petersen në mënyrë shumë të saktë i ka adresuar shqetësimet dhe kërkesat tona. I ka prezantuar ato në mënyrën më të mirë në Nju Jork dhe Uashington dhe solli këtu lajme të mira për hapjen e një zyre të Kosovës në Bruksel, ku kjo zyrë do ta ndihmojë dhe lehtësojë procesin e integrimit të Kosovës në Bashkimin Evropian gjithashtu edhe në NATO. Është një kërkesë e kohës dhe një domosdoshmëri dhe është çështje ditësh kur kjo do të ndodhë”, tha Çeku.
Shefi i UNMIK-ut, Jessen Petersen i ka konfirmuar sot edhe njëherë kryeministrit Agim Çeku, se ai mund ta shoqërojë atë për të marrë pjesë në seancën e 20 qershorit në Këshillin e Sigurimit. Në këtë seancë, Petersen do të prezantojë raportin me vlerësimet teknike dhe politike lidhur me përmbushjen e standardeve. Ky raport është thënë se do të jetë i vlefshëm dhe për caktimin e agjendës së fazës së dytë të bisedimeve për përcaktimin e statusit të Kosovës nga ana e kryenegociatorit Marti Ahtisari.
XS
SM
MD
LG