Ndërlidhjet

VJENË


Zyrtarët shqiptarë dhe serbë janë dakorduar mbi masat për t'i mbrojtur monumentet kulturore dhe fetare në Kosovë.
Albert Rohan, zëvendës i kryenegociatorit të KB në bisedimet për statusin e Kosovës, Marti Ahtisaari, tha se projekt marrëveshja për mbrojtjen e monumenteve fetare ka "ndikim të gjerë". Ai tha se delegacionet e Prishtinës dhe Beogradit u dakorduan për "mbrojtjen fizike" të objekteve të Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë, si dhe për zonat mbrojtëse, për të cilat do të kujdesen paqëruajtësit ndërkombëtarë.
"Ka një numër dallimesh konceptuale, por kishte një marrëveshje me ndikim të gjerë për mbrojtjen e objekteve fetare", tha diplomati austriak, duke shtuar se "çdo objek fetar i shkatërruar duhet të rindërtohet me ekspertë nga UNESCO dhe BE".
Sipas projekt marrëveshjes, Kisha Ortodokse Serbe në Kosovë do t'i ruajë lidhjet speciale me Patrikanën në Beograd, do të gëzojë privilegje tatimore, liri të lëvizjes dhe të drejtën për t'i drejtuar punët e veta.
"Ne u dakorduam në disa pika të paktën për gjërat praktike, por ky është vetëm takimi i parë mbi këtë çështje", tha Leon Kojen, kryenegociatori serb.
Pala serbe gjithashtu është përpjekur ta ndërlidhë mbrojtjen e kishave dhe të manastireve ortodokse me autonominë e pakicës serbe në Kosovë, por pala shqiptare ka qenë kundër.
"Ne e kundërshtojmë propozimin për të ndërlidhur trashëgiminë kulturore me decentralizimin", ka thënë Ylber Hysa, anëtar i delegacionit nga Kosova.
Takimi i sotëm në Vjenë pasoi katër takimet e mëparshme mbi decentralizimin në Kosovë. Rohan tha se ngecja në takimet e mëparshme ishte pasojë e "mungesës së vullnetit politik të dy palëve".
"Ne i kemi bërë thirrje kryeministrit serb dhe palës kosovare për më shumë fleksibilitet", tha Rohan.
XS
SM
MD
LG