Ndërlidhjet

IVANOVIÇ: “PAVARËSIA EKZISTON SI NJË OPSION REAL”


Oliver Ivanoviç, udhëheqës i Listës Serbe

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Ivanoviç, pas takimit që keni zhvilluar me të dërguarin amerikan, Frank Wisner, keni thënë se prisni sinjale pozitive nga Beogradi, në kuptimin që edhe pas përcaktimit të statusit të Kosovës, të mos vijë deri tek një konfuzion në mes të popullatës serbe në Kosovë. Çfarë prisni konkretisht?

OLIVER IVANOVIÇ
Pres nga njerëzit përgjegjës të autoriteteve serbe në Beograd që të kuptojnë se kjo popullatë serbe duhet të qëndrojë këtu dhe se kjo popullatë duhet të trimërohet, herët a vonë, për të marrë pjesë në institucione. Nëse është e qartë se statusi i Kosovës do të zgjidhet, qoftë gjatë vitit 2006 apo në fillim të vitit 2007, atëherë ky duhet të jetë çasti i duhur që përgjigja e autoriteteve të përmbajë udhëzimet për serbët se çfarë duhet të bëjnë këta njerëz këtu. Popullata serbe këtu ka qenë shpeshherë në pritje të dikujt tjetër për t’i thënë se çfarë duhet bërë dhe e mësuar me këtë, edhe kësaj rradhe do të presë sinjale të tilla. Alternativa e kësaj do të ishte një kaos në momentin kur statusi vendoset. Çfarëdo që të jetë ky status, të kënaqur apo jo me të, ekziston rreziku i interpretimit të gabueshëm të statusit dhe një gjë e tillë, jam i bindur, se do të nxisë shtimin e numrit të njerëzve me idenë që të largohen prej Kosovës. Kjo do të ishte një katastrofë për shtetin serb, për pushtetin serb, e veçanërisht për ata serbë që mendojnë të qëndrojnë këtu. Ata do të ishin të dobësuar dhe do të kishin më pak gjasë për të luftuar problemet me të cilat përballen.

RADIO EVROPA E LIRË
Cili do të ishte orientimi juaj politik, përkatësisht cilat do të ishin porositë tuaja për serbët e Kosovës, në rast se Kosova fiton pavarësinë, në çfarëdo forme?

OLIVER IVANOVIÇ
Unë jam i vetëdijshëm se një opsion i tillë ekziston dhe se populli duhet të përballet me të. Unë besoj se ata që jetojnë këtu, pak a shumë, e dinë këtë gjë. Ky opsion ekziston si një opsion real. Mendoj se vendimi për largim apo qëndrim duhet të jetë individual. Ata që vendosin të shkojnë duhet ta kenë këtë të drejtë, kurse ata që vendosin të rrinë, e shpresoj se të tillë janë më shumë, duhet të kenë garanci se në Kosovë do të kenë një jetë normale. Unë megjithatë shpresoj se nuk do të vijë deri tek një zhvillim i tillë negativ i ngjarjeve dhe se popullata serbe do të ketë mundësinë, që në një formë direkte apo indirekte, të shprehet për statusin e ardhshëm.

RADIO EVROPA E LIRË
Lista serbe, në krye të së cilës jeni ju, mendon se ka përgjegjësi të mëdha në të gjitha proceset në Kosovë. A mendoni se një përgjegjësi e tillë do të bëhej edhe më e madhe me pjesëmarrjen tuaj në institucione?

OLIVER IVANOVIÇ
Kjo përgjegjësi dhe kalkulimet e tilla kanë ekzistuar rreth pjesëmarrjes sonë eventuale, por, siç e shihni edhe vetë, ne me mospjesëmarrjen tonë, nuk i kemi përshpejtuar dhe as ngadalësuar gjërat. Ne vetëm kemi mundësuar “zgjidhjen” e problemeve pa pjesëmarrjen tonë, që do të thotë edhe pa informacione të drejtëpërdrejta nga terreni. Kur çështjet e tilla zgjidhen në mes të kabineteve të përfaqësuesve, atëherë këto zgjidhje zakonisht nuk i kënaqin njerëzit e rëndomtë të ndonjë fshati. Kjo është përgjegjësia jonë. Çështja tjetër është se ne e dimë se me hyrjen në institucione ne do t’i dërgonim një porosi popullatës serbe në Kosovë. Në këtë mënyrë, njerëzit do të qetësoheshin dhe do të kishin një adresë për të ngritur shqetësimet e tyre. Tani për tani, popullata serbe i drejtohet Beogradit zyrtar, Qendrës Koordinuese dhe qeverisë serbe, kurse prej andej nuk ka informacione kthyese, përkatësisht nuk ka fare mundësi që këto mekanizma të kyçen në zgjidhjen e problemeve, qofshin ato banale apo thelbësore.

RADIO EVROPA E LIRË
Ju keni thënë se nuk pajtoheni me propozimet e Prishtinës zyrtare dhe as me ato të Beogradit për decentralizimin. Keni përmendur një projekt tuajin alternativ, të cilin do t’ia propozoni Beogradit. Cilat janë dallimet në mes të propozimit tuaj dhe atij të ekipit serb?

OLIVER IVANOVIÇ
Sa u përket parimeve, arsyeve dhe motiveve për formimin e komunave të reja, ne absolutisht kemi pikëpamje identike me ekipin negociator të Beogradit. Dallimet kanë të bëjnë me numrin e komunave dhe numrin e banorëve në këto komuna. Për ne është shumë e rëndësishme të themi se komunat që ne i kërkojmë, do të kenë përgjegjësi më të mëdha seç kanë pasur. Kjo absolutisht nuk korrespondon me komunat e vogla, pra përgjegjësi të mëdha për komunat me pak njerëz nuk paraqesin një qëndrueshmëri afatgjatë. Qëndrueshmëria ekonomike për ne është arsye, por ndoshta arsye sekondare, meqë as komunat ekzistuese në Kosovë nuk janë ekonomikisht të qëndrueshme. Qëndrueshmëria e tyre krijohet në mënyrë artificiale, me donacione nga buxheti i Kosovës, kurse buxheti Kosovës, paratë i merr nga donatorët ndërkombëtarë. Pra, dallimi qëndron në numrin e komunave. Nuk mendojmë se është e rëndësishme që të propozojmë një numër të madh komunash, por është e rëndësishme që të fitojmë komuna. Hendeku është jashtëzakonisht i madh në mes të 2 komunave e gjysmë sa propozon Prishtina dhe 13 komunave sa kërkon Beogradi.

RADIO EVROPA E LIRË
Çfarë mendoni ju se duhet bërë për ta ndërtuar mirëbesimin në mes të komuniteteve të ndryshme etnike në Kosovë deri në një nivel të përshtatshëm. Kur e shtroj këtë pyetje, mendoj shqiptarët dhe serbët?

OLIVER IVANOVIÇ
Është e qartë se na pret një jetë e përbashkët, sido që të jetë. Prandaj mendoj se pjesëmarrja jonë në institucione është e rëndësishme edhe nga kjo pikëpamje. Rivendosja e marrëdhënieve të reja, në kuptimin historik, tani është me cilësore seç kanë qenë këto marrëdhënie deri tani, për shkak të pranisë së bashkësisë ndërkombëtare. Një gjë të tillë ne mund ta arrijmë vetëm nëpërmjet institucioneve. Takimet sporadike dhe joformale që i bëjmë, nuk dërgojnë porosi pozitive për qytetarët e rëndomtë, shqiptarët apo serbët, dhe si të tilla nuk janë të mjaftueshme. Më e rëndësishme dhe më me ndikim do të ishte porosia që vjen nga takimet në mes të shqiptarëve dhe serbëve të përfaqësuar në institucione, për të cilat të dyja palët do të luftonin bashkërisht që ato të jenë më demokratike, më cilësore, të jenë më të hapura për të gjithë dhe të jenë në gjendje të kontrollojnë situatën dhe të zgjidhin problemet.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Ivanoviç për fund, sa mendoni se do të ndikojë pavarësia e Malit të Zi në zhvillimet aktuale në Kosovë?

OLIVER IVANOVIÇ
Unë nuk mendoj se kjo çështje ka ndikim politik apo ligjor, këto dy probleme janë thjesht të ndara me njëri tjetrin. Statusi i Kosovës në kuadër të bashkësisë shtetërore është rregulluar nëpërmjet deklaratës kushtetuese, garantues i së cilës është Bashkimi Evropian. Në një situatë të tillë është përjashtuar mundësia që këto dy probleme të ndërlidhen. Edhe Komisioni i Banditerit e ka përjashtuar mundësinë që Kosova dhe Vojvodina të kenë statusin e republikave, përkatësisht statusin e një entiteti që mund të ketë të drejtën e shkëputjes. Kjo sa i përket ndikimit në aspektin ligjor. Por, ekziston edhe aspekti psikologjik. Unë mendoj se me pavarësinë e Malit të Zi janë entuziazmuar ata që synojnë pavarësinë e Kosovës, kurse populli i frikësuar dhe i frustruar serb është i brengosur. Duket se këtë çështje njerëzit e shikojnë si një vazhdimësi të procesit që ka filluar në fillim të viteve 90’ dhe natyrisht presin se cilat do të jenë rezultatet e bisedimeve për statusin e ardhshëm të Kosovës.

Intervistoi: Arbana Vidishiqi
XS
SM
MD
LG