Ndërlidhjet

logo-print

WHYTE:"MALI I ZI - DËSHMI E NJË AGJENDE TË DËSHTUAR"


Nicholas WHYTE, drejtor për Evropën në Grupin Ndërkombëtar të Krizave

EVROPA E LIRË
Zoti Whyte, çfarë është komenti juaj për rezultatin e referendumit në Mal të Zi?

NICHOLAS WHYTE
Doli pak a shumë siç prisnim. Një shumicë e qartë e votuesve u shprehën për pavarësinë, ndërsa numri i tyre e tejkaloi pragun e nevojshëm prej 55%. Është mirë që referendumi kaloi qetë dhe rezultati duket se u pranua nga të gjithë.

EVROPA E LIRË
Bashkimi Evropian ka pasur rol të madh në krijimin e unionit ndërmjet Serbisë dhe Malit të Zi. Cila do të jetë përgjigja e politikës së BE-së në Ballkan në të ardhmen?

NICHOLAS WHYTE
Është mjaft e qartë se BE-ja e pranoi faktin se ky ishte dështim i madh politik i Bashkimit Evropian. Mbajtja së bashku e dy vendeve me çdo kusht, thjesht nuk funksionoi. Prandaj, mendoj se tash po shohim një përkushtim të BE-së për t'i integruar Serbinë dhe Malin e Zi veç e veç, por si anëtare të BE-së në të ardhmen.

EVROPA E LIRË
Kryeministri Millo Gjukanoviq ka thënë se Mali i Zi mund të jetë vendi i ardhshëm që do t'i bashkangjitet BE-së pas Rumanisë, Bullgarisë dhe Kroacisë.
A mendoni se kjo është realiste?

NICHOLAS WHYTE
Mendoj se është pak optimiste. Më duhet të them se ka vende tjera në rajon, të cilat përgatiten të paktën po aq gjatë sa Mali i Zi dhe po aq mirë sa Mali i Zi. Unë personalisht pres të shoh një grup të madh vendesh që do t'i bashkangjiten BE-së në vitet 2010-2011. Mali i Zi gjithashtu mund të jetë një prej tyre.

EVROPA E LIRË
Z. Whyte, a mendoni se ky referendum mund të nxisë ndonjë ndryshim politik në vetë Serbinë?

NICHOLAS WHYTE
Më duket se reagim interesant ishte ai i krahut të djathtë në Serbi, i cili pa se agjenda e tyre u diskreditua jo si pasojë e humbjes së luftës, por nga vota e lirë e njerëzve në vendin, për të cilin besonin se është tokë serbe. Mendoj se kjo mund të bëjë që të rishikohet agjenda e tillë në Serbi. idoqoftë, kjo me siguri do të ketë një ndikim shumë të shëndoshë.

EVROPA E LIRË
Z. Whyte, çfarë do të ishte ndikimi i mundshëm i referendumit në Mal të Zi në bisedimet për statusin final të Kosovës?

NICHOLAS WHYTE
Vështirë që do të ketë ndonjë ndikim. Prej fillimit ishte e qartë se pjesëmarrësit në bisedimet e kishin pranuar faktin që Malit të Zi i ishte lejuar të votojë për pavarësinë. Kjo sigurisht që ishte e qartë nga ana e presidentit Ahtisaari dhe nga pala e shqiptarëve e Kosovës.
Ndoshta nuk ishte kështu në rastin e negociatorëve serbë, por nuk besoj se kjo do të ndikojë shumë në sjelljen dhe strategjinë e tyre.

EVROPA E LIRË
Edhe një pyetje për Kosovën. Zyrtarët kosovarë kanë refuzuar thirrjet e liderëve serbë për bisedime direkte ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit për statusin e ardhshëm. Çfarë është komenti juaj?

NICHOLAS WHYTE
Mendoj se kjo nuk do të funksionojë, sepse nevoitet pëlqimi i të dy palëve. Mendoj se kjo nuk do të ndodhë.

Intervistoi: Vullnet POSHKA
XS
SM
MD
LG